Mospasja ende e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, bëri që sot të shtyhet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili duhet t’i japë një përgjigje kërkesës së SPAK, që ka kërkuar autorizim për arrestimi e zv.kryeministres Belinda Balluku.

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, avokati Leonard Karaj, tha se për Ballukun do të shtohen akuzat. Sipas Karajt, Balluku është nën hetim edhe për çështje të tjera siç është Tuneli i Murrizit.

‘Për Ballukun unë nga informacionet që kam di që ka çështje të tjera për të cilat ajo është nën hetim. E fundit fare është tuneli i Murrizit, që në mos ka shkuar në SPAK kallëzimi do të shkojë shumë shpejt, dhe dua që të them se akuzat ndaj saj mund të rëndohen’, tha ai.

Analisti Plator Nesturi u shpreh se edhe në praktikat ndërkombëtare, kur një ministër ose një deputet merret nën hetim jep dorëheqjen, pasi ekziston rreziku i prishjes së provave.

Sipas tij vendimi që do të marr Gjykata Kushtetuese nuk duhet parë vetëm në kontekstin aktual, por si një precedent që do të ndikojë edhe në qeveritë që do të vijnë në të ardhmen.

‘Vendimi i GJK për mua nuk ka rëndësi, por ka të bëjë me një vendim që shkon më larg në kohë sepse do të prek qeveritë e që do të vijnë më pas. Ajo që ndodh rëndom edhe në vende të tjera është që gjëja e parë është dorëheqja. Dhe kjo nuk ndodhi në këtë rast, sepse SPAK thotë se mund të ketë prishje provash. Vendimi që është nga parlamenti është qartas politikë. Është një lojë që politika po ja kthen si lojë drejtësisë që edhe ne kemi mekanizmat tona për të shtyrë, pra kemi një ngrirje që nga momenti që është bërë akti i komunikimit të akuzës penale. Ky është një ping pong që po bëhet dhe s’ka për të ndryshuar gjë. Por sado të zgjatet kjo do të marrë një zgjidhje’, tha ai.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca theksoi se fillimisht Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse Prokuroria e Posaçme ose Gjykata e Posaçme kanë të drejtë të ndërhyjnë me masa të tilla ndaj një ministri.

‘Prokurorisë së Posaçme, veproi menjëherë duke marrë masën e pezullimit, ndërkohë që kjo masë u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha këto janë pjesë e të njëjtit proces.  Gjërat duhet të ecin me radhë, duhet sqaruar nëse Prokuroria e Posaçme ose Gjykata e Posaçme ka të drejtë të ndërhyjë menjëherë me një masë të tillë dhe të pezullojë një ministër, dhe nuk ka lidhje fare me çështjen Balluku në kuptimin e individit, por ka të bëjë me pozicionin e ministrit. Nxitimi për të kaluar në një masë që qeveria e konsideron antikushtetuese ekspozon, sipas këtij këndvështrimi, qëllimet e Prokurorisë së Posaçme dhe krijon dyshime se kjo masë nuk është përdorur për të mbrojtur hetimin, por si një instrument që sugjeron fajësi që në fillim’, tha ai.

Analisti Neritan Alibali, deklaroi se çështja për Ballukun në Gjykatën Kushtetuese lidhet me konfliktin e kompetencave mes pushteteve, atij ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor.

‘Çështja në Kushtuese është çështje e konfliktit mes kompetencave të pushteteve. Vendimi i GJK nuk jep asgjë të re dhe as e bllokon dhe as e liron komisionin e mandateve për ta marr në shqyrtim dhe parlamentit për t’i hequr imunitetin. Kufinjt e imunitetit i përcakton kushtetuta, sa kohë që Kushtetuta thonë ministri ka imunitetin e ministrit, dhe parlamenti nuk mund ta kapërcejë kushtetutën. Po mendoj se mazhoranca po e vonon se është vendim politikë. Institucionet kontrollojnë njëri tjetrin. Kur një pushtet mbivendoset mbi tjetrin kjo është shkelje e kushtetutës’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:56
'Përplasja drejtësi-politikë, e shëndetshme', analisti Alibali: Është në të mirë të demokracisë

 

Analisti Neritan Alibali, ka deklaruar se përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor është e shëndetshme për demokracinë shqiptare.

Alibali u ndal te Reforma në Drejtësi, për të cilën tha se ka ardhur si paketë nga jashtë, ndërsa theksoi se ekziston një marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë për ta lënë drejtësinë të funksionojë në këtë formë.

Alibali tha se nuk i beson narrativave të partive kryesore politike, ku njëra pretendon se drejtësia është kapur, ndërsa tjetra thotë se drejtësia po vepron për interesa të opozitës.

‘Reforma në drejtësi erdhi paketë nga jashtë, them paketë nga jashtë dhe ka qenë dhe një deklaratë e zotit Rama i cili ka thënë që unë do pranoj çdo gjë, firmos çdo gjë, jam i gatshëm për çdo gjë, dhe që ata ishin tutorët pastaj për ta miratuar reformën ne e dimë të gjithë absolutisht, ata kanë ndërtuar një sistem drejtësie korporativ, pra një qeverisje më vete krejtësisht autonome pikërisht për ta goditur politikën, korrupsionin e madh që kishte shkuar në nivelin më të lartë. Pra reforma në drejtësi u bë në kushte të jashtëzakonshme të korrupsionit me një sistem drejtësie me tutorë mbrojtës komunitetin ndërkombëtar partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët po tregojnë po vazhdojnë ta tregojnë mbrojtjen.

Pra politika shqiptare mazhorancë dhe opozitë ka hequr dorë nga sovraniteti nga një pjesë e sovranitetit për ta monitoruar ose sikur për ta mbikqyrur pushtetin gjyqësor, sepse normal pavarësisht se thuhet që pushteti gjyqësor i fuqishëm atëherë fuqinë e shtetit e ka politika dhe kjo nuk diskuton, patjetër patjetër ajo është shtylla e parë e shtetit, pra ka një marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë për ta lënë kështu drejtësinë.

Unë nuk jam dakord dhe nuk i besoj fare logjikat e njërës palë që thotë ky e ka vënë në thundur drejtësinë dhe pala tjetër thotë drejtësia po punon për Sali Berishën. Mua më pëlqen kjo përplasja midis pushtetit gjyqësor dhe pushtetit politik, pra është normale. Në qoftë se do të vazhdojë kjo lloj përplasje midis politikës do të jetë e shëndetshme për demokracinë’, tha ai.