Futbolli italian po kalon një krizë të thellë dhe kjo kulmoi me mungesën e Italisë për herë të tretë radhazi në një Kupë Bote. Forma e dobët e skuadrave të Serie A është vënë re edhe në Evropë, ndërsa skuadrat italiane nuk janë kompetitive në arenën ndërkombëtare.

Si të mos mjaftonin këto 'halle', Juventusi me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e Champions League për edicionin e ri dhe gjërat te 'Zonja e Vjetër' do të ndryshojnë, duke nisur nga drejtuesit e lartë të klubit.

Drejtori i përgjithshëm Damien Comolli është në shënjestër të akuzave, pasi ai do të mbajë përgjegjësi për formimin e një ekipi që nuk u tregua i aftë për të qenë kompetitiv në garën për trofeun në Itali. Në vendin e tij pritet të emërohet Giorgio Chiellini, njeriu i besuar i John Elkann, pronarit të Juves.

Elkann duhet të fokusohet edhe te trajneri Luciano Spalletti. Pas humbjes së turpshme 0-2 në shtëpi kundër Fiores, Spalletti kërkoi një takim me Elkannin. Paçka se rinovoi vetëm pak javë më parë, trajneri toskan kërkon autonomi të plotë dhe një besim nga drejtuesit për ringritjen e një ekipi që dështoi në sprintin final të sezonit.

Në Itali ngjarjet ndodhin për një arsye dhe efektet mund të jenë domino. Antonio Conte i ka treguar Napolit se dëshiron të largohet këtë verë. Presidenti De Laurentiis nuk mund ta mbajë kundër vullnetit të tij dhe me gjasë e ardhmja do të jetë në stolin e Italisë, një rikthim për të pas dhjetë vitesh.

Conte dhe Juve kanë një histori të vjetër dhe një sinjal nga Torino do bënte që Antonio të rimendonte të ardhmen. Mes Juves dhe Italisë, për momentin stoli i kombëtares së kaltër është më i rëndësishëm, por ngjarjet mund të ndryshojnë në fundjavë, pas ndeshjeve të fundit në Serie A.