Lecce dhe Juventusi luajnë të shtunën në orën 20:45 për raundin e 36-të në Serie A (ndeshja e tretë nga fundi i sezonit). 'Zonja e Vjetër' është në garë për vendin e katërt që të dërgon në Champions League, ndërsa për mediet foli trajneri i Juves, Luciano Spalletti.
"Kemi vuajtur dhe kemi ndjerë dhimbje këtë javë. Duhet të shkojmë në Lecce dhe t'i kthejmë gjërat në favor, duke thyer monotoninë me një goditje të fortë. Duhet të marrim rreziqe përsipër, jo të menaxhojmë lojën. Kemi gjithçka në duart tona. Ka momente që bëjmë diferencën dhe herë pas here i kemi humbur çaste të tilla", tha ai.
Luciano Spalletti, pas barazimit zhgënjyes me Veronën , ka një recetë të qartë për rinisjen në Lecce. Receta për ndeshjen e parë nga tre të fundit të sezonit përfshin edhe rikthimin e Dusan Vlahovic.
"Po, Dusan mund të fillojë, por le të mos i bëjmë shumë presion", shton trajneri i Juventusit. "Në sprintin e Ligës së Kampionëve," vazhdon Spalletti, "nevojitet karakter dhe punë në ekip. Nevojitet përgjegjësi dhe ne kemi vuajtur këtë javë. Presioni duhet të jetë një kusht natyror për ne. Futbolli nuk është basketboll, rezultatet vendosen me pak gola dhe duhet të jesh i kthjellët në momentet vendimtare", vijoi trajneri.
Juventusi ka humbur disa pikë kundër ekipeve më të vogla dhe ndjesia është se skuadra e Spallettit po paguan për një skuadër që ka pak lojtarë fitues të titujve, përveç Perin dhe Pinsoglio, vetëm Kalulu fitoi titullin gjatë kohës së tij te Milani.
Juventusi po shtyn përpara për 33-vjeçarin Alisson (Liverpool) në portë dhe vazhdon të ëndërrojnë të nënshkruajnë si lojtar të lirë me Bernardo Silvën (Manchester City).
"Por le të jemi të qartë," thekson trajneri, "ne do t'i shtojmë lojtarë skuadrës sonë, por shumica e Juventusit do të mbetet e njëjtë. Është mirë që lojtarët të dinë se shumë prej tyre do të jenë gjithashtu pjesë e Juventusit të së ardhmes. Mund të rritesh në gjithçka, e vetmja gjë që nuk mund ta stërvitësh është arroganca."
Po, dy ose tre transferime të mëdha, jo një ndryshim i plotë. "Kështu do të jetë, megjithëse do të na duhej një autobus me dy kate për të gjithë lojtarët e lidhur me Juventusin në muajt e fundit", bën shaka trajneri.
Spalletti ka fituar pothuajse të gjitha ndeshjet e tij jashtë fushe dhe ka humbur vetëm në Cagliari, por ai është i kujdesshëm ndaj Lecces, e cila po lufton për të shmangur rënien nga Serie A.
"I njoh Di Francescon e Corvinon dhe do të përballemi me një Lecce të organizuar. Do të duhet të japim gjithçka për të fituar. Duam të ndërtojmë mbi rezultatet e ndeshjes së Veronës. Nëse një stadium si 'Allianz' duartroket pas një ndeshjeje që duhet ta kishim fituar dhe përfundoi duke barazuar, është një shenjë se nuk ishim shkatërruar plotësisht.
Gabimi që nuk duhet të bëjmë është të mendojmë se jemi të pafat. Përpjekja që shoh nga këta djem është siguria më e madhe. Kur nuk fitojmë, ndihemi keq në dhomën e zhveshjes. Dhimbja, nëse e mendon me kujdes, të mëson gjëra. I kam parë qartë fytyrat e djemve, ata kanë vuajtur dhe jam i bindur se do të luftojnë", tha Spalletti.
Një fjalë e fundit për Opendan, gjithnjë e më shumë jashtë radarit. "Duhet të bëj disa zgjedhje. Ndoshta kam bërë edhe unë disa gabime. Mendova se të tjerët mund të na jepnin rezultate më të mira në fushë. Ai është një djalë i shkëlqyer për sa i përket disponueshmërisë së tij, të gjithë në ekip e duan", tha Luciano.
Juventusi po kërkon 'të blindojë' vendin e katërt në Serie A, pozicion që do t'i jepte bardhezinjve shansin që sezonin e ri të jenë pjesë e Champions League. Vetëm nga pjesëmarrja në Evropë drejtuesit do të nisnin punën në merkato. Afrimet priten të kujdesshme, ndërsa në dalje ka oferta të rëndësishme.
Një ndër to është edhe interesi i Liverpoolit për Francisco Conceiçaon. 23-vjeçari portugez ka kontratë deri në verën e vitit 2030 dhe Juvja do e linte të lirë për 75 milionë euro. Nëse 'Zonja e Vjetër' kualifikohet për në Champions, atëherë Spalletti nuk do të hiqte dorë nga sulmuesi, por në rast të një çudie, shitja e tij mund të financonte merkaton.
Komente










