SPECIALE/ 3 dekada në ‘OPERA’, rrëfimi i Ylber Gjinit nga fëmijëria kur i ati u këndonte tabanin, te mohimi i liceut në diktaturë, baritoni: Sfidat e mia në Teatër e jashtë tij

E quajnë “Scarpia i Ballkanit”, për gjurmët që ka lënë në interpretimin skurpuloz të “Tosca-s”…  Ka dhjetëra arie të tjera, ku  publiku, veçmas ai Teatrit të Operas e personifikon baritonin Ylber Gjini me personazhet që  performon. Dikush e ka duartrokitur si kontin e Trovatores, të tjerë si Escamillon tek Karmen, apo si Rigoleton, a Renaton tek “Një ballo me maska”.  Karrierën e ka ndërtuar hap pas hapi... shkallë pas shkalle, në ngjitje, por jo pa vështirësi, me pasion por jo pa brenga, që dukeshin sikur zhdukeshin në atë takim të shumëpritur të spektatorit me baritonin e tyre…

Ylber Gjini ka mbi 3 dekada në skenën e Operas, jo vetëm si zëri bariton, por  tashmë edhe si institucion për të rinjtë. Ngaherë zë kritik, sa herë që Opera ka pikuar, duke këmbëngulë për të riparuar e jo për të fshehur të çarat në çati…  sepse për të Teatri është më shumë se një skenë për të performuar, është një shtëpi e dytë, të cilës i njeh çdo skutë edhe të rikonstruktuar…

Në të ka jetuar gjysmën e jetës së tij, të cilën e zbulon, me pjesën tjetër prej vegjëlisë… kur babai ish-oficer i mblidhte fëmijët në strofën familjare e i ftonte ti bashkoheshin në këngët  e traditës…

“Unë nuk rrjedh nga familje muzikantësh, rrjedh nga familje oficeri se babai im ka qenë oficer, e megjithatë ai këndonte shumë. Kështu që babai na i dha në fillim shtysën. Ne kemi qenë 8 fëmijë, mbaj mend se kur vinte nga puna, na mblidhte të gjithëve dhe ne këndonim të gjitha llojet e këngëve , të flokut , labçe të Shqipërisë së mesme, veriore etj.”.

Do të duhej, që Gjini të këndonte edhe tej tryezave familjare, që talenti të dilte në sipërfaqe, dhe ende sot, e kujton me dashamirësi, mësuesin që e pikasi vokalin  e tij.

“Në klasë të tetë, nëse e mbaj mend mirë ka qenë Festivali i 11-të dhe të nesërmen në orën e muzikës unë këndova 6 këngë me një herë të dëgjuar. Dhe mësuesi i muzikës shumë dashamirës mbeti i habitur fare, më thotë : Ti duhet të shkosh në shkollë muzike patjetër pas tetë vjeçares!”

Pengesat e sistemit do t’i vuante që në fëmijëri, ku ndonëse i thonë se duhet të ndjek liceun, përherë dilte një mur i ndërtuar me nota biografike e ideologji komuniste për tu kapërcyer…

“Pastaj fillova gjimnazin në Maliq, dhe aty dola me mesatare shumë të mirë, mbi nëntë. Mirëpo  shkollën e lartë nuk ma dhanë prapë”, thotë Gjini.

Pas gjimnazit, për 3 vite do të shërbente në ushtri në kundërajror, por pa harruar asnjëherë këngën...

“Pastaj erdha këtu. Fitova kursin e këngës popullore në 85-ën, që mbahej për 9 muaj. Aty ishin gjithë këta të mëdhenjtë që jepnin kanto, Hysen Koçia, Ibrahim Tukiqi, Drita Papajani, Nahile Hoxha. Pastaj u lidha me Xhoni Athanasin, më këtej nga Akademia. Dhe këta të gjithë thanë “ti patjetër duhet të studiosh një zhanër tjetër që ishte operistiku”. Dhe ashtu u bë! Unë nuk po vazhdoja më me populloren, por hyra në pjesën e operës, në muzikën klasike”

I duhej ta shfrytëzonte çdo ditë, çdo leksion e këshillë të artistëve, për të rikuperuar liceun e mohuar. Të zgjaste orët për hir të një pasioni të madh, për të cilin ndoshta s’do mund t’i jepej një shans i dytë..

“Konkurrova dhe hyra në institut, pas një pune shumë intensive, për të rikuperuar mungesat, për shkak se nuk kisha ndjekur Liceun. Mirëpo në ato 9 muaj luftova fort. Më ndihmoi edhe fakti se artistët që ju përmenda ishin shumë dashamirës ndaj meje, sepse e shikonin që unë do të kisha një të ardhme në teatër”, shton baritoni.

Kështu në gjysmën e dytë të viteve ‘80 do të çonte përpara si dashurinë për familjen që kish krijuar ashtu edhe pasionin për të kënduarit, ku po hidhte themelet  që të ndërtonte strehëzën e vet në muzikën klasike..

“Instituti ka qenë i vështirë, se unë isha dhe familjar. Fillimisht babai i një goce, e më tej erdhi edhe çuni në jetë. “Gjyshi” më thërrisnin në Akademi. Por edhe aty punova fort, punova shumë. Pra mua gjithmonë nuk më kanë ardhur shume kollaj gjerat ,i kam arritur pas shumë mundimesh dhe shumë pune, ndryshe nga shumë të tjerë”, thotë artisti.

Pedagogët e institutit do të ishin mbështetje e madhe në këtë sfidë të tijën të dyfishtë, por edhe busull orientimi.

“Pedagog në Institut kam pasur Frano Lufin, që është në Itali tani. Kujtoj se ishin Xhoni Athanasi, Ramiz Kovaçi, Mustafa Krantja me të cilët në fillim bëja konsulta, vokalica, pasi ata duhet të vendosnin nëse zëri im ishte për bariton a është tenor. Derisa e vendosëm që do rri bariton”, tregon artisti.

E ndonëse me një mal me vështirësi, pasi të përfundonte Institutin e Arteve, talenti e sakrificat do të bënin që karriera e tij të zhvillohej në Teatrin e Operas, e dalja e parë përballë publikut në këtë skenë si bariton, s’do të vononte...

“Ka qenë viti 1991. Po ndryshonte sistemi dhe nuk të ofrohej shumë kohë që të bëja provë me orkestër.  Kështu unë kam dalë në skenë pa bërë fare prova me orkestër, me maestro Ermir Krantjan. Unë isha i emocionuar se si do të shkonte, mbaj mend që Ermiri erdhi në studio dhe më tha “më shiko mua dhe çdo gjë do shkojë shumë mirë”...

Ndonëse vit pas viti shënonte suksese të njëpasnjëshme si solist lirik, karriera e Ylber Gjinit si bariton, mbart disa brenga artistike…

“Gjithmonë e kam ndjerë mungesën që unë duhet të isha marrë me muzikë që në vogëli, sepse kur shikon që ke një vesh absolut, dhe ke ca aftësi vokale jashtë natyrales... E shikoj tani që më mungon shumë instrumenti, pianoja sidomos, që duhet të kisha luajtur. Sepse më vinë në mend shumë intervale muzikore shumë të bukura, ca variacione muzike shumë të bukura, por më mungon instrumenti... Ky ka qenë defekti më i madh për mua që unë duhet  të isha një pianist i mirë…”, thotë artisti.

 E ka të vështirë të veçojë ndër rolet që ka performuar…

“Rolet më të dashur Nuk i seleksionoj dot, por unë kam pasur shumë dëshirë ta sfidoj veten nëpër role të mëdha të repertorit botëror.. Që i këndojnë rrallë edhe nëpër botë baritonët”, thotë Gjini.

Ka shënuar sukses, edhe jashtë vendit, sa herë i është dhënë mundësia, të performojë. Si me Toscën në Shkup, si më i preferuari. Në Itali, po ashtu në dhjetëra shfaqje që ka interpretuar ka tërhequr vëmendjen me vokalin e tij e ka rrëmbyer duartrokitjet e publikut, duke harruar edhe lodhjen e turneve të gjata e shfaqjeve që vinin njëra pas tjetrës.

“Në disa periudha ne filluam të dilnim, jo në Janinë, Shkup, Itali etj., Megjithatë unë i thosha vetes: Do ta ngrys këtë jetën time këtu në këtë teatër”, thotë më tej. .

Dhe në fakt, mes mundësive të ofruara nga teatrot e huaja,  fati e desh që të qëndronte në vendin e tij.

“Për shembull unë kam fituar një kontratë në Gjermani , rastisa atje si refugjat dhe tentova. Kur bëra provën ata mbetën të habitur, dhe bënë gati kontratën. Kur erdha këtu nuk mu mundësua një vizë, që atëherë e mbylla thashë: Do të rri në vendin tim!”, shprehet baritoni.

Mbi tre dekada punë në skenën e Operas, e dy vite larg pensionit, e ka të vështirë të pohojë, se pritshmëritë sa i përket detyrimeve që institucioni duhet të përmbushte karshi artistëve, janë arritur.

“Ah! Më dole aty ku më dhëmb! Jam i pakënaqur nga institucioni. Jo se pretendoj që duhet të na marrë në pëllëmbë të dorës, po të paktën të shikonim se institucioni lufton për të rregulluar jetën e artistëve, për të rregulluar ekonominë, të jenë me komodë, të performojnë më të lirë”, tregon më tej.

Ka bindjen se Opera duhet të jetë për artistët një hapësirë për tu rritur, një shtysë për të nxjerrë më të mirën, e jo një lak trysnie në emër të pagës, të vendit të punës, a të një roli që hiqet befas…

“Gjithmonë e kam thënë: Artisti duhet të jetë i lirë! I lirë! Pra, po të mos jesh i lirë në skenë nuk mundesh të performosh atë që dëshiron”, shprehet Gjini.

E ka pasur të lehtë në daljet jashtë ta krahasojë veten me kolegë të huaj në nivelin artistik, edhe falë aftësive vokale, por ajo çka stepet të bëjë është të vërë në balancë  trajtimin financiar, krahas atij moral.

“Këtu vlerësimi financiar ka qenë shumë i mangët në krahasim me andej, siç janë të gjitha profesionet. Por ky profesioni ynë ka ca kufizime, që të privojnë nga një jetë normale si gjithë të tjerët. Kërkohet trajtim i veçantë, si të rrish në të ngrohtë, të mos shkosh lirshëm në plazh etj. Përpos asaj, në dasma një artist i Operas nuk mund të shkojë... pasi bën një zgjedhje si dhe unë për të qëndruar këtu...”, rrëfen.

Sa i përket roleve nuk ka pengje, edhe pse ndër baritonët e TKOB ka shënuar një repertor  mjaft të pasur, e me dhjetëra dalje skenike të suksesshme.

“Mundet të kisha bërë edhe më shumë, por kaq kisha mundësi...Kaq kisha mundësi...”

Pavarësisht kontributit dhënë në skenën më prestigjiose të artit në vend, vlerësimet janë sa të pakta, aq edhe të vonuara. Pas çmimit special dhënë nga Akademia Kult 8 vite më parë, presidenti Meta e dekoroi me titullin mjeshtër i madh në prill të këtij viti…

Shumë pak, për një investim që nuk është limituar vetëm në rritjen profesionale, por edhe në mbartjen e trashëgimisë së muzikës klasike, dhe Operas, si institucion me peshë e përgjegjësi artistike… edhe për brezat e rinj.

“Këtu ne kemi luftuar shumë që ta mbanim teatrin. Si të gjitha institucionet e tjera,  edhe “Opera” kaloi një tranzicion shumë të egër... Artistë që iknin! Tenorë e solistë që iknin jashtë vendit e nga ana tjetër artistë që vinin rrallë, sepse janë mësuar me pagesa të mira dhe nuk u intereson të vinë këtu vullnetarisht... Kështu që teatri ka kaluar një situatë shumë të vështirë, edhe po kalon sepse ka shumë deficite në orkestër, solistë , gjithandej ka mungesa... pasi artistët të klasikes që nxjerr Akademia i marin menjëherë jashtë. Ndaj shteti duhet ta rrisë pak mirëqenien, duhet një politikë shumë e studiuar që ta mbash artistin këtu. Një lloj si të mbash një artist të mirë, një kirurg të mirë.. ose një inxhinier të mirë”.

Po për brezat e rinj, shpreson që kryeministri Edi Rama, të mos devijojë e as të mos vonojë më tepër,  nga premtimi për dyfishimin e pagave për solistët.

“E kam dëgjuar nja dy herë që thotë “bëj atë që them dhe them atë që bëj”... Inshallah e mban fjalën... Unë dhe dy vjet e dal në pension, por pagat do duhet të rriten jo vetëm për solistë por të gjithë artistët, dhe ata të Orkestrës, Korin, Ansamblin...”

Rrugëtimi i baritonit Ylber Gjini është i gjatë e plot suksese në skenën operistike. Në atë skenë që për të është e shenjtë ka përjetuar edhe një ndër momentet më dramatike të jetës së tij…

“Momenti më i vështirë ka qenë para 5 vitesh me “Tosca-n”. Kur pata një paralizë faciale... Më ndodhi në skenë duke kënduar. Aty mezi po e çoja shfaqjen deri në fund. Eva Golemi në rolin e Tosca-s gjatë gjithë kohës, më pyeste: Si je... Derisa në momentin që vritem në rol, rashë dhe nuk ngrihesha dot më. Për pak do të kisha rënë tek gropa e Orkestrës... dhe do kishte qenë fatale. Por dora e Zotit dhe u ngrita, dhe ja sot jam këtu!”

Me dhuntitë e tij vokale, destini për të qenë solist lirik duket se është paracaktuar. Kështu që për përmbushjen e tij Gjini është kapur pas momenteve të bukura, pas magjisë së skenës e ngrohtësisë së publikut.

“Nga këta kam shumë.... por në disa momente nuk e di se çfarë më ka ndodhur, por mua më dukej sikur isha në një akuarium më vete. Unë këndoja dhe më mbështillte një si ëndërr...

Më bëhej sikur nuk kishte spektatorë, sikur isha në një botë tjetër... Ajo gjendje më ka ardhur rrallë,  po më ka ndodhur aman. Dhe aty unë jam mrekulluar, u kam thënë dhe kolegëve kjo ka qenë kënga më e bukur

Pastaj është dhe kjo tjetra, ku të gjithë biem dakord me Pavarotin, që në fillim të shfaqjes thotë “ç’mu desh mua ky profesion” . Pastaj në fund thua “paskam marrë profesionin e duhur”, thotë baritoni...

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë