Kemi hyrë në stinën e shpresës dhe e zgjimit të natyrës, ku çdo lule që çel tregon triumfin e jetës mbi letargjinë e dimrit. Kjo është koha më e mirë për ta pasuruar eksosisitemin me mbjelljen e luleve të reja dhe përkujdesjen e të vjetrave. Por edhe për të dhuruar, një gjest që flet atëherë kur fjalët nuk mjaftojnë, duke përcjellë dashuri e mirënjohje.

Në Prizren, në qytetin e zambakut autokton, lulet vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e festave dhe gëzimeve.

Besnike Aliaj me profesion agronome, prej gjashtë vitesh i është përkushtuar biznesit të luleve. Gjatë punës së saj ajo ka zbuluar edhe “sekretet” e tyre.

“Që nga koha e lashtë është trashëguar edhe një mit për buqetat e luleve. Kur dhuron për raste gëzimi buqeta duhet të ketë lule që kur i mbledh të jenë numër tek, ndërsa në raste mortore bëhet numër çift” tregon Besnike ndërsa përgatit një buqetë me lule që do të dhurohen për ditëlindje.

Sipas agronomes nga Prizreni dhurimi i një luleje nuk është vetëm shprehje e emocioneve, por secila prej tyre e ka një kuptim. Po ashtu është një kulturë që duhet trashëguar.

“Nuk është më koha për të dhuruar orendi shtëpiake siç kemi bërë më herët. Lulja është më kuptimplotë në çdo rast gëzimi, hidhërimi apo përkushtimi pa datë të caktuar” thotë ajo.

Besnike Aliaj tregon se është gjendur midis ngjyrave dhe aromave të bimëve jo rastësisht.

“Unë lulet i kam pasion që nga fëmijëria. Kur isha e vogël vizatoja gjithmonë lule, ende i vizatoj kur kam kohë të lirë. Por pa e ditur se ekzistonte biznesi i luleve dhe pa i njohur emrat siç i kam mësuar sot edhe në gjuhën latine.”

Gjatë studimeve në degën agronomi, në vitin 2013, universiteti e dërgoi të kryente praktikën pranë një lulishteje dhe aty lindën dy dashuritë e saj: për lulet por edhe bashkëshortin e saj të ardhshëm.

“Jemi njohur mes luleve e aty ka lindur edhe dashuria jonë. Unë kam qenë praktikante në lulishten ku ai punonte. Sot kemi një vajzë 10 vjeçe që angazhohet në bërjen e buqetave. Është rritur rrethuar nga lulet dhe i ka shumë qejf. Është kënaqësi të punojë e gjithë familja. Mbështesim njëri-tjetrin” shprehet Besnike.

Dhurimi i luleve preferohet nga të gjithë. Por djemtë dhe burrat bëjën diferencën duke treguar se është shtuar vlerësimi dhe respekti ndaj grave sipas Besnikes.

“Siç dihet Prizreni njihet për kulturën e luleve. Në vitet e hershme nuk ka patur oborr pa zambakun autokton dhe pa trëndafila. Ka ende që i kultivojnë por sot shohim edhe një interesim të veçantë të rinisë ndaj dhurimit të luleve, nga djemtë më së shumti. Kanë filluar të bëhen më romantikë dhe kjo është një gjë shumë e mirë.Më shumë trëndafila dhurojnë, mbase mendojnë se nuk ka lule të tjera” thotë ajo me humor.

Muaji Mars është periudha më e mirë e vitit për të dekoruar kopshtet, ballkonet apo ambientet e brendshme. Besnike Aliaj na jep disa këshilla se si të përkujdesemi për to.

“Secila lule kërkon kujdesin e vet. Përshembull lule orkidea e ka dheun ndryshe nga lulet e tjera. Rrënjët e saj kërkojnë vazo të tejdukshme, sepse duan ndriçim që të lulëzojnë lulet e saj. Kur rrënjët janë të gjelbra tregon se ka ujë mjaftueshëm. Kur zbardhen duhet ujitur me patjetër. Preferohet të qëndrojë brenda, pranë dritares. E vendos brenda një vazoje tjetër me ujë dhe e lë për gjysëm ore ta thithë ujin dalëngadalë.”

Ata që rendin pas punëve të përditshme dhe nuk kanë kohë t’u përkushtohen luleve, zgjedhin kaktuset sepse një herë në muaj mjafton ujitja për to.

“Edhe san severia ose lule shpati siç i njohim në shqip nuk i nevojitet përkujdesje e madhe“shprehet agronomja.

Për ata që duan lule shumë vjeçare në kopshtin e tyre, ajo u sugjeron krizantemat që vijnë me ngjyra të ndryshme. Edhe dhuratat për moshat e treta janë vazo me kombinime lulesh të ndryshme. Një prej tyre e realizoi posaçërisht për ne duke e demonstruar hap pas hapi.

“Preferoj të kombinoj tre lloje lulesh se nënat tona kanë dëshirë të kenë lule të ndryshme. Rekomandoj ciklaminin, një lloj të lule manushaqes dhe një lule të bardhë. Këto janë lule shumëvjeçare nëse di të kujdesësh siç duhet për to.Ky kombinim me tre lule kërkon një vazo të gjerë. Tashmë edhe vazot nuk kanë më gropa të vogla poshtë për të ndërgjegjësuar në një farë mënyre njerëzit që të mos i ujitin më shumë se ç’duhet. Dheu dhe plehu që përdoren kanë brenda dhe ushqyesit e duhur. Plehu që merret në toka më së shumti preferohet për kopshte pasi për lulet në ambientet e brendshme është shumë i rëndë dhe i djeg.6 muaj pas mbjelljes së sules në vazo, dheu bëhet i varfër dhe ka nevojë për ushyes shtesë që i gjen nëpër dyqane. Ato kanë të shkruar edhe mënyrën e përdorimit. Ujitja nuk është e këshillueshme në periudhën e lulëzimit por kur i kanë mbetur vetëm gjethet.”

Pavarësisht miteve të ndryshme, lulja ka mbetur ndër dhuratat ideale në çfarëdo rasti. Ajo është shprehje e dashurisë dhe kujdesit, nxit ndjenjat pozitive dhe pasurojnë ambientin.