Në historinë e Shqipërisë, malësorët janë karakterizuar ndër të tjera nga besa, rregullat e forta të kanunit, kryengritjeve ndaj çdo pushtuesi. Shkollën e jetës e zhvillonin në odat e kullave ku burrat diskutonin e merrnin vendime të rëndësishme për gjithçka.
Një figurë e ashpër dhe plot forcë në dukje, por që brenda vetes mbart edhe një anë tjetër: ndjeshmërinë, të cilën ua ka nxjerrë në pah një vegël muzikore: lahuta!
Ajo qëndronte e varur në çdo odë malësori. Nuk kishte familje që mos kishte një lahutar. Nëpërmjet saj i jepnin zë bëmave historike, por edhe ngjarjeve të përditshme të jetës.
Sot janë të paktë rapsodët që e ruajnë këtë traditë, tregues i qartë se pas tyre nuk do të ketë kush të bëjë e të luajë në instrumentin më të lashtë shqiptar.
Që e ardhmja të mos e rrezikojë këtë trashëgimi të njerëzimit, UNESCO vendosi ta rendisë në listën e vlerave që duhen ruajtur.
Sot nuk janë më odat e dikurshme, e megjithatë Lulash Pllumi, Pretash Nilaj, Ram Dollapi, Rifat Brati janë ndër ata lahutarë që nuk e kanë harruar traditën e të parëve.
Vazhdojnë të mbajnë në mur instrumentin që bashkëshoqëron tregimin e historive familjare dhe kombëtare, me shpresën se sot do të gjendet mënyra që të ngjallë tek të rinjtë kuriozitetin dhe dëshirën për ta ruajtur këtë thesar shqiptar.
Komente










