SPECIALE/ Mbi 15 mijë fjalë e frazeologji, botohet fjalori që zbërthen veprën e Gjergj Fishtës, Frano Kulli: ‘Çelës’ për kuptimin e vargjeve të Homerit Shqiptar

I pari fjalor pas atij të 1941, që përfshin korpusin e plotë të veprës së shkrimtarit shqiptar të shek. XIX Gjergj Fishta, me mbi 15.000 fjalë dhe frazeologji të rralla ka ardhur së fundi i botuar nga autori Frano Kulli nën emrin “Fjalor i veprës së Fishtës”. Në një rrëfim për Report Tv, Frano Kulli tregon se fjalori është një mundësi për të rrëzuar pretendimin se vepra e poetit është e pakuptueshme për lexuesin.

“E gjithë zeja e fjalës ase e së thanmes pra përmbahet në kta, mbas mendimit t’em qi me pru fjalën me sa ma shumë fuqi, dijeni e ndjesi”. (Gjergj Fishta)

Debati se vargjet e Fishtës kuptohen apo jo, sot merr fund. Kushdo dëshiron të shijoje vargjet e Homerit të Shqipërisë le të marrë në duar këtë fjalor.

Ardhur si botim pas atij të pjesshëm të vitit 1941, të At Benedikt Demës për veprën “Lahuta e Malësisë”, Frano Kulli sjell këtë herë “Fjalor i veprës së Fishtës”, ku përfshihen në shpjegim leksikor korpusi i plotë i veprës letrare dhe publicistike të Gjergj Fishtës.

Mbi 15.000 fjalë të rralla e shprehje frazeologjike të vjetra vijnë për herë të parë të përmbledhura në një fjalor të gjerë shpjegues, si një pasuri gjuhësore që rrëzon diskutimin mbi pretekstin se vepra e poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta është i pakuptueshëm.

“Fjalorin e kemi sjellë para pak muajsh në nëntor të këtij viti. ‘Fjalori i veprës së Fishtës’ është mirëfilli fjalor i veprës letrare. Vetë Fishta, vlerësimin për fjalën letrare e paraqet në një perifrazim të tillë “Fjala letrare vjen prej penës së letrarëve, jo prej pallavrave të tjera”, që do të thotë sepse ai kishte këtë konsideratë që fjalori i veprës letrare është ai i fjalës që ka kaluar në laboratorin krijues të çdo autori. Fishta, veprimtarinë e vet krijuese e ka përgjatë pjesës së parë të shek XX. Në 1905 boton këngën e parë të 'Lahutës së Malësisë', që është dhe kryevepra e vet letrare. Janë rreth 40 vjet krijimtari e pandërprerë letrare, që rrok pothuajse të gjithë gjinitë. Gjurmët që letërsia e tij dhe i gjithë aktiviteti i tij intelektual e atdhetar lënë në Historinë e Letërsisë dhe Historinë Shqiptare është shumë i veçantë dhe i shënuar. Ky ka qenë dhe synimi të sillnim një fjalor të tillë pasi veçoria e këtij autori është ajo ndërprerja, suspanca dhe pezullimi i veprës. Ne dimë që Fishta u ndalua të botohej dhe kjo substancë terri, krijoi dhe një shkëputje të lexuesit për më shumë se 40 vjet”, tha Kulli.

Marrë prej vitesh me studimin e fjalësisë dhe frazeologjisë së poetit shqiptar të shek..XIX, ajo që është konsideruar si shkak për pakuptueshmërinë në veprën e Fishtës, Kulli e cilëson vetëm një pretekst, pasi ky fjalor për të është një çelës e një mundësi për këdo lexues që kërkon të ketë në dorë veprën e tij.

“Për fjalorin e veprës së Fishtës ne kemi edhe dy përpjekje të tjera. At Benedikt Dema bën përpjekjen e parë, në vitin 1941 një vit pas vdekjes së Fishtës. Ai bën një fjalor të ‘Lahutës së Malësisë’ të kryeveprës së tij. Ai fjalor për të arritur deri tek ky i sotmi ka së pari atë distancën kohore…”, vijoi Kulli.

Fjalorthi i gjuhës së vjetër shqipe që gjendet në veprën e Fishtës është një pasuri, ku nuk mungojnë as neologjizmat (motnue), emrat e vendeve dhe personazheve historikë e mitologjikë.

“Ky fjalor që kemi në dorë tani ka mbi rreth 5000-6700 fjalë dhe po kaq shprehje frazeologjike. Por, në atë punë paraprake të cilat kanë filluar mjaft vite përpara unë kam mbi 15.000 zëra, që pasi i kam hulumtuar, krahasuar rreth nevojës së përdorimit të tyre dhe vjeljes së bërë  kam kuptuar se duhet t’i rikthehem edhe njëherë asaj lëndës të mënjanuar se prapë ka fjalë të tjera dhe shprehje frazeologjike të cilat janë themeli i vlerës letrare të veprës që la dhe ia vlen t’i sillen lexuesit”, u shpreh botuesi.

Frat françeskan, shkrimtar, përkthyes për Kullin, Fishta për kontributin që la në kohën që jetoi ishte një folklorist, një poet që më shumë se sa “Lahuta e Malësisë”, me eposin e tij dhe gjuhën e pasur u bë një figurë mbizotësuese në letërsinë shqipe për më shumë se gjysëm shekulli deri në kohën kur vepra e tij u ndalua nga regjimi komunist.

“Në atë marrëdhënien e botuesit me lexuesin unë kam kuptuar prej kohësh një lloj shqetësimi që Fishta është i pakuptueshëm, nuk mund të lexohet, e ka gjuhën të rëndë. Këtu për mendimin tim ka pasur një shkak dhe kjo është ndërpreja për një kohë të gjatë, mungesa e kontaktit të autorit me lexuesin ka krijuar diferencat e veta. Në kuptimin që fjalori shumë i pasur Fishtës atëherë, dhe fjalori mjaft  i varfër të lexuesit sot.  Kjo, diskordancë, kjo mospërputhje është shkak i cili do ezauruar dhe këtë kam pasur si synimin e parë, për të arritur tek ajo që ta bëjmë Fishtën një çelës leximi, përmes një fjalori”, thekson ai.

Për Kullin është e paarsyeshme që vepra satirike e një poeti të rëndësishëm si Fishta të zërë një vend të vogël sot në kurrikulat shkollore, ndërsa kërkon një rritje të mbështetjes dhë vëmëndjes institucionale.

“Vetëm 'Lahuta e Malësisë', kryevepra e tij nga viti ‘90 e këtej numëron 16 ose 17 edicione botimi në forma të ndryshme. Kjo do të thotë që e gjithë vepra tanimë është në dispozicion të lexuesit, por, problemi është sa vepra e botuar që gjendet fizikisht sa shkon ajo, tek lexuesi. Fishta, sot në kurrikulat shkollore zë një vend minor, domethënë aq pak orë ka në shkollat e mesme të Shqipërisë, Fishta sa mund të krahasohet me një poet minor. Kjo është e pafalshme dhe kjo lidhet me entet zyrtare. Unë mendoj që këtu ka vend për qortim për Ministrinë e Arsimit. Ende me burokracinë shtetërore, se Fishta është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të kohërave dhe patjetër duhet të shkojë në shkolla”, tha Kulli.

I vlerësuar si Homeri shqiptar, me veprat e tij epike e satirike si “Lahuta e Malësisë”, “Gomari i Babatasit” Gjergj Fishta lindi në tetor të 1871 në Fishtë të Zadrimës ndërsa u nda nga jeta në dhjetor të 1940. Vepra e tij u ndalua të qarkullonte për më shumë se 4 dekada gjatë periudhës së komunizmit, por krijimtaria e tij la një gjurmë të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe të shek, të XIX.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit