Nga kalldrëmet e vjetra të Prizrenit deri te shtigjet e ashpra të Pashtrikut, sezoni i ri turistik në jug të Kosovës këtë vit po vjen ndryshe. Ky rajon po dëshmon se turizmi nuk është thjesht një industri e numrave, por një ndërthurje e gjallë e kulturës, kujtesës së luftës dhe aventurës.
Në mëngjesin e hershëm, rrugët e Prizrenit mbushen me turistë që ndalen para Lidhjes Shqiptare, ecin përgjatë lumit Lumbardh dhe fotografojnë shtëpitë karakteristike me çati të vjetra.
Por këtë fundjavë, fokusi i shumë turistëve dhe sportistëve u zhvendos plotësisht drejt bjeshkëve të Pashtrikut.
Mbi 200 motoristë nga Kosova dhe Shqipëria morën pjesë në aktivitetin “Shtegu i Lirisë”, i organizuar nga Shoqata e Motoristëve të Hasit “Enduro Pashtriku”, në bashkëpunim me OVL-UÇK në Has.
"Kemi ardhur për të nderuar këtë organizim. Është një sport që e duam... Kështu që më shumë është për respekt të dëshmorëvë, të rënëve të luftës...” shprehet Neridan Krasniqi, motorist nga Komuna Shtimë.
Qindra motorë filluan ngjitjen në shtegun malor që lidh Kushninin me majat e ashpra të malit. Zhurma e motorëve përzihet me erën e fortë të lartësive dhe me historinë e rëndë që mbart kjo zonë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Për shumë prej tyre, ky udhëtim nuk është thjesht një aventurë sportive fundjave, por një rikthim simbolik në rrugët ku gjatë viteve 1998–1999, luftëtarët e UÇK-së bartnin armatime nga Shqipëria drejt Kosovës.
Në këtë rrugëtim të gjatë, takon djem nga të gjitha anët e Kosovës e Shqipërisë. Për disa është hera e parë që sfidojnë këto lartësi, ndërsa të tjerë e kanë kthyer këtë sport në një mision të përjavshëm për të nderuar historinë.
"Është hera e parë që marr pjesë. Jemi pesë shokë që dalim çdo të diel nga anët tona. Sot kemi ardhur për këtë ngjarje. Jezercën kemi pikë kryesore të daljeve tona. Në Shqipëri nuk kam ardhur ende. Jam i ri në këtë sport, gati 3 vjet." tregon motorist Fadil Saliu nga Komuna Shtimë.
Sporti i motorëve enduro në Kosovë ka ardhur relativisht vonë, por po avancohet me hapa të shpejtë. Ata që e frekuentojnë rregullisht, kërkojnë gjithmonë e më shumë sfida në majat më të larta të trojeve shqiptare, ku terrenet kodrinore dhe malore ofrojnë adrenalinën që nuk paguhet me para.
"Eventet i frekuentojmë shumë për t’i dhënë hov këtij sporti. Është sport shumë i mirë, jemi përpjekur të avancojmë çdo ditë e më shumë, ndonëse tek ne në Kosovë ka ardhur shumë vonë. Deri më sot, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni i kemi përshkuar pothuajse të gjitha bjeshkët e larta, se ato japin më shumë adrenalinë, kanë sfidë më shumë. Zakonisht organizohemi me shokë të tjerë nga Kosova.” shprehet Krenar Krivoça, motorist nga Kamenica e Kosovës.
Përtej aspektit historik, motorizmi enduro është një sfidë e pastër me vetveten dhe natyrën, ku adrenalina arrin kulmin në çdo kthesë të rrezikshme.
Të ngjitësh majat e ashpra të Pashtrikut mbi dy rrota do të thotë të kontrollosh frikën, të menaxhosh forcën e motorit në terrene ku balta, gurët e lëvizshëm dhe pjerrësitë ekstreme të testojnë në çdo sekondë. Ndjesia e lirisë absolute kur pushton një lartësi të panjohur, rrahjet e shpejta të zemrës dhe hovi që merr trupi kur mposht një pengesë të pakalueshme, krijojnë një varësi pozitive që vetëm ky sport mund ta falë.
“Adrenalinë më së shumti ka destinacioni nga Valbona në Theth, në majën e Korabit, Gjeravicës... Para dy viteve patëm një udhëtim interesant nga Dragashi deri në Gjirokastër... Na humbi GPS dhe nuk dinim të orientoheshim. Megjithatë ia dolëm. Mesazhi im është: të jenë të kujdesshëm, mos ta ngasin pa pajisjet përkatëse", tregon Krenar Krivoça, motorist.
Kjo trashëgimi dhe ky pasion po kalon me shpejtësi te brezi i ri. Të rinjtë po u bashkohen këtyre organizimeve duke kuptuar se me vullnet dhe sakrificë mund të mposhtet çdo terren i vështirë.
"Ky pasion lindi që nga fëmijëria dhe sot kam motorin tim privat. Para 4 viteve në majën e Lubotenit ka qenë udhëtimi im i parë... Është një sport i veçantë, ka adrenalinë por ka edhe rreziqe. Kam pasur rreziqe e aksidente, por dëshirën për motorin nuk e kam ndaluar. Në të tilla organizime është kënaqësi shumë e madhe të bashkohesh me shokët", shprehet 22-vjeçari Relin Kërçeli.
"Jam 23 vjeç, para një viti kam filluar këtë sport, e kam patur pasion nga fëmijëria. Eksperiencë nuk kam, por kam përjetuar adrenalinën e garës. Jam ndjerë shumë mirë. Kujtdo që i pëlqen ky sport ta vazhdojë. Mos ndalen, me sakrificë dhe mundi ia del në gjithçka",thotë Albion Vllasi, një rjetër motorist.
Për komunitetin e motoristëve, rëndësia e këtij organizimi shkon përtej pasionit për shpejtësinë. Është një formë e gjallë e respektit për ata që dhanë gjithçka për këtë tokë.
“Ata që ngasin motorrin e dinë se çfarë do të thotë... me asfalte rrugësh jemi lodhur boll... e rëndësishme është të dalësh për të hequr stresin e përditshmërisë", shprehet Neridan Krasniqi.
Në lartësitë e Pashtrikut, te pika kufitare 14, udhëtimi i adrenalinës dhe zhurma e motorëve ndalet. Këtu, historia vazhdon të jetojë e paprekur në kujtesën e atyre që kanë përjetuar tmerret dhe lavdinë e luftës. Ish-luftëtari i UÇK-së, Luan Çoçaj, kujton ditët kur këto shtigje malore përdoreshin vetëm nën errësirën e natës për furnizimin e luftëtarëve me armatime, ndërsa përballë kishin pozicionet e blinduara ushtarake serbe. Ai tregon se terreni ishte jashtëzakonisht i vështirë, por dëshira për liri ishte shumë më e fortë se frika nga vdekja.
Pak më tej, në një nga majat më të larta, qëndron ende Kulla e Vrojtimit të kufirit, e ndërtuar para viteve ’90. Dikur një simbol i frikshëm i izolimit, i ndarjes së dhunshme dhe kontrollit të rreptë ushtarak mes Shqipërisë komuniste dhe ish-Jugosllavisë, sot ajo ka një fat krejt tjetër. Kjo kullë tashmë vizitohet nga turistë, alpinistë dhe adhurues të aventurës. Nga aty, ku dikur mund të të kushtonte jetën po të shkelje, sot hapet një pamje madhështore e të gjithë kufirit malor, ndërsa vizitorët ndalen për fotografi dhe për të dëgjuar rrëfimet e banorëve të zonës.
Ky sport dhe ky pasion po bëhen ura më e fortë e bashkimit mes njerëzve nga të dyja anët e kufirit, duke krijuar miqësi të reja që thyejnë çdo pengesë gjeografike.
“Kujtdo që i pëlqen ky sport ta vazhdojë. Mos ndalen, me sakrificë dhe mundi ia del në gjithçka”, është mesazhi i Albion Vllasit, motorist nga Kamenica e Kosovës.
Prizreni me historinë e tij të gjallë dhe Pashtriku me harresën që nuk erdhi kurrë, po shkruajnë një identitet të ri. Një identitet ku plagët e djeshme janë kthyer në shtigjet e së nesërmes, dhe ku historia, natyra e aventura bashkohen në një rrëfim të vetëm.
Komente





