Speciale/ Nga kyçia e stadiumeve, kriza ekonomike dhe infektimet në futboll, si sporti më i dashur në botë mposhti koronavirusin

Fillimi i muajit mars ishte i trishtë për gjithë botën, por më së shumti për kontinentin e vjetër, Europën. Duke nisur nga vendet më të zhvilluara, të cilat me radhë mbyllën kufinjtë, fluturimet, aktivitet jetësore dhe njerëzit në shtëpi. Gjendja paraqitej pezmatuese, pasi tashmë brenda katër mureve nuk kishte më për të parë as sport e as art, asgjë, pasi vëmendja ishte te një vend i vetëm: mbijetesa!

Të mendohej për futboll tashmë ishte disi e tëpërt. Pas vendimit që të luhej pa tifozë u kalua në një tjetër ekstrem, ndërprerja për një datë të pacaktuar të kampionateve. Si një nga vendet më te prekura nga COVID-19, me datë 9 mars kryeministri i Italisë Guiseppe Conte lajmëroi ndërprerjen e çdo aktiviteti sportiv, përfshirë edhe Seria A, si një ndër 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës.

Data 9 ishte e hënë, ndërkohë që java solli shumë lajmërime të trishta. Pas vetes Seria A tërhoqi edhe shumë liga të rëndësishme. Më 12 mars për shak të pandemisë La Liga i vendosi kyçin futbollit, ndërsa në të njëjtën datë e njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri, pas disa ndeshjeve pa tifozë.

E premtja e datës 13 mars ishte më e tmerrshmja. Si të mos mjaftonte njoftimi i Premier League dhe League 1, dorëzohet edhe UEFA, e cila bën me dije se zyrtarisht kompeticionet Champions League dhe Europa League mbyllen këtu për një datë të pacaktuar. Deri në atë moment UEFA këmbëngulte pamasë që pavarësisht koronavirusit topi të rrotullohej. Ulja e armëve prej saj pritej të ndiqej nga shumë federata. Dhe skishte sitë ndodhte ndryshe, teksa më 16 mars, e fundit në këtë betëjë, u dorëzua edhe Bundesliga gjermane.

Bomba e vërtetë do të ndodhte më 17 mars, teksa gjatë një takimi me 55 federata Europiane UEFA vendosi shtyrjen me një vit të kampionatit Europian 2020. Me këtë vendim vera në kontinetin e vjetër dukej se do të ishte e thatë dhe jo vetëm për shkak të motit.

Ditët që do të pasonin do të ishim më shumë se të vështira. Tashmë në skenë dilnin gjithmonë e më shumë skenarë të tipit të ndërprerjes përfundimtare, që frikësonin të gjithë aktorët e futbollit, por edhe futbolldashësit që mungesa e ndeshjeve ua plogështonte akoma më shumë situatën.

Mërzia dhe trishtimi i la vendin infektimeve në radhët e futbollit. I pari që ra në kontakt me COVID-19 ishte futbollisti i Juventusit Daniele Rugani, më tej emra të njohur si Matuidi e Dybala. Me ditët shtoheshin shumë edhe rastet e reja, teksa klubet më të prekura u bënë Sampdoria në Itali dhe Valencia në Spanjë. Fatmirësisht përtej frikës nuk pati pasoja në jetë.

Teksa dita ditës zbuloheshin raste të reja në skenë doli edhe një problem tjetër i panegociueshëm, kriza ekonomike që preku klubet. Mungesa e ndeshjeve nuk sillte më publik në shkallët e stadiumit, tifozët nuk hapnin më televizionin për të ndjekur lojën më të dashur në botë. Në këto kushte klubet u përballën me humbje monstruoze, ndaj me rradhë i kërkuan futbollistëve të tyre rishikim të pagës. Vende vende pati kompromis, ku shembull u bënë futbollistët e Juventusit, ndërsa stoikë mbetën ata të Premier League, me futbollistët që nuk negociuan.

E gjithë kjo situatë nuk kaloi pa bërë kurban, teksa ajo që e pësoi ishte një nga pesë kampionatet më kryesore në Europë, Ligue 1. Qeveria franceze vendosi të mos lejohej asnjë aktivitet sportiv deri në fillim të shtatorit, ç’ka solli automatikisht mbylljen e kampionatit. Shumë irritime nga klubet, të cilat vendosën të kundërshtojnë, por tani asgjë nuk mund të kthehej mbrapsht. Në këto kushte Paris SG u shpall kampione, pasi ishte e para në momentin kur kampionati u ndërpre përkohësisht.

Por pas shiut sigurisht që ka diell. U desh disa ditë, shumë nerva, shumë ankth dhe kishte shumë pasiguri, por në Gjermani filloi të flitej për një protokoll shëndetësor, i cili mund të rikthente në jetë Bundesligën, në një kohë kur në asnjë vend të Europës kjo nuk mendohej. Nga hipotezë kjo filloi të merrte jetë kur qeveria gjermane e aprovoi dhe më tej diskutimet u shtuan. Tani jo më për të ndërprerë përfundimisht kampionatin, por për të rifilluar aktvitetin dhe për t’i thënë botës se futbolli fitoi, ai e mposhti koronavirusin. Gjithsesi që kjo të ndodhte duhet të kalonte dhe pak kohë, ndërkohë hapi tejet pozitiv ishte rikthimi i futbollistëve në stërvitje.

Gëzimi më i madh për futbollin në Gjermani, por edhe më gjerë, do të vinte pak ditë më vonë kur kancelarja Angela Merkel njoftoi se nga 1 maji ndër të tjera do të lejoheshin edhe aktivitetet futbollistike. Në këtë situatë federata dhe liga e Bundesligës morën situatën në dorë. Lajmi i madh erdhi: më 16 maj Bundesliga do të niste aty ku e kishte lënë. Nga ky moment u deshën dy javë, kohë e cila mezi u prit nga tifozët, të cilët edhe pse nuk do të shkonin në stadium do mund ti merrnin emocionet nga televizioni. Pak ditë para se skuadrat të zbrisnin në fushë vëmendjen e mori edhe protokolli i masave.

Ishte rënë dakord që për të luajtur skuadrat do të vinin në stadium me më shumë se një autobus, futbollistët do të ishin me maska. Numri i gazetërve do të ishte i reduktuar, topat të dezinfektuar, nuk do të kishte takim mes futbollistëve, skuadrat do të kalonin në tunel me radhë, pa maskotë dhe pa shumë detaje të tjera, por më e rëndësishme se të gjitha ishte rikthimi i futbollit.

Me 16 maj të gjithë ishin para televizionit, sa për të parë se si ishte futbolli në periudhën e koronavirusit dhe sa për ndjerë sërish emocione. Por etja për futboll ishte e madhe dhe këtë e treguan matjet. Bundesliga theu rekord shikueshmërie në momentin që skuadrat zbritën në fushë. E gjithë Europa por edhe më tej vëmendjen në këtë moment e patën te Bundesliga, që nuk zhgënjeu. Një status i Ibrahimovic-t tregon gjithçka: “Ata e thanë, ata e bënë, faleminderit Gjermani.”

Rifillimi i Bundesligës nuk entuziazmoi vetëm tifozët, por edhe ligat e tjera të cilat nga pesimizmi për ta ndërprerë kampionatin nisën tratativat me qeveritë për rifillimin e tij. Në shumë vende fillimisht ashtu si në gjermani u miratua protokolli shëndetësor nga ana e autoriteveve.

Pas më shumë se dy javësh ishte radha e Premier League për të dalë me një datë zyrtare për rifillimin e kampionatit. Liverpool, që thuajse i ka mbyllur llogaritë për titullin kampion, nuk mund ta fitonte atë pas 30 vitesh me një kampionat të ndërprerë, dhe mbi të gjitha kjo i gëzoi më shumë ata. Liga e këtij kampionati vendosi datën 20 qershor për të mbyllur 8 javët e mbetura, ndërkohë që futbolli do të nisë që me 17 qershor, për shkak të dy ndeshjeve të prapambetura, që plotësojnë javën e 30 të kampionatit.

Po në të njëjtën ditë lajmi i shumëpritur erdhi edhe nga Italia, aty ku qeveria më në fund dha miratimin për zhvillimin e ndeshjeve, po në 20 qershor. Ashtu sin ë Angli, edhe në Itali topi do rrotullohet më herët se kjo datë. Më 13 dhe 14 qershor do të luhen dy gjysmëfinalet e Kupës, më pas finalja më 17 dhe më tej rikthimi i kampionatit, me 12 javë të mbetura. Gëzon më së shumti Lazio, e cila këtë sezon ka pretendime për titullin. Në Itali mbetet një verë e ethshme.

E fundit që zyrtarisht doli me një datë për rifillimin e kampionatit ishte La Liga. Spanjollët vendosën që topi të rrotullhet sërish duke filluar nga data 11 qershor, por e veçantë ë këtij kampionati është se po mendohet që ndeshjet të luhen çdo ditë. Ashtu si në Seria A edhe në La Liga pritet një verë me shumë emocione, pasi vendi i parë me vendin e dytë, që mbahen përkatësisht nga Barcelona dhe Real Madrid, ndahen vetëm me dy pikë.

Për të gjithë kampionatet në Europë Uefa ka lënë afat përfundimtar datën 2 gusht, ndërsa më pas do të vendoset se çfarë do të ndodhë me Kupat Europiane. Ky vendim i rëndësishëm do të merret me 17 qershor kur UEFA të mbajë një takim, por ideja është që Champions dhe Europa League të luhen përgjatë gjithë muajit gusht, duke filluar pas datës 2. Nëse do të ketë ndryshime apo jo në formulë kjo do të vendoset me 17, por me 99% të mundësive kompeticionet Europiane do të na shoqërojnë në muajin gusht.

Lajmet e mira dhe shenjat për mposhtjen e koronavirusit nuk janë vetëm këto. Ishte Alaksandër Ceferin që gjatë majit njoftoi se shumë shpejt do të ketë një lajm të mirë për tifozët. Dhe ajo çfarë donte të thonte presidenti i UEFA-s kishte të bënte me rikthimin e tifozëve në stadiume. Kjo nuk mbeti vetëm një hipotezë, pasi tashmë është zyrtare se Premier League rusë, e cila do të nisë me 21 qershor, do ta ringrejë siprain me tifozë. Në çdo ndeshje do të 10% e kapacitetit të stadiumit të mbushur, ndërsa këtë rrugë po tentojnë ta ndjekin Kroacia, Greqia, Anglia, Serbia, e shumë vende të tjera.

Futbolli nuk ka kuptim pa tifozët dhe kjo nuk ha diskutim. Tashmë askush nuk po pret vendimin për të rifilluar, por që lojtari i 12 të kthehet në stadiume. Deri në këtë moment le të shijojmë magjinë e topit, e lojës më të dashur në botë, që do na shoqërojë përgjatë gjithë verës. 

Ne.k./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki