Speciale/ Prodhimet e vjeshtës me çmime të kripura në tregun e dimrit

Prodhimet e vjeshtës 2023 u përballën jo vetëm me kapriçot e motit, por edhe me mungesën e fuqisë punëtore.

Mungesa e punëtorëve, la ullinjtë në pemë

Ullinjtë kanë mbetur në pemë në plantacione e Qesaratit dhe të Krahësit në Bashkinë e Memaliajt.  Me dhjetëra hektarë me ullinj e ka bërë këtë zonë më prodhueset e vajit të ullirit mirëpo këtë vit kanë mbetur pa u vjelë.

“Ullinj kanë mbjellë njerëzit por nuk I përballojnë se këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Këtë vit është rrit pazari i vajit. Tek ne njerëz nuk ka nuk gjen forca punëtore se ka ikur rinia. Kanë mbetur pa vjelur. Mungesa e fuqisë punëtore është problem, ata që kanë mbetur kërkojnë 30-40 mijë në ditë. Fuqia punëtore 50 vjeç e lart, mos të themi që s’ka fare. Po ikin njerëzit. Kemi mbi 10 ha ullishte, kostoja shkon e lartë. Fuqia punëtore këtu vetëm gratë kanë mbetur dhe e kanë problem për ti mbledhur”.-thanë fermerët.

Ndërsa kryetari i Njësisë Administrative Qesarat tha se shqetësim mbetet infrastruktura rrugore.

“Është një shqetësim i drejtë në të gjitha qendrat administrative. Vjet kishte prodhim dhe nuk u shit vaji. Sivjet gjithë rinia ka emigruar, ka prodhimtari ulliri por jo si vjet dhe është problem vjelja. S’ka fuqi punëtore dhe do mbetet pa vjel. Ata punëtore që janë kërkojnë para shumë. Ky është shqetësim I madh. Shumë parcela s’kanë rrugë për të vajtur makineria. Pa rrugë s’kanë ku e çojnë prodhimin.”- Budjan Kapa.

Fermerët thanë se këtë vit çmimi i vajit të ullirit do të dyfishohet, diktuar nga fabrikat, të cilat marrin 10 mijë lek për të përpunuar në vaj 1 kuintal ullinj.

“Çmimi i vajit nuk varet nga neve. Varet nga fabrika, nga grumbullimi”.-tha një fermer.

Një vit më parë vaji i ullirit me shumicë shitej me 450 lek për litër, ndërsa këtë vit shkon deri në 1 mijë lek për litër.

Edhe në Troshan të Lezhës fermerët ankohen për mungesën e fuqisë punëtore. Ndonëse këtë vit ata janë më të kënaqur me sasinë e prodhimit të ullinjve, ndryshe nga shumë zona të tjera të vendit, pamundësi për t’i vjelë i ka demoralizuar.

‘Po unë i kam ndejt gati me spërkatje dhe me ujitje. Jam i kënaqur me prodhimin, por nuk ka kush e vjel. Të rinjtë kanë ikur në emigrim”, tha fermeri Gjon Lazri.

Ndërsa fermeri, Preç Ndoj komenton mungesën e prodhimit ne zona te tjera.

“Kam dëgjuar për ata që ankohen se s’ka prodhim por kjo vjen nga mungesa e shërbimeve. kur nuk e sheh pemën për 12 muaj dhe shkon veç në vjeshtë për ta vjel, ai nuk bën kokrra. Ne jemi të kënaqur me prodhimin sepse ne i bëjmë shërbim të vazhdueshëm”.

Falë prodhimit të bollshëm, çmimi i vajit të ullirit mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. Aktualisht po tregtohet nga 400 deri në 600 lek për litër, në varësi të cilësisë.

Kultivimi i ullinjve në Troshan të Lezhës është një tradite e hershme, ku numërohen rreth 50 mije rrënjë.

Ka nisur sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullinjve edhe në Cakran të Fierit, një ndër zonat më të njohura për këtë kulturë ku gjenden 450 mijë ullinj.

Këtë vit prodhimi është 30 % më i ulet nga viti i kaluar, ç’ka pritet të çojë në rritjen e çmimit si për vajin ashtu dhe për ullinjtë e tryezës.

“Prodhimi është i dobët për shkak të thatësirës, por duket se do ketë çmim të mirë”, tha një fermer.

“Unë kam 750 rrënjë ullinj. Vjet e kam shitur lirë vajin por këtë vit do të pres derisa të shkojë 700 lek/litër e lart! Nuk e jap në tregun vendas do të pres të vijnë grumbulluesit italianë”, tha një fermer.

Kamera e Report TV ndoqi nga afër procesin e prodhimit të vajit në një prej fabrikave të Cakranit. Ulliri i papërpunuar po shitet me 100 deri në 130 lek për kg sipas varieteteve.

“Këtu në Cakran ka disa varietete Kalinjot, Koronea, etj. Për shembull Kalinjoti me shumicë është 130 lek/kg, të tjerët me 100 lek për kg”.

Ndërsa çmimi për vajin ende nuk është përcaktuar por mund të shkojë deri në 800 lek për litër.

“Çmimi i vajit mund te shkoje 800 lek për litër për arsye se ka pak ullinj”, tha pronari i fabrikës, Kujtim Mustafaraj.

Edhe në Lushnje, prodhimi i pakët i ullinjve ka çuar direkt në rritjen e çmimit të vajit.

Fermerët e zonës kodrinore 80% të tokës e kanë të mbjellë me ullinj. Të ardhurat kryesore ata i sigurojnë nga shitja e vajit dhe ullinjve për tryezës.

 Kushtet ekstreme të motit këtë vit bujqësor kanë ulur ndjeshëm rendimentin. Përveç prodhimit të paktë, kultivuesit e ullirit përballen edhe me probleme të tjera siç janë rritja e imputeve bujqësore mungesa e fuqisë punëtore për vjeljen apo dhe kosto e lartë e mekanikës bujqësore.

Megjithëse cilësia e vajit është mjaft e mirë kjo nuk justifikon çmimin e lartë të tregtimit që aktualisht është 700 lekë për litër.

“Vjet kishte shumë prodhim, sivjet është për të dëshiruar. Rendimenti me të vjetshmen është gjysmë për gjysmë. Vjet vajin e kam shitur me 4 mijë lek, këtë vit ende skam bërë vaj, por do shkojë 7-8 mijë lek (të vjetra) për litër”, thanë ata.

Pozitiv është fakti se fermerët kanë shitur të gjithë vajin e prodhuar vitin e kaluar të cilin e kishin të magazinuar, kjo pasi u shtuan eksportet me Italinë.

Në 2022-shin pati mbiprodhim në mbarë vendin, ku sipas Ministrisë së Bujqësisë u eksportuan 1 400 ton vaj ulliri.

Shega, fruti i artë i vjeshtës kalbet në degë

Ndër frutat e arta të vjeshtës është edhe shega. E njohur për vlerat ushqyese, antioksidant i fuqishëm që përmban vitamina dhe kontribues i mirëfunksionimit të organizmit të njeriut.

Në Lezhë e pritën me këngë e valle vjeljen e saj, një frut mjaft i kultivuar në këtë zonë.

Fillimisht është gjetur në natyrën e egër, por tashmë kultivohet nga fermerët duke zgjeruar dhe përdorimin në restorante.

“Bëjnë aperitiv me shegë, si dhe e përdorim në sallatëra, në djath, etj”, thanë disa kuzhiniere.

Në Lezhë kultivohen rreth 120 hektarë shegë, Tokat e Fishtës në Njësinë Administrative Blinisht të Lezhës janë kthyer në plantacione me shegë. 

 Kjo frutikulturë është kultivuar masivisht në këtë fshat dhe Zef Fugaj është njëri prej fermerëve që ka mbjellë 450 rrënjë. Kërkesa për shegën si brenda ashtu dhe jashtë vendit e nxiti të investojë 5 vite më parë dhe brenda një kohë të shkurtër doli në prodhim.

“Ky fidan ka ardhur nga Italia. Ka cilësi të mirë, shega është ëmbël. Investimi më ka shkuar rreth 5 mijë euro, por jam pak i zhgënjyer”, u shpreh Zef Fugaj.

Këtë vit prodhimi është i bollshëm, por problem mbetet mungesa e tregut. Fermeri thotë se pjesa më e madhe shegëve po kalben pa u vjelë.

“Tregu nuk është i sigurt. Këtu vijnë tregtarët dhe e kërkojnë me çmim nën kosto. Përfitim nga shteti nuk kemi”, tha më tej ai.

Në Fishtë janë kultivuar rreth 6 hektarë tokë me frutikulturën e shegës, ndërsa çmimi varion nga 80 deri në 120 për kilogram.

‘Kapriçot’ e motit dëmtojnë patatet dhe mollët

Ditët e para të dhjetorit kultivuesit e patates së vjeshtës në Divjakë përfituan nga përmirësimi i motit për të vjelë prodhimin.

Moti i paqëndrueshëm, me thatësirë të tej zgjatur, shira të rrëmbyeshëm gjatë muajve tetor-nëntor, e kanë penalizuar prodhimin e këtij sezoni.

Rendimenti i ulët, i cili është 50% më pak se një vit më parë dhe çmimi 40 deri në 45 lekë për kilogram bën që fermerët të mos nxjerrin fitime, por të mbulojnë vetëm koston e prodhimit.

'Rendimenti është shumë i dobët për arsye se farërat moti, çdo gjë nga pak ndikojnë në prodhimin e patates. Çmimi i lartë i karburantit që e nxjerrë me kosto shumë të lartë. Tregu, që do vuajmë për ta shitur si gjithmonë me çmime shumë të ulëta. Patatja sot varion me çmim 40-45 lekë për kg. Shumë çmim i ulët nuk mbulon shpenzimin e vet.'- u shpreh një fermer.

Këtë sezon fermerët kanë mbjellë rreth 300 hektarë me patate.

'Shumë i ulët prodhimi. Arsyet janë moti i keq. Toka është e plehëruar me pleh organik. Me ujë që si mungon. Çmimi me 45 lekë.'- tha një fermer.

Kushtet klimatike dhe zgjedhja e kultivarëve të përshtatshme bën që Divjaka të jetë e vetmja zonë në vend që mbjell patate dy herë brenda një viti. Dëmi më i madh fermerëve iu bë gjatë muajit tetor.

Shiu i dendur shoqëruar me stuhi e dëmtoi kulturën e patates në fushat e Divjakës.  Për shkak të strukturës ranore të tokës, kokrrat e patates, ende në zhvillim dolën në sipërfaqe. Shumë degë e lastarë u thyen nga era e fortë.

Ndaj të tilla fatkeqësive natyrore fermerët u dorëzuan.

“Po detyrohemi t’i mbulojmë me dhe se ato jeshilosen nga dielli dhe prishen” thotë fermeri.

“Karrotën e pataten i ka dëmtuar më shumë. Bujqësia kështu është, ‘bujqësi pa çati’ tregon një tjetër.

“Prodhimin nuk kemi mundësi ta sigurojmë në kompanitë e sigurimit. Na ka bërë dëme shumë, ka zbuluar kokrrat. Nuk presim rendiment këtë vit dhe as ndihmë, veç jemi me sytë nga Zoti”, thanë ata.

Ndërsa për karrotën që aktualisht është në vjelje, fermerët thanë se “s’ka shitje, pasi grosistët kanë futur në treg karrotën e importuar nga Turqia”.

Për shkak të motit të papërshtatshëm këtë vit bujqësor u shkatërruan edhe qindra hektarë tokë të mbjella me mollë në qarkun Korçë. Ndryshe nga fermerët e patates në Divjakë, fermerët korçarë kërkuan kompesim dëmeve.

“Shteti duhet të ndihmojë këta fermerë. Mollët kanë qenë në pjekje ndaj dëmi është 95 për qind”, tha Bujar Muço nënkryetar i shoqatës.

Kjo protestë erdhi në vazhdën e shumë reagimeve nga fermerët të cilët u shprehën të zhgënjyer nga heshtja e institucioneve.

“Nëse nuk na ndihmojnë do ikim andej nga kemi qenë në Greqi. Ne kështu jemi të mbaruar. Dëmi është 100 për qind. Kisha 1.8 ha me mollë, prodhimi është zero”, thanë ata.

Ndonëse fermerëve iu premtua se do të vlerësohet kërkesa e tyre, është fakt që në frigoriferët e juglindjes ka shumë pak sasi molle të ruajtur në to, që do të thotë se konsumatorët do të përballen me një çmim më të lartë në tregjet e fund vitit.

Dyfish më e shtrenjtë fasulja e re e Korçës

Dyfishim të çmimit ka edhe fasulja e re Korçës këtë vit. Edhe këto të ndikuara nga moti i moti i paqëndrueshëm.

 Drejtori i Bujqësisë në bashkinë e Maliqit, Arben Dulellari thotë se reshjet e para të shiut dhe temperatura mbi 30 gradë celsius gjatë verës, dëmtuan fazën e parë të prodhimit të fasules.

“Këtë vit prodhimi i fasules ka qenë më i pakët, për shkak të kushteve atmosferike. Në kohën e pranverës, temperaturat ishin të ulëta, ç’ka solli sëmundje në këtë kulturë”, tha Arben Dulellari, Drejtori i Bujqësisë Maliq.

Por sipas Dulellarit një faktorë tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimit lidhet me faktin se një pjesë e prodhimit shkon për eksport.

“Vitin e kaluar ka qenë 250 lek/ kg, këtë vit ka shkuar 500-600 lek për kg”, tha Arben Dulellari, Drejtori i Bujqësisë Maliq.

Oli Bregasi një prej fermerëve të fshatit Orman tregon se prodhimi këtë vit ishte më i pakët, por megjithatë fasulja e zonës kërkohet më shumë në treg.

Këtë vit çmimi i fasuleve të reja në Korçë varion nga 250 lekë në 600 lekë për kg, megjithëse fusha e Maliqit është kultivuesi më i madh i kësaj kulture në rang qarku me një sipërfaqe prej 180 ha të mbjellë.

Gështenjat, luksi i tryezës shqiptare

Gështenjat këtë vit kanë pasur fat të dyfishtë. Diku prodhimi i tyre është tkurrur e diku tjetër ka gjetur tregun e dëshiruar të kultivuesve.

Në Labinot Mal, zona e mbuluar nga arrorët, gështenjat kanë nisur të mblidhen nga banorët.

Për ta prodhimi i sivjetshëm nuk është i mbarë. Thonë se ka ndikuar thatësira dhe mungesa e spërkatjes për insektin që dëmton këtë frut.

“Thatësira dhe mungesa e spërkatjes, do mjete ta spërkatësh. 100 mijë lek kg. I çojmë poshtë në Elbasan”, tha një banor.

“Prodhimi është i dobët. Arsyet e natyrës. 100 lek për kg”, u shpreh një tjetër.

Fermerët udhëtojnë çdo ditë drejt tregut në Elbasan, ku shesin gështenjat me 100-1500 lek për kg me çmim shumice.  Rënia e prodhimit ka çuar në rritjen e çmimit.

 “Kam 3 parcela me gështenja. S'ka sivjet dobët shumë. Vapa klima, ujë fare. Tregu mire është se ka pak sasi. I çojmë vete e bëjmë vete transportin. Kemi gështenja dhe domate”, tha një fermer.

“Parcelat janë ndarë sipas trojeve të gjyshërve. Prodhimi i dobët dhe me krimba sepse ka mbajtur thatësirë. Kam 10 rrënjë. Çmimi është i mirë por prodhimi është i pakët. Shkojmë në Elbasan vijnë tregtarët. Sipas cilësisë është dhe çmimi”.

 “Do ikin të rinjtë ca do bëjnë këtu. Ku janë të ardhurat. Drejt shkatërrimit jo drejt ikjes"

Në 10 fshatrat e Njësisë Administrative Labinot Mal jetojnë 150 familje, të cilat e kanë bazuar ekonominë tek kultivimi dhe shitja e gështenjave. Sipas statistikave të bashkisë në vitin 2022 u prodhuan 300 ton gështenja.

Ndryshe nga situata në Labinot Mal, gështenja e Pogradecit e ka siguruar tregun.

Madje kultivuesit kanë festuar periudhën e të vjelave.

Me 700 hektarë gështenja në masivet pyjore, Pogradeci është ndër zonat e njohura për prodhimtarinë e lartë të frutit të vjeshtës.

“Dalim në mëngjes në mal, e mbledhim në tokë, e pastrojmë e seleksionojmë. 30-40 kile mbledh një person në ditë. Çmimi për këto të voglat me 70 lek/kg, të mirat variojnë nga 150 deri në 200 lek për kg. Prodhimi këtë vit është shumë i mirë. Treg sa të duash! E grumbullon njëri këtu nga Pogradeci se është i lidhur me Italinë është lidhur. Nuk ka pasur probleme për të shitur këtë vit”, tha Festim Çoçka, fermer.

Ndryshe nga vitet e tjera, gështenja e Pogradecit nuk ka mbetur stok, madje po shitet me çmim 20 për qind më të lartë se vitin e kaluar. Me shumicë gështenja e cilësisë së parë shitet me 200 lek për kg, cilësia e dytë 150 lek për kg dhe e treta me 70 lek për kg. Kjo e fundit shkon kryesisht për industrinë e përpunimit.

Specialisti i Zonave të Mbrojtura, Gani Bego tha për Report TV se gështenja e Pogradecit eksportohet gjerësisht në Itali.

Në Pogradec operojnë tre kompani që grumbullojnë gështenjën nga banorët e zonës dhe e eksportojnë në shtetet e BE, kryesisht Itali. Ndërsa një sasi më e vogël shitet me pakicë në tregun vendas.

Pikërisht në këtë treg, shitet me 400-500 lek/kg. Ka konsumatorë në Tiranë që e shohin si frut luksi.

“Gështenjat janë katastrofë. Nuk i kam provuar për këtë vit.”

Në një prej tregjeve të fruta perimeve në kryeqytet, ankesat e blerësve vijnë edhe për çmimet e artikujve të tjerë.

“Nuk janë të përballueshme. Domatja p.sh shkon deri 150 lekë.”

“Ne pensionistët, të dënuar ishim në kohën e Enverit , të dënuar mbetëm, të dënuar do mbesim. Me 15 mijë lekë pension do të vij unë këtu kot. Dola kot me ec me heq mendjen.”

“Frutat , zarzavatet janë të shtrenjta. Patatja , domatja , qepa, këto i kam të përditshme unë. Shumë të shtrenjta”

“Unë burrë dhe grua jemi në shtëpi dhe e përballojmë. Kam ndryshim nga të tjerët se unë jam kuzhinier dhe konsumoj te puna. Në shtëpi me gruan jam.”

“Qytetarët normal i duan sa më lirë”- tha një tregtar.

Në fund, më të fituarit në tregun e fruta perimeve rezultojnë importuesit. Prodhuesit vendas dalin me humbje, ndërsa tregtarët shohin leverdinë e grupit të produkteve që ecin. Ky zinxhir bie në kurriz të konsumatorëve shqiptarë të cilët sipas indeksit të çmimeve publikuar nga INSTAT, në muajin tetor kanë paguar 21,2% më shumë se një vit më parë për zarzavatet.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'