Ishte viti 1972. Në prag festash të ndrrimit të viteve, një mjek i ri përfundon specializimet si obsteter gjinekolog në Tiranë dhe rikthehet në vendlindjen e tij, në Lezhë.
“Dua të them se jam në grupin e 64 gjinekolgeve të parë të Shqipërisë, fati më i mire i imi ishte se duke qenë gjInekolog i vetem kisha dhe njëfarë dëshire dhe një endërr që maternitetin ta ktheja në një monument lindje dhe njerezit të kënaqeshin me shërbimin", tregon obsteter-gjinekologu Zefaj.
Ky do të ishte një fillim i ri për maternitetin dhe shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë së rrethit të Lezhës.
Spitali i parë në rrethin e Lezhës i projektuar si i tillë daton në prill të vitit 1968. Spitali kishte repartet e pathologjisë, e Pediatrisë dhe të Maternitetit. Po në këtë vit filloi të funksiononte edhe reparti i kirurgjisë, po ashtu edhe shërbimi i Radiologjise, Pneumo-ftiziatrisë dhe Laboratorit.
Kur doktor Zefi bëhet pjesë e personelit mjekësor gjen një ambient me 14 shtretër dhe grup mamish nën drejtimin e Syri Lohjes. Ajo dhe Zyhra Gjebrea ishin pasuese të punës së mamisë së parë Fatime Myshketa e cila priti lindjen e parë tek Materniteti Lezhë në muajin Korrik të vitit 1948.
“Mamitë ishin të përgatitura dhe përgjesisht ishin shumë korrekte dhe shumë të rregullta.Kam mësuar prej mamive jashtëzakonisht shumë si mjek i ri që isha, njëkohësisht isha dhe gjinekolog kirurg edhe mësoja edhe i mësoja.” tregon doktor Zefi.
Atë vit u njoh edhe me mjekun Shyqyri Haxhia. ndër të parët kirurgë të qytetit. Doktor Zefi asistoi në sallën e hapur të kirurgjisë ku tregon edhe mënyrën se si bëheshin operacionet e kohës.
Deri në vitet 1983, materniteti i Lezhës u përball me fluks lindjesh aq sa po bëheshin të pabërballueshme e nënat e reja po shtroheshin nëpër korridore pasi kryenin lindjen. Doktor Zefi tregon se në atë periudhë në Lezhë ishin vendosur familje nga marina shqiptare, aviacioni civil e luftarak, nga shumë reparte ushtarake. Gjithashtu nisi punën Fabrika e letrës, Në Lezhë pati dyndje popullsie e kulturash. Për doktor Zefin ishte koha e ndryshimeve edhe për spitalin e Lezhës.
Kërkues për të përqafuar më të rejat e mjekësisë së kohës, në vitin 1975 doktor Zefi kishte dërguar për specializim, një ndër mjekët më të mirë të Lezhës, Zef Delija i cili më vonë do të ishte një ndër obstëtr gjinekologët më të mirë në vend. Ekipit të tij i bashkohet edhe një profesionist tjetër, Gjergji Theodhosi, të cilin e dërguan në Lezhë pasi bababi i tij, ministri i industrisë dhe minierave, Koço Theodhosi u akuzua nga regjimi si sabotator në vitin 1975 dhe u pushkatua bashkë me zv.kryeministrin Abdyl Këllezi. Të tre së bashku, mblidheshin dhe konsultonin çdo rast para se të merrnin një vendim.
Falë kërkesës së Doktor Zefit dhe aprovimit nga ministri i shëndetësisë së kohës, Hajri Alushani, në vitin 1985 u ndërtua materniteti i ri në Lezhë, me standard të barabartë me Tiranën që i shërbente jo vetëm qarkut të Lezhës, por edhe zonave të veriut të Shqipërisë.
Doktor Zefi i dha përmasa të tjera shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës. Nga 3 maternitete që kishte Lezha, u bënë 16, nga 8 mami e infermiere u bënë 88 në vitin 1975.
Me ndryshimin e sistemit, doktor Zefi u fokusua edhe në ndryshimet pozitive që duhet të pësonte sistemi shëndetësisë në Lezhë. Kreu specializime të shumta jashtë vendit të cilat i vinte në zbatim.
"Shumë shpejt krijuam një standart të barabarte me Tiranen në Lezhë. Kjo falë punës tonë të cilët merrëshin pjesë rregullisht në përgatitjet e temave shkencore. Pra një gjë e re dilte në Tiranë të nesërmen vihej në zbatim në Lezhë dhe në vitin 1985 ndërtuam maternitetin e ri.Sipas statistikave që kam llogarit deri në vitin 2010 kur kam dalë në pension, kanë linduar 43 mijë fëmijë.”
Në vitet 1990, Arben Ristani dhe Llesh Marku ishin dy të sapo diplomuar në fakultetin e mjekësisë. Deri në atë kohë ata vetëm kishin dëgjuar histori të shumta për doktorin që bënte të pamundurën të mundur.
“Doktor Zefin unë e shoh si një legjendë të spitalit të Lezhës. Ishte një ndër 10 mjekët më të mirë të Shqipërisë për obstetër-gjinekolog.” tregon mjeku Arben Ristani.
Është për t`u theksuar se deri në vitin 1997, dr. Zefi dhe ekipi i tij shëndetësor, ka kryer në periudha dhe kohë të ndryshme, rreth 100 lindje jashtë mjedisit spitalor, në kushte të vështira të terrenit, në zonat malore dhe fshatrat e thella të rajonit të Lezhës.
“Ai ka punuar me vitet të tëra në rrethin e Lezhës. Janë kthyer si gojëdhëna aktivitetet që ka kryer. Dihet që është detyruar të shkojë në shumë zona të Shqipërisë, ku nuk kishte salla lindjeje. Ishin vite shumë të vështira vitet ’70, ai ka operuar në kushte shumë të vështira, madje në kushte shtëpie, gjëra që sot nuk arrihen të imagjinohen.” tregon doktor Llesh Marku.
Dy mjekët tregojnë se njohja me doktor Zefin ndikoi dukshëm në punën e tyre. Sot pas më shumë se 35 vitesh, për ta Zef Zefaj ëshë një legjendë e mjekësisë shqiptare, bëmat e të cilit janë ndër më frymëzueset.
“Mbaj mend shumë ngjarje, të pazakonta për kohën e sotme. Ka pasur raste kaq të vështira, sa jemi detyruar në mes të natës, përpara se të futemi në operacion të dhurojmë gjak. I pari ishte doktor Zefi. Dhuronte gjak dhe pastaj futej në sallë. Vetmohim dhe humanizëm shumë I madh që e ka patur gjithmonë në punën e tij” tregon doktor Llesh Marku.
Doktor Zefi kishte një dorë kirurgu të lindur. Vetë mjekët kujtojnë ndërhyrjet e suksesshme dhe të shpejta që për kohën ishin shumë të rralla. Ishte i shpejtë, i guximshëm dhe bashkëpunues në punën e tij. Mbi të gjitha ai përqafonte shpejt të renë për të sjellë metodat më të fundit në mjekësi.
“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë lindje me anestezi masive spinale. E kemi futur në Shqipëri në vitet 1996-1997. Kemi qenë gjithashtu të parë për lindjet pa dhimbje, përdorimin e anestezisë për aborte të cilën vetëm një klinikë private filloi ta bënte pas viteve 2000.”
Mos përdorimi i antibiotikëve pas operacionit, ishte një tjetër risi që kujton mjeku Arben Ristani gjatë bashkëpunimit të gjatë me doktor Zefin.
“Shpejtësia, guximi dhe shkathtësia e dorës së doktor Zefit ishin mbresëlënëse. Një operacion që përfundon shpejt, merr më pak substanca anestetike dhe gjatë kohës së anestezisë duke ditur që rezistenca e trupit është zero, pra infesksionet mund të zhvillohen shumë shpejt, duke shkurtuar kohën e operacionit i sëmuri kishte më pak rrezik për infeksione post-operative.”
Spitali i Lezhës në vitet 96-98 u mor në provim si spital “Mik i Fëmijëve” dhe e fitoi këtë titull si i 192 – ti në Europë dhe i pari në Shqipëri. Vlen të theksohet, se iniciativa e tyre për ta përpunuar fëmijën e porsalindur në barkun e nënës, për ta lënë fëmijën 24 orë pranë nënës, për të asistuar edhe babai në lindje, për ta ushqyer atë vetëm me gji, bëri që materniteti i Lezhës të jetë një shkollë kombëtare gjinekologjike për këtë novacion.
“Deri në vitin ‘90 mund të kem patur 3 vdekje të grave jo në operacion por përpara. Nga ‘91 deri në vitin 2010 nuk kam patur asnjë vdekje" shprehet doktor Zefi.
Periudhë e errët dhe shumë e vështirë ishte viti 1997 edhe për ekipin mjekësor të maternitetit të Lezhës. Doktor Zefi dhe mjeku anestezist Ndue Simoni, sot në pension janë dëshmitarë të tjetërsimit të njerëzve në atë kohë, madje edhe të atyre që i konsideronin miq.
"’97 ka qenë shumë e tmerrshme. Ne i merrshim bombulat e oksigjenit prej katit parë dhe i nxirrnim në sallë të operacionit për të bërë narkozen. Para grave nuk kishim frikë, por para njerëzve mbarë kishim frikë. Ishin njerëz që ju kishim bërë shumë ndere, filluan të na kërcënonin. Mbaj mend një person i cili ka hyre me pushkë në sallë të operacionit, duke qëlluar me automatik. Arsyeja ishte se nuk donin të operonin gruan, por ne nuk mund të linim gruan me vdek dhe me vdek edhe fëmija”, tregon doktor Zefi.
Rrugëtimi i doktor Zefit në maternitetin e Lezhës do të ndërpritej në vitet 2009-2010. Drejtori i ri që u emërua në atë kohë, vendosi ta nxjerrë në pension.
Operacionin e tij të fundit e kreu në vitin 2022, 50 vite pas fillimit të rrugëtimit mjekësor në Lezhë. Ishte një ditë e veçantë për doktor Zefin jo vetëm si mjeku që priti fëmijën e fundit të karrierës së tij, por edhe si gjyshi që solli në jetë nipin.
Sot nuk operon më por vazhdon të shkojë çdo ditë në klinikë e tij private pranë shtëpisë. Shpresoi se djemtë do ta ndiqnin udhën e tij, por njëri zgjodhi të bëhej farmacost e tjetri inxhinier kompjuterash. Për doktorin klinika u shndërrua në vendin që i jepte kuptim jetës së tij.
Në sytë e doktor Zefit mjekësia ka përparuar shumë ditët e sotme ndërsa lindjet janë pakësuar. Shkak sipas tij janë kequshqyerja, jeta sedentare, përdorimi I duhanit, alkoolit e drogës e veçanërisht bashkëjetesa e gjatë e çifteve që e shtyjnë vendimin për të sjellë në jetë një fëmijë.
Dëshira që çdo çift të ketë një fëmijë, nuk është e rastësishme. Ai rikthehet shpesh në shtëpinë ku ngjizi ëndrra për t’u bërë mjek.
"Kam patur një enderr të imponuar nga nëna ime, pasi ishte shumë bukëdhënse.Kishte një dëshirë shumë të madhe që çdo kush të bënte fëmije.Fakti që doja që çdo çift të kishte një fëmije kur nisa si mjek në Lezhë, për herë të parë solla një aparat të prishur me parë tubat e grave. Kam shkuar e kam bërë në torno kaniulen dhe me të kam vepruar, ku ju hapesha tubat dhe shumë gra kanë bërë fëmije.U krijua një monument në Lezhë, një opinion që këtu gjen shërbim dhe këtu vinim edhe nga qytete të tjera.”
Doktor Zefi lindi në fshatin Tresh të Lezhës në gusht të vitit 1946. Sic pohon ai vet, gjyshërit e tij kanë ardhur nga Mirdita këtu e 300 vite më parë. Mbeti pa baba që në moshën 4 vjeç, kur iu vra pabesisht nga bandat që iu sulën në vitet e para të clirimit Shqipërisë, duke mbetur dëshmor i atdheut.
Nëna e Zefit, Mrika, ishte bijë e një familje mjekësh popullorë të Bulgjerit të Rubikut, të cilët me mundësitë dhe kushtet që ofronte koha, u shërbenin njerëzve me përkushtim të plotë dhe me dijet e tyre mjekësore popullore. Ishte ajo që e edukoi me dashurinë për njeriun, me humanzimin dhe shpirtin e madh të sakrificës.
Shyqyr pame lajme per njerez te mire se vetem kronike te zeze degjojme. Urime
Përgjigju