Teuta i ka nisur me këmbën e mbarë finalet e “play-off-it” në basketboll për meshkuj pasi ka mposhtur me rezultatin 84-88 Goga Basket. Në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” ndeshja prodhoi shumë emocione dhe u luajt në një prezencë të madhe tifozësh, ndërsa për të përcaktuar fituesin u nevojit edhe koha shtesë.
Teuta e nisi mjaft mirë takimin duke qenë mjaft e shpejtë dhe duke treguar karakter në parket, ndërsa në harkun e pak minutave krijoi një distancë +11 pikë nga Goga Basket. Edhe në vijim skuadra e Teutës kishte epërsi ndaj kundërshtarit dhe ashtu siç pritej, vetëm në peroidën e dytë, Goga Basket nisi rikuperimin.
Trepikëshat ishin në modë në këtë fraksion loje ku Dokoviç për Gogën dhe Braun për Teutën dhuruan spektakël. Më pas u mbyll 44-44, ndërsa pas pushimit Goga kërkon shkëputjen dhe arrin ta gjejë. Kur mbetën edhe pak sekonda lojë u krijua përshtypja se vendasit do të fitonin finalen e parë, por një trepikësh në ekstrem nga Uilson për Teutën barazoi gjithçka në 76-76.
Në fillim të kohës shtesë Goga Basket ishte sërish dominuese, por në vijim Teuta tregoi edhe një herë shpirtin luftarak duke triumfuar në fund 84-88. Kaq në finalen e parë, ndërsa sfida e kthimit që gjithashtu premton spektakël do të luhet më 8 maj në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’ në Durrës.