Standard & Poor’s: Shtyrja e përsëritur e negociatave ndikon tek reformat për dy vendet

Standard & Poor’s: Shtyrja e përsëritur e negociatave ndikon tek reformat për dy vendet

Agjencia e njohur ndërkombëtare e vlerësimit financiar  Standard & Poor’s deklaroi sot se vendimi i 18 tetorit i Këshillit Europian për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka të ngjarë të ketë pasoja të kufizuara afatshkurtra ekonomike, por mund të rëndojë edhe mbi angazhimet për reformat afatgjata të të dy vendeve.

”Ne vërejmë një trend pozitiv të reformës në të dy vendet në vitet e fundit në përputhje me aspiratat e tyre të pranimit”, thotë në raportin e vet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut  Standard&Poor’s. ”Kjo është në të vërtetë hera e dytë që Këshilli Europian ka shtyrë bisedimet në 2019 pas një vendimi të ngjashëm në qershor.

Sipas rezolutës së miratuar, Këshilli në vijim do të marrë në konsideratë zgjerimin para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj të vitit 2020. Kjo ndryshon nga pritshmërinë tona të mëparshme sipas së cilës BE do të vendoste të hapë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut këtë vit, pasi ta kishte njohur përparim thelbësor në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së saj për emrin me Greqinë.

Për mendimin tonë, shtyrja e përsëritur e vendimit për hapjen e bisedimeve të pranimit në fund të fundit mund të jetë e dëmshme për cilësinë e hartimit të politikave ekonomike në të dy vendet. Bisedimet e pranimit zakonisht veprojnë si një spirancë reforme me vendet kandidate që zbatojnë ndryshime strukturore që ndryshe mund të jenë të vështira për t’u zbatuar për arsye politike të brendshme.

Ky, për shembull, ishte rasti i Reformës Gjyqësore të Shqipërisë në vitin 2016, të cilën politikëbërësit e miratuan me perspektivën e përparimit të mëtejshëm në rrugën e pranimit në BE. Kjo ishte një nga reformat më të rëndësishme strukturore në vend në 10 vitet e fundit, që synonte luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit dhe përfundimisht përmirësimin e “shtetit të së drejtës” dhe mjedisit të biznesit.

Aktualisht nuk presim që ky proces të ndikojë në dinamikën e ekonomisë afatshkurtër, megjithëse rreziqet do të mbesin, siç vihet re edhe në ndikimin më të fundit të pasigurisë politike në rritje pas zgjedhjeve.

Bisedimet e pranimit janë një procedurë e gjatë dhe reformat e miratuara në këtë proces zakonisht prodhojnë rezultate pozitive vetëm për një afat të gjatë, siç shihet me vendet e tjera. Ne ruajmë parashikimin tonë të rritjes ekonomike për vitin 2019 me 3% për Maqedoninë e Veriut dhe 3,5% për Shqipërinë.

Përkatësisht, nuk ka asnjë ndikim në vlerësimet tona sovrane për Maqedoninë e Veriut (BB-/E Qëndrueshme/B) për Shqipërinë (B+/E qëndrueshme/B)”, përfundon Standard&Poor’s.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja