Sterilizimi/ GJKKO: Koncesioni i paracaktuar 2 vite para miratimit! Shkëlqim Cani i përfshirë, i miratoi Beqajt financimin, që më parë e refuzoi! Manipulim të shifrave

Për Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një tjetër ish ministër është personazh i rëndësishëm në dosjen e sterilizimit, për të cilën SPAK tashmë është në hetime intensive. Në vendimin e siguruar nga Report Tv GJKKO thotë se ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka shkelur ligjin, pasi i shtyrë nga ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka miratuar financimin e koncesionit ndërkohë që më parë  e kishte refuzuar pas kishte mangësi në dokumentacionin e studimit të fizibilitetit.

“Nuk rezulton që Studimi i Fizibilitetit të jetë ndryshuar dhe miratuar ndonjë ndryshim pas refuzimit nga Ministria e Financave. Ndodhur në këto kushte, kur jemi përpara të njëjtit Studim Fizibiliteti mbetet e paqartë se ҫfarë e bëri të ndryshonte mendim Ministrin e Financave z.Sh. C. vetëm 1 muaj e 15 ditë më vonë, duke e miratuar në parim propozimin për financim”

Gjykata çmon se, Ilir Beqaj, në cilësinë e  ish Ministrit të Shëndetësisë, në miratimin e studimit të fizibilitetit dhe paraqitjen më pas për miratim në Ministrinë e Financave, si dhe ish Ministri i Financave Shkëlqim Cani në dhënien e miratimit paraprak për financimin e koncesionit me të sterilizimit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore.

GJKKO thotë se nëse nga ana e Shkëlqim Canit dhe personave në varësit të tij (në mënyrë hierarkike)  do të ishin ushtruar kompetencat në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, nuk do të ishte shkaktuar dëmi ekonomik 460 mln lekë për vitin 2017, dhe rreth 302 mln lekë për vitin 2018. 

“Ish Ministri i Financave z. Sh. C. ka ndihmuar në realizimin e qëllimit kriminal të personit nën hetim I.B. dhe vartësve të tij (personat nën hetim në të njëjtin procedim) për vijim e dhënies së konçesionit të sterilizimit në kundërshtim me ligjin fituesve të paracaktuar. Në rastin konkret personi nën hetim I.B. ka shërbyer si shtytës ndërsa z.Sh. C. në rolin e ndihmësit”

Kujtojmë se Cani nuk është një prej personave ndaj të cilëve është marrë masë sigurie apo të akuzohet nga prokurori i SPAK Edvin Kondilli për dosjen e sterilizimit.

Në dosjen e siguruar nga Report TV, GJKKO evidenton faktin se Beqaj dhe zv. i tij Klodjan Rjepaj e kishte paracaktuar sterilizimin dhe kishin nisur punën që në 2013-n për koncesionin e dhënë dy vite më vonë, në interes të Ilir Rrapajt dhe shtetasit italian Umberto Staccini.

“Gjykata çmon se ish Ministri i Shëndetësisë z. I. B. në bashkëpunim me personin nën hetim K.R. e kishin marrë vendimin për dhënin e shërbimit të sterilizimin me koncesion si dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do të fitonte këtë koncesion që ishte personi nën hetim I.R. dhe shtetasi italian U.S., duke filluar përgatitjet për këtë qëllim që në vitin 2013 dhe finalizuar në muajin Dhjetor 2015 me nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit”

Për Gjykatën koncesioni solli pasoja të rënda në buxhetin e shtetit, ndërsa kostot u rritën në mënyrë fiktive. Madje GJKKO veçon një moment kur dyshohet se për të rritur në mënyrë fiktive kostot e sterilizimit në zërat për këtë shërbim janë futur në vitin 2013 edhe shifra mbi 283 mln lekë të reja e cila ka shkuar për blerjen e materialeve shëndetësore dhe ilaçeve.

“Shuma 283, 287, 369.55 lekë, e futur si zë e kostos së sterilizimit të seteve kirurgjikale për QSUT-në për vitin 2013 dhe e përllogaritur në vlerën e kostos totale të QSUT-së prej 502, 233, 399 lekë (fleta 92 e Studimit të Fizibilitetit), rezulton se nuk është kosto për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, por është kosto e furnizimit me medikamente dhe materiale mjekësore QË NUK ËSHTË PJESË E SHËRBIMIT TË DHËNË ME KONÇENSION. Të dhënat e Studimit të Fizibilitetit sipërcituar i janë dërguar Ministrisë së Financave me shkresën Nr. 3082/8 datë 10.10.2014 të Ministrit të Shëndetësisë’

Në vendim GJKKO thotë se për Ilir Beqajn duhej të ishte kërkuar nga prokuroria masë më e rëndë sigurie pasi sipas gjykatës shfaq rrezikshmëri shoqërore dhe ka dyshime se ai mund t’i shmanget gjykimit dhe dënimit. 

“Masat e kërkuara nga prokuroria për personin nën hetim I.B. konkretisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, Gjykata i konsideron jo proporcionale në raport me rrezikshmërinë e theksuar të faktit, pasojave që kanë ardhur në rastin konkret dhe mënyrës se si ka vepruar personi nën hetim në procedurën e konҫesionit. Roli, përgjegjësia dhe intesitetit i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim I.B. është më i madh se i personave nën hetim K. R. dhe I.R. për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar që ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore. Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore

Nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit , pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

'Koncesioni i Sterilizimit', personat nën hetim dhe masat e sigurisë

Ilir Beqaj  - Ish ministri i Shëndetësisë - 'detyrim me paraqitje' - 18 Nentor 2023-  Akuzohet për "Shpërdorim detyre' në bashkëpunim.
Arrest me burg prej 17 gushtit 2023
Klodjan Rjepaj – ish zv/ministri i Shëndetësisë, - Akuzohet për "Shpërdorim detyre" “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim
Ilir Rrapaj - Biznesmen -  Akuzohet për "Mashtrim"-
Arrest shtepie prej 17 gushtit 2023
Saimir Kadiu –drejtori ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë -   Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'
Marsela Serjanaj - drejtoreshë juridike në  Ministrinë e Shëndetësisë, -   Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'
Detyrim me paraqitje prej 17 gushtit 2023
Arben Gjata  - shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë 'detyrim me paraqitje'  -  Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'
Naile Ajazi -   Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'
Genc Byrazeri  -  Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'
Petro Mersini - Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor   -  Akuzohet për 'falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre'

Shenim: Vendimi është marrë i anonimizuar sipas ligjit për të drejtën e informimit.
Në zhvillimet më poshtë gjeni detaje të tjera nga vendimi i GJKKO-se për caktimin e masës së sigurisë, ndaj Ilir Beqajt 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
Sterilizimi/ GJKKO: Shkëlqim Cani shkeli ligjin kur i miratoi Beqajt të njëjtin studim fizibiliteti, që më parë e refuzoi! U shty nga Beqaj, ka vepruar me dashje

1700823123_beqajcani.jpg

Në vendimin e GJKKO për konfirmimin e masës ndaj Ilir Beqajt, e siguruar nga Report Tv, gjykata evidenton faktin se më datë 27 nëntor 2014 ministri i atëhershëm i Financave, Shkëlqim Cani, i ka kthyer përgjigje ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe e ka refuzuar miratimin e koncesionit për shkak se sipas shkresës studimi i fizibilitetit kishte mangësi në dokumentacion.  

“Referuar VKM nr. 575/2013 "Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat", (neni 9) vetëm projektet, që plotësojnë të gjitha kushtet e përcaktuara në këtë nen mund të vijojnë me paraqitjen për miratim në Ministrinë e Financave në rast kërkesë për mbështetje financiare. Evidentojmë këtu faktin që studimi i fizibilitetit është i pashoqëruar me argumentimin e Autoritetit Kontraktor për dhënien me konçesion/partneritet publik privat, i cili duhet të tregojë përmbushjen e kushteve të parashikuara në nenin 9 të VKM nr. 575/2013. Sjellim në vëmendjen tuaj, se një nga elementet, që duhet të përmbajë rezultati i studimit të fizibilitet është të tregojë se: alternativa përmes së cilës është parashikuar të përfundojë projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncesion/PPP është më e dobishme në krahasim me alternativën e dhënies së një kontrate prokurimi publik.

Në përmbajtjen e studimit të fizibilitetit, konstatojmë se nuk kemi një argumentim të qartë në lidhje me analizën e zhvilluar për arritjen në konkluzionin që koncesioni/PPP është procedurë ekonomikisht më e favorshme se prokurimi publik si dhe treguesit që janë vlerësuar në përputhje me parashikimet e bëra në VKM nr. 575/2013. Kjo analizë krahasuese duhet të realizohet në mënyrë të qartë dhe të dallueshme për secilin shërbim të parashikuar për t'u dhënë me koncesion/PPP”, thuhet në shkresën e Canit.

Gjykata thotë në vendim se nga provat e administruara rezulton se, nga Ministri i Shëndetësisë është paraqitur i njëjti Studim i Fizibilitetit i cili ishte refuzuar më parë për financim nga Ministria e Financave, pasi nuk ka një argumentim të qartë në lidhje me analizën e zhvilluar për arritjen në konkluzionin që koncesioni/PPP është procedurë ekonomikisht më e favorshme se prokurimi public, si dhe treguesit që janë vlerësuar në përputhje me parashikimet e bëra në VKM nr. 575/2013. Ndërkohë që pas ridërgimit Cani e miratoi.

“Gjithashtu, nuk rezulton që Studimi i Fizibilitetit të jetë ndryshuar dhe miratuar ndonjë ndryshim pasi refuzimit nga Ministria e Financave. Ndodhur në këto kushte, kur jemi përpara të njëjtit Studim Fizibiliteti mbetet e paqartë se ҫfarë e bëri të ndryshonte mendim Ministrin e Financave z.Sh. C. vetëm 1 muaj e 15 ditë më vonë, duke e miratuar në parim propozimin për financim me shkresën Nr. 16067/3 Prot., datë 12.01.2015. Po ashtu, mbetet e paqartë përgjigja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo shikon dokumentacionin vetëm nga “pikëpamja formale”. Nëse kjo e fundit e shikon dokumentacionin nga pikëpamja formale a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar? Nëse e shikonte dokumentacionin nga pikëpamja formale dhe Studimin i Fizibilitetit ka qenë i njëjtë nga pikëpamja formale pse e refuzoi herën e parë nga pikëpamja e përmbajtjes (thelbësore)?” evidenton dosja e GJKKO.

Gjykata çmon se, Ilir Beqaj, në cilësinë e  ish Ministrit të Shëndetësisë, në miratimin e studimit të fizibilitetit dhe paraqitjen më pas për miratim në Ministrinë e Financave, si dhe ish Ministri i Financave Shkëlqim Cani në dhënien e miratimit paraprak për financimin e konçesionit me të sterilizimit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Gjithashtu, Gjykata çmon të theksojë se nëse nga ana e Shkëlqim Canit dhe personave në varësit të tij (në mënyrë hierarkike)  do të ishin ushtruar kompetencat në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, në rastin konkret nuk do të nuk do të ishte shkaktuar dëmi ekonomik i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vlerat rreth 460, 000,000 lekë për vitin 2017, dhe rreth 302, 000, 000 lekë për vitin 2018. 

“Gjykata çmon të theksojë ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ish Ministrin e Financave Shkëlqim Cani, në rastin konkret ka vepruar me dashje, pasi nuk ka asnjë arsye objektive e të përligjura që për të njëjtin studim fizibiliteti brenda një harku kohor prej 1 muaj e 15 ditë, të ketë dy përgjigje diametralisht të kundërta.

“Ish Ministri i Financave z. Sh. C. ka ndihmuar në realizimin e qëllimit kriminal të personit nën hetim I.B. dhe vartësve të tij (personat nën hetim në të njëjtin procedim) për vijim e dhënies së konçesionit të sterilizimit në kundërshtim me ligjin fituesve të paracaktuar. Në rastin konkret personi nën hetim I.B. ka shërbyer si shtytës ndërsa z.Sh. C. në rolin e ndihmësit”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Ora 10:25
Rritjet fiksive/ Shpenzimet për materiale mjekësore dhe ilaçe u futën si zë në koston e sterizilimit

1700321314_ster.JPG

Në vendimin e GJKKO për Ilir Beqajn thuhet se dyshohet se për të rritur në mënyrë fiktive kostot e sterilizimit në zërat për këtë shërbim janë futur në vitin 2013 edhe shifra mbi 283 mln lekë të reja e cila ka shkuar për blerjen e materialeve shëndetësore dhe ilaçeve.

Pjesë nga vendimi i GJKKO

134. Me shkresën Nr. 842/3 Prot., datë 26.05.2022, dërguar nga Spitali Universitar i Traumës, në lidhje me furnizimin e bllokut operator të traumës me materialet dhe medikamentet mjekësore të listës bashkëlidhur për këtë bllok operator, theksohet se SaniService nuk furnizon bllokun operator të traumës me asnjë nga materialet dhe medikamentet mjekësore të kërkuara.

134. Sa më sipër rezulton se shuma 283, 287, 369.55 lekë, e futur si zë e kostos së sterilizimit të seteve kirurgjikale për QSUT-në për vitin 2013 dhe e përllogaritur në vlerën e kostos totale të QSUT-së prej 502, 233, 399 lekë (fleta 92 e Studimit të Fizibilitetit), rezulton se nuk është kosto për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, por është kosto e furnizimit me medikamente dhe materiale mjekësore QË NUK ËSHTË PJESË E SHËRBIMIT TË DHËNË ME KONÇENSION. Të dhënat e Studimit të Fizibilitetit sipërcituar i janë dërguar Ministrisë së Financave me shkresën Nr. 3082/8 datë 10.10.2014 të Ministrit të Shëndetësisë.

135. Gjithashtu, me shkresën Nr. 3082/16 Prot., datë 17.12.2014, të Ministrit të Shëndetësisë është dërguar informacioni shtesë për dhënien e Konçensionit, ku shpjegohet se në studimin e fizibilitetit janë marrë në konsideratë kostoja vjetore e këtij shërbimi të prokuruar vetëm në QSUT (shih Shtojca 2, Argumentimi për Dhënien e Konçensionit). Ndërkohë, studimi i fizibilitetit (shih Shtojca 2, Krahasuesi i Sektorit Publik) dëshmon se me dhënien e shërbimit PPP kostot për të gjithë spitalet e vendit janë pothuaj të barabarta me kostot aktuale vjetore vetëm për QSUT”. Bashkëlidhur kësaj shkrese janë shtojcat, ku mes tyre dhe Shtojca 2 “Argumentimi për dhënien me Konçension dhe implikimet buxhetore”. Vlera prej 283, 287, 369.55 lekë rezulton të jetë 56.4% e vlerës totale prej 502, 233, 399 lekë llogaritur për QSUT-në për vitin 2013 (referuar dhe përshkruar në fletën 92 të Studimit të Fizibilitetit). Kosto e shërbimit në QSUT për vitin 2013 është llogaritur gjysma e këtij shërbimi për të gjithë vendin, duke  qënë se QSUT kishte pothuajve gjysmën e 50.000 ndërhyrjeve kirurgjikale që kishte gjithë vendi.

Ora 10:07
Koncesioni i Sterilizimit/ Dosja e SPAK: Ndryshimet u bënë vetëm me firmën e Beqajt! Kostot u frynë në mënyrë fiktive

1700813362_ilirbeqaj.jpg

Në dosjen e vendimit të siguruar nga Report Tv thuhet se u frynë në mënyrë fiktive kostot

“Pa kryerjen e analizes teknike dhe ekonomike financiare të saktë me elementët realë përbërëse të tyre, është bërë arsyetimi i vendimit koncensionit/PPP, duke llogaritur në koston e shërbimeve të QSUT-së (si gjysma e kostos së këtij shërbimi për gjithë Shqipërinë), vlerën 502, 233, 399 lekë, ku në këtë vlerë 283, 287, 369.55 lekë ose 56.4% e saj janë barna dhe materialeve mjekësore që nuk janë pjesë e shërbimit. Të dhënat e pasqyrave financiare nuk janë përshkruar dhe analizuar në studimin e fizibilitetit. Pra në krahasuesin e sektorit publik është fryrë në mënyrë fiktive kostoja e sterilizimit në masën 56.4%)" shkruhet në faqen 45 te vendimit

Gjithashtu në faqen 45 renditen dhe fakti që nuk është bërë inventarizim dhe vlerësim, si dhe alizimim teknik dhe financiar

1)      Në pasqyrat financiare nuk ka një analizë të hollësishme të elementëve të kostos për secilin shërbim përbërës të këtij projekti. Në shkresën dt.06.01.2014 ku është kërkuar informacion nga spitalet e vendit nuk janë informuar se ky informacion kërkohet për këtë projekt dhe shërbimet përbërëse të tij.

2)      Nuk është bërë inventarizimi dhe vlerësimi i instrumenteve kirurgjikale dhe pajisjeve të sterilizimit, për të nxjerrë më pas nevojat reale për plotësimin e nevojave ose zëvëndësimin total të tyre.

3)      Nuk është bërë analizimi teknik dhe financiar për vendosjen në punë të Repartit Qëndror të Sterilizimit në QSUT, që ishte i ndërtuar dhe totalisht i investuar me pajije të reja.

Në një nga shkeljet evidentohet në dosje është dhe se ndryshimi i bërë për mbetjet spitalore, bie në kundërshtim me studimin e fizibilitetit të miratuar nga komisioni i dhënies së Koncesionit dhe partneritetit publik/privat, si dhe me pasqyrat financiare bashkëlidhur këtij studimi dhe se ky ndryshim është bërë nga vetëm Ministri i Shëndetësisë

Ndodhur në këto kushte, nuk është dhënë asnjë arsye se pse janë bërë këto ndryshime, me nismën e Autoritetit Kontraktor apo me kërkesë për sqarim nga ndonjë prej operatorëve ekonomikë. Gjithashtu, nuk është bërë asnjë ndryshim në studimin e fizibilitetit, pasqyrat financiare apo në vlerën totale të projektit, në lidhje me parashikimin e çmimeve maksimale të shërbimit, duke qënë se duheshin hequr me ndryshimin e bërë, kostot e parashikuara sipas kategorive të mbetjeve sipërcituar.

Komisioni i dhënies së Konçensionit për këto ndryshime nuk rezulton që të ketë hartuar ndonjë shtojcë në respektim të nenit 21 të Ligjit 125/2013 “Për Konçensionet dhe partneritetin publik privat”, dhe nenin 42 pika 2 dhe 2/1 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.

Kjo për faktin pasi në rastin konkret në thelb kemi të bëjmë me ndryshim të pikës 2.3 të Shtojcës nr. 9 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” dhe pikën 6 të Shtojcës 13 “Termat e referencës”, që janë pjesë e dokumenteve standarte të Konçensionit dhe partneritetit publik/privat. Po ashtu, ndryshimi i dokumenteve standarte të Konçensionit dhe partneritetit publik/privat nuk është hartuar dhe proporizuar ndryshimi nga komisioni i dhënies së Konçensionit që ka bërë dhe përpilimin e dokumenteve standarte të Konçensionit.

Ky ndryshim është bërë nga vetëm Ministri i Shëndetësisë z.I.B. nëpërmjet shkresës Nr. 1440 Prot., datë 20.03.2015 dhe është urdhëruar po publikimeve me Urdhrin Nr. 124, datë 20.03.2015 të po Ministrit të Shëndetësisë z.I.B. Siҫ do të vërehet më poshtë rezulton se kategoritë e mbetjeve janë ndryshuar në të njëjtën formë si në shkresë edhe në studimin e fizibilitetit të gjendur në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, dokument i cili është bërë nga komisioni i dhënies së koncensionit, shkruhet ne faqen 66.

Ora 10:02
'Ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave per PPP respektive!' Emaili që Beqaj dërgoi 1 muaj para se të firmosej koncesioni i sterilizimit

1700321314_ster.JPG

SPAK ka verifikuar dhe  komunikimet e emaileve dhe ajo që ka dalë në dritë është një email që Ilir Beqaj u dërgon vartësve të tij dhe zv/ministrit Klodian Rjepaj për të ndjekur me përparësi përgatitjen e kontratave. Emali është dërguar më 11 tetor  2015

"Nga këqyrja e komunikimeve e-mail, është konstatuar se gjatë kohës që priteshin të bëheshin negociata lidhur hartimin e kontratës ka pasur komunikime me emal midis shetasit I.B., K.R. me persona të tjerë. Kështu, më datë 11.10.2015  shtetasi I.B. nga adresa: xxx i dërgon email shtetasve M. E. dhe K.R., në adresat respektive xxx dhe Klodian. xxx me këtë përmbajtje: “Ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave per PPP respektive”thuhet në dosjen e gjyqtarit që disponon Report tv

Një muaj më pas më datë 10 Dhjetor 2015 Ministria e Shëndësisë, me miratimin e Ministrisë së Financave dhe KPP, ka lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë "San i Service" xxx C me objekt: Dhënie me konçesion "Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale".

Ora 09:34
Vendimi i GJKKO/ Të gjitha pasojat e rënda që solli koncesioni i sterilizimit në buxhetin e shtetit

Në vendimin e GJKKO për masat e sigurisë ndaj Ilir Beqaj, që Report Tv e ka siguruar, Gjykata nënvizon pasojat e rënda të ardhura nga dhënia e koncesionit të sterizilimit. Gjykata thotë sepranimi i ofertës së bashkimit të OE Servizi Italia u bë në vlerën  rreth 3 miliard lekëve të reja mbi vlerën totale të koncesionit. Sipas vendimit  veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçencë, dhe efektivitet për buxhetin e shtetit.

Gjithashtu evidentohet se kontrata u firmos me një vlerë 505 mln lekë më pak nga ajo që kishte oferuar Konçensionari, ndërsa Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar Kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58, 814,793 lekë për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit (deri në muajin Prill 2022 të zbatimit të Kontratës).

Pjesë nga dosja

Pasoja të tepër të rënda në buxhetin e shtetit si vijon: i) pranimi i ofertës së bashkimit të OE Servizi Italia, në vlerën  2, 915, 333, 450 lekë, mbi vlerën totale të koncensionit; ii) Veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçencë, dhe efektivitet për buxhetin e shtetit, në vlerat rreth 460, 000,000 lekë për vitin 2017, dhe rreth 302, 000, 000 lekë për vitin 2018. Pra, kjo është diferenca midis kostos reale nëse do të vihen në funksionim nga shteti në vlerën 96, 000, 000 lekë në vit, më çmimin e faturuar nga koncesionari disa herë më të lartë konkretisht në vlerën 558, 426,000 lekë në vitin 2017 dhe 398, 014,000 lekë në vitin 2018; iii) në ofertë nga bashkimi i operatorëve ekonomik të kryesuar nga Servizi Italia, është paraqitur Plan Biznesi, ku në pikën 6.1 “Investimet”, është paraqitur tabela me të dhënat përkatëse në vlerën totale 2, 008, 894,000 lekë. Ndërkohë në paragrafin 13 të Kontratës Konçensionare, janë parashikuar si investime dhe riinvestime në vlerën totale të përcaktuar në pikën 13.1 në shumën 1, 503, 282, 620 lekë. Komisioni i Dhënies së Konçensionit që ka negociuar kushtet e Kontratës, ndryshe nga sa ka ofruar operatori ekonomik fitues në dokumentet e ofertës në vlerë 2, 008, 894, 000 lekë për investime dhe riinvestime përgjatë periudhës kontraktore, ka pranuar dhe vendosur në Kontratën Konçensionare vetëm vlerën e investimit 1, 503, 282, 620 lekë, me një diferencë prej 505, 611, 380 lekë në favor të Konçensionarit; iv) Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar Kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58, 814,793 lekë për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit (deri në muajin Prill 2022 të zbatimit të Kontratës). Shkelja e mësipërme konfirmohet dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit; v) dëmi ekonomik vijon të shtohet vit pas viti sipas KLSH për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së kontratës dhe kushteve evazive që janë pasqyruar në të; vi) Në rastin konkret personi nën hetim I.B. në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë ka lejuar të jepet koncesioni në vlerën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) për një afat 10 vjeҫar, ndërkohë që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nëse do të ishte vënë në shfrytëzim Qendra e Sterilizimit me pajisje moderne kostua për 10 vite do të ishte 960 000 000 lekë. Pra, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje personi nën hetim I.B. i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerëm 8 697 000 000 Lekë (9 657 000 000 – 960 000 000). Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoj nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë konsto e konҫesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar.

Ora 09:19
Sterilizimi/ Vendimi i GJKKO: Kostot u frynë në mënyrë fiktive, dëm i madh buxhetit të shtetit! Ndryshime me firmë të Beqajt! Koncesionari mori shërbimin jetik pa kapacitetet e duhura

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masat e sigurisë për ish ministrin Ilir Beqaj pasi sipas gjykatës shfaq rrezikshmëri shoqërore dhe ka dyshime se ai mund t’i shmanget gjykimit dhe dënimit.

Në vendimin e GJKKO për masat e sigurisë ndaj Ilir Beqaj, që gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, e ka siguruar, Gjykata nënvizon pasojat e rënda të ardhura nga dhënia e koncesionit të sterizilimit. Gjykata thotë sepranimi i ofertës së bashkimit të OE Servizi Italia u bë në vlerën  rreth 3 miliard lekëve të reja mbi vlerën totale të koncesionit. Sipas vendimit  veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçencë, dhe efektivitet për buxhetin e shtetit.

Gjithashtu evidentohet se kontrata u firmos me një vlerë 505 mln lekë më pak nga ajo që kishte oferuar Konçensionari, ndërsa Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar Kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58, 814,793 lekë për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit (deri në muajin Prill 2022 të zbatimit të Kontratës).

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim i ikjes jashtë vendit’ për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj pasi sipas gjykatës shfaq rrezikshmëri shoqërore dhe ka dyshime se ai mund t’i shmanget gjykimit dhe dënimit..

“Rrezikshmëria e autorit lidhet me rrezikshmërinë e veprës. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se vepra penale është kryer në rrethana rënduese sikurse është kryerja e veprës penale “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe e kryer në “bashkëpunim” parashikuar nga neni 50 gërma “dh” dhe “gj” të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Në vendimin e GJKKO, të siguruar nga Report Tv, për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ për të cilën Beqaj është nën akuzë ligji parashikon një dënim deri në 7 vjet burgim, gjë që paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.  Në vendim GJKKO thotë se duke pasur parasysh rrezikun e dënimit është e domosdoshme që të ketë një masë sigurie ndaj tij.

“Gjykata, vlerëson se në çështjen objekt gjykimi, duke pasur parasysh sanksionin e veprës penale dhe prirjen normale dhe natyrore të çdokujt për gëzimin e lirisë personale ka vend për të dyshuar racionalisht se, personi nën hetim I.B. ka nevojë të sigurohet, për t’i caktuar një masë sigurimi personal, për të garantuar vijimësisht prezencën e të dyshuarit në procedimin penal në ngarkim të tij, si për të siguruar normalitetin e hetimit dhe të gjykimit në çështjen në ngarkim të tij, dhe për të siguruar që ai të mos largohet, të fshihet por t’i nënshtrohet ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit kur vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë”, thuhet në vendim.

Gjykata Kundër Korrupesionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka sugjeruar Prokurorisë së Posaccmë (SPAK) që ta marrë Ilir Beqajn nën hetim jo vetëm për shpërdorim detyre por edhe për falsifikim dokumentesh.

“Ndodhur në këto kushte, Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Këtu duhet theksuar fakti se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, ëshë i gabuar. Për arsyet e cituara në paragrafët 169.25.4, 169.25.4.1 dhe 169.25.4.1 të këtij vendimi, Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, evidentohet në vendimin e GJKKO të siguruar nga Report Tv.

Për GJKKO masat e sigurisë të kërkuara nga prokuroria janë jo proporcionale me rrezikshmërinë që shfaq i akuzuari, dhe duhet të kishte kërkuar arrest me burg. Madje GJKKO thotë se intensiteti i shkeljeve të Ilir Beqajt është më i madh sesa ai i të akuzuarve të tjerë, Klodjan Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj.

“Rëndësia e faktit” dhe “sanksionit që mundë të caktohet” parashikuar nga neni 229 i K.Pr.Penale për personin nën hetim I.B. të jetë më madhe nga ajo e vlerësuar nga prokuroria. Masat e kërkuara nga prokuroria për personin nën hetim I.B. konkretisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, Gjykata i konsideron jo proporcionale në raport me rrezikshmërinë e theksuar të faktit, pasojave që kanë ardhur në rastin konkret dhe mënyrës se si ka vepruar personi nën hetim në procedurën e konҫesionit. Roli, përgjegjësia dhe intesitetit i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim I.B. është më i madh se i personave nën hetim K. R. dhe I.R. për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”

Gjykata nënvizon në vendimin e saj pasojat e rënda të ardhura nga dhënia e koncesionit të sterizilimit të cilat sipas saj janë:

“Pranimi i ofertës së bashkimit të OE Servizi Italia, në vlerën  rreth 3 miliard lekë të reja mbi vlerën totale të koncesionit; Veprimet ose mosveprimet e titullarëve për mos vënien në funksion të aseteve të QSUT, kanë shkaktuar shpenzime jo të menaxhuara me ekonomicitet, efiçencë, dhe efektivitet për buxhetin e shtetit; Kontrata u firmos me një vlerë 505 mln lekë më pak nga ajo që kishte oferuar Konçensionari; Autoriteti Kontraktor, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar Kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58, 814,793 lekë për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit (deri në muajin Prill 2022 të zbatimit të Kontratës)”, vijon vendimi i GJKKO.

Sipas vendimit Ilir Beqaj, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë ka lejuar të jepet koncesioni në vlerën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) për një afat 10 vjeҫar, ndërkohë që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nëse do të ishte vënë në shfrytëzim Qendra e Sterilizimit me pajisje moderne kostua për 10 vite do të ishte 960 000 000 lekë.

“Pra, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje Ilir Beqaj” i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 8 697 000 000 Lekë (9 657 000 000 – 960 000 000). Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoj nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë konsto e konҫesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar.

Gjykata vë theksin se pasojat e krijuara me këtë koncesion gjithashtu nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me cilësinë e shërbimit jetik sikurse është sterilizimi i sallave operatore që lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin e pacientëve. GJKKO thotë se kjo shton rrezikshmërinë e personit nën hetim, Ilir Beqaj.

“Në rastin konkret konҫesioni i është dhënë shoqërive konҫesionare, të cilat pranojnë vetë se nuk kanë kapacitete njerëzore dhe profesionale për të përmbushur Kontratën Konҫesionare. Kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorit në rastin konkret. Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se personi nën hetim I.B. vijon që të ushtrojnë funksione publike dhe ekziston rreziku ai të abuzoj me detyrën sikurse në mënyrë të “hapur dhe flagrante”  në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore ka vepruar në procedurën e konҫesionit. Kjo shton rrezikun e përsëritjes të të njëjtës vepër penale”.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni