TIRANË-  Pak para se seanca gjyqësore të çelej, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shfaqej në kushte të vështira, teksa përpiqet të komunikojë me avokatin e tij, nga kafazi i të pandehurit. Për herë të dytë, pasi së pari u refuzua në seancë paraprake, Beqaj i kërkoi togave të zeza, të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë. 

Trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja Rudina Palloi dhe gjyqtarët Irena Gjoka dhe Erion Çela, vendosi ta pranojë këtë kërkesë, dhe në seancën e ardhshme ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të qëndrojë jashtë kafazit, i ulur pranë avokatit të tij.

Gjykata argumentoi vendimin duke marrë në konsideratë disa faktorë, faktin që në këtë proces Ilir Beqaj është i vetmi i pandehur, sjelljen e tij gjatë seancave, si dhe rrethanën që ai po gjykohet pa masë sigurie “arrest në burg” për këtë çështjen e koncensionit të sterilizimit.

Për ta zbatuar këtë vendim, Gjykata tha se do të njoftohet edhe Drejtoria e Burgjeve që efektivët e saj të mos e shoqërojnë brenda kafazit, por jashtë tij, në sallë.

Edhe prokurori Edvin Kondilli u shpreh se nuk ka kundërshtim për këtë vendim, duke theksuar se masa e arrestit me burg ndaj ish-ministriy Beqaj nuk është për këtë proces, por lidhet me një tjetër procedim penal, atë për abuzim me fondet e Bashkimit Europian.

"I pandehuri Ilir Beqaj hetohen nën efektin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Paraqitja e të pandehurit në kushtet e izolimit vjen për shkak të një mase tjetër, që është në funksion të një çështje tjetër penale. Në këtë kontekst, ne nuk kemi asnjë kundërshtim nëse ai do paraqitej në gjendje jo izolimi. Ndoshta do ishte e nevojshme të njiheshim me vendimin e caktimit të masës “arrest në burg” ndaj Ilir Beqaj", tha Prokurori Edvin Kondili

Gjatë seancës, ish-ministri paraqiti edhe një qëndrim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me trajtimin e të paraburgosurve në kafaz

Sa i takon vijimit të procesit, avokatët e Beqajt paralajmëruan se në seancën e 21 majit do të kërkojnë pushimin e përsakohë akuza ndaj tij që përfshin edhe grupin e strukturuar kriminal, e sugjeruar nga gjyqtarja në seancë paraprake, nuk është zyrtarizuar nga SPAK, të cilët fillimisht e çuan për shpërdorim detyre. Kjo sipas tyre ka cenuar të drejtën për mbrojtje efektive.

Nëse togat e zeza e rrëzojnë këtë kërkesë, mbrojtja e Beqajt tha se duhet mendimi i Gjykatës Kushtetuese për nenin që i lejon gjykatës të shqyrtojë akuza të formuluara prej saj.

Në dosje e njohur si “Sterilizimi” ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar dhe të dyve i është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë