Pesë vite nga shkarkimi me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaccëm i Apelimit, Antoneta Sevdari do të rivlerësohet nga vettingu, ndërkohë që zyrtarisht nuk është më e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë. Vetë KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit) vendosi këtë të hënë prishjen e vendimit të vet të marrë më 28 shkurt 2019 për Sevdarin, duke krijuar precedentin e parë që një magjistrat i dalë nga sistemi i drejtësisë të rimerret në shqyrtim me mundësinë e rimarrjes së detyrës. 

Prokurorja Antoneta Sevdari, për të cilën tashmë ekziston në fuqi vetëm vendimi i shkallës së parë të vetttingut, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 18 korrik 2018 e cilësoi të pastër, kërkon rikthimin në detyrë, ndërsa seanca e radhës do të mbahet në KPA më 17 prill. 

Kujtojmë se ky proces në KPA vjen pas një vendimmarrje të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që pranoi ankimin e prokurores Antoneta Sevdari dhe dënoi Shqipërinë që të dëmshpërblente ish-prokuroren me rreth 25 mijë euiro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit.

Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional” dhe në shkelje procedurale, por theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të vetingut në tërësi.