Studentët shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut po përballen me një pengesë të re: provimin e jurisprudencës nuk mund ta japin në shqip.

Bëhet fjalë për provimin që është kusht për t’u bërë gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo përmbarues. Pa e kaluar këtë provim, asnjë jurist nuk mund të ushtrojë profesionin në sistemin e drejtësisë.

Së fundmi, 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza”,  kanë dorëzuar një peticion ku kërkojnë që ky provim të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Ata thonë se kjo u takon me ligj, pasi studimet i kryejnë në shqip dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend.

Peticioni është dorëzuar në disa institucione, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve. Kjo e fundit ka konfirmuar se e ka pranuar kërkesën, por ka sqaruar se nuk ka kompetencë për vendimin, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Drejtësisë.

Por vetëm sot Ministria e Drejtësisë ka dhënë një qëndrim të qartë: provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip, sepse, sipas saj, ky provim shërben edhe si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase. Sipas ministrisë, njohja e maqedonishtes është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike në vend.

Nga ministria argumentojnë se ligjet për gjykatat, prokurorinë, avokatinë, noterinë dhe përmbarimin kërkojnë zotërim të gjuhës maqedonase dhe se kontrolli i kësaj njohurie bëhet pikërisht përmes zhvillimit të provimit në maqedonisht. Po ashtu, theksohet se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parashikon dhënien e provimit në ndonjë gjuhë tjetër.

Nga ana tjetër, studentët dhe kritikët e këtij vendimi thonë se në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston asnjë nen që e ndalon dhënien e provimit në shqip. Ata i referohen Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili përcakton se institucionet shtetërore janë të obliguara të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat, pasi ajo flitet nga mbi 20 për qind e qytetarëve.

Sipas tyre, kjo do të thotë se provimi mund të zhvillohet edhe në shqip, pa e përjashtuar njohjen e gjuhës maqedonase si kusht profesional.

Çështja merr edhe më shumë peshë politike për faktin se një propozim-ligj që do ta mundësonte qartë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por u hoq nga agjenda pas ndryshimit të përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re. Që nga ajo kohë, iniciativa nuk është rikthyer më për shqyrtim.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi që në vitin 2019 dhe që prej atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, ndërsa provimi i jurisprudencës ka mbetur vetëm në maqedonisht.

Deri tani, nga qeveria është bërë e ditur vetëm se kërkesa e studentëve është pranuar për shqyrtim, pa afate dhe pa detaje konkrete. Kryeministri dhe partitë shqiptare në qeveri nuk kanë dhënë ende një qëndrim publik për këtë çështje.