Gjykata Administrative Rajonale e Lazios në Itali ka rrëzuar ankimimin e studentëve të degës së Mjekësisë të Universitetit “Tor Vergata” që refuzojnë të ndjekin studimet në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, mes shqetësimeve për vështirësitë logjistike, kostot shtesë të jetesës dhe për tarifat e studimit. 

Në vendimin e saj, që citohet nga mediat e vendit fqinj, gjykata vendosi se dërgimi për studime Mjekësie në Tiranë ishte i qartë dhe i ligjshëm.

Ajo thekson qartë se vendndodhja në Tiranë ka qenë e deklaruar që në fillim dhe se nuk ka pasur asnjë paqartësi në platformën e aplikimit.

Sipas saj, emërtimi “Medicina Roma Tor Vergata Tirana” e bënte të qartë që kursi do zhvillohej në kryeqytetin shqiptar dhe, për këtë arsye, “nuk ka shkelje të transparencës”.

Po ashtu, gjykata vlerëson se kampusi në Tiranë është përfshirë në mënyrë të rregullt në sistemin e pranimeve dhe ka qenë një opsion i vlefshëm për studentët, njësoj si universitetet e tjera në Itali.

“Selia e Tiranës është përfshirë në mënyrë të ligjshme në sistemin e pranimeve dhe ka marrë pjesë, nLjësoj si të gjitha selitë e tjera të akredituara, në formimin e renditjes kombëtare, duke qenë një nga opsionet që kandidatët mund ta zgjidhnin ligjërisht” thuhet në vendimin e gjykatës

Sa i përket aspektit ekonomik, gjykata thekson se çdo diferencë është tejkaluar përmes barazimit të tarifave dhe se ky barazim, edhe pse aktualisht vlen vetëm për vitin akademik 2024–2025, nuk përbën shkelje sepse as universitetet e tjera italiane nuk mund të garantojnë që tarifat do të mbeten të pandryshuara gjatë gjithë ciklit të studimeve.

Gjithashtu, në vendim theksohet se pala ankimuese nuk ka arritur të provojë që për studentët e caktuar në universitete të tjera italiane ekziston një garanci e detyrueshme që tarifat të mbeten të njëjta për të gjithë periudhën e studimeve.

3 muaj më parë 220 studentë italianë,  mes tyre edhe dhjetëra nga Campania  u caktuan për të studiuar Mjekësinë në Tiranë, pavarësisht se kishin aplikuar për universitete në Itali. Ata bënë një padi kolektive dhe kritikuan edhe faktin që për ndjekjen e kursit në Tiranë merren parasysh mesataret e shkollës së mesme dhe jo rezultatet e tre provimeve të semestrit filtrues për Mjekësinë, siç ndodh në Itali.

Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” ku ata mund të ndjekin studimet në Tiranë është një institucion privat shqiptar, i themeluar në vitin 2004, me katër fakultete. Në vitet e fundit, ai është konsideruar si një alternativë për studentët italianë që nuk arrijnë të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në Itali, pasi pranimi i tyre bazohet në mesataren e shkollës së mesme dhe jo në testet e detyrueshme të pranimit.

Institucioni ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete italiane. Marrëveshja e parë ka qenë pikërisht me Tor Vergata për Mjekësinë dhe Kirurgjinë, e ndjekur nga bashkëpunime me universitete në Bari, Milano, Bologna, Palermo dhe Firence. Për Mjekësinë, kampusi i Tiranës funksionon si një degë e akredituar jashtë Italisë.