Në një kohë kur numri i të infektuarve me Covid-19 po rritet ndjeshëm orë pas ore, një nga pyetjet që po shqetëson të gjithë është qëndrueshmëria e tij dhe transmetimi i tij. Se sa infektues janë individët varet nga shumë faktorë, duke përfshirë fillimisht qëndrueshmërinë e virusit dhe sasinë e virusit që kanë në trupat e tyre.
Në një studim të publikuar nga revista shkencore The Lancet Microbe, u arrit në përfundimin se njerëzit kanë më shumë të ngjarë të transmetojnë virusin në pesë ditët e para pas shfaqjes së simptomave.
Ata theksuan nevojën e identifikimit dhe izolimit të hershëm të virusit për të shmangur një infektim në masë të tyre.
"Gjetjet tona janë në përputhje me studimet e gjurmimit të kontakteve të cilat sugjerojnë se shumica e transmetimeve ndodhin shumë herët, dhe veçanërisht brenda pesë ditëve të para pas shfaqjes së simptomave duke treguar rëndësinë e vetë-izolimit menjëherë pas shfaqjes së tyre ," tha Dr Myge Çevik.
Rishikimi, një nga më gjithëpërfshirëset deri tani me 98 studime të përfshira, analizoi tre lloje koronavirusi- SARS-CoV, SARS-CoV-2 dhe MERS-CoV - dhe ngarkesat e tyre virale. Nga të tre, COVID-19 u gjet që ka më shumë të ngjarë të jetë më shumë infektiv në pesë ditët e para të shfaqjes së simptomave.
Edhe pse materiali gjenetik i COVID-19 ishte zbuluar në mostrat e frymëmarrjes dhe jashtëqitjes për disa javë, studiuesit zbuluan se asnjë virus i gjallë nuk u gjet në asnjë mostër të marrë nga pacientët pas nëntë ditësh të infeksionit.
Udhëzimi aktual në shumë vende është që personat të izolohen për 10 ditë pas shfaqjes së simptomave, gjë që autorët e hulumtimit thonë se është në përputhje me gjetjet e tyre.
Në studim u përfshinë persona të shtruar dhe që merrnin kurim në spitale, duke theksuar se medikamentet e përdoruara si dexamethasone, remdesivir mund të kenë ndikuar në uljen e aftësisë infektuese të virusit.
Studimi nuk ka përfshirë personat asimptomatikë sepse të dhënat në dispozicion ishin "të kufizuara", por Çevik paralajmëroi se ata mund të jenë po aq infektivë por për një periudhë më të shkurtër.