Debat i fortë në Studio Live të REPORT TV për dy nga çështjet e ditës së sotme (26 Dhjetor), thirrjen në SPAK të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish-deputetit të PD, Belind Këlliçi.
Të ftuar të gazetarit Arbër Hitaj kanë qenë avokati Zaçe Islami, anëtarja e PD, Alesia Balliu dhe gazetari Anri Bala.
Ata ndanë mendime të ndryshme për çështjet në fjalë, ku avokati dhe përfaqësuesja e opozitës e cilësuan “organizatë kriminale” dosjen “5D”, duke akuzuar për vjedhje dhe implikuar kryebashkiakun Veliaj, kurse gazetari Bala u shpreh se SPAK dhe GJKKO nuk kanë ngritur asnjë masë apo akuzë ndaj kryebashkiakut, sepse nuk ka fakte dhe ndaj tij nuk ka asnjë vepër penale.
Por për çështjen e Belind Këlliçit për falsifikimin e diplomës, pasurinë e partneres dhe foton me Donald Trump, dy të parët kthyen qëndrimin në mbrojtje ndaj ish-deputetit, kurse Bala ua vuri në dukje përsëri juridikisht këtë standart dyfish mendimi të tyre, duke deklaruar se "për të dy rastet, pa u shprehur Gjykata nuk mund të cilësohet fajtor një person'.
“Pa u vërtetuar, duhet të vërtetohet ajo që po heton SPAK”, tha avokati Islami për Këlliçin, kurse për Veliajn u shpreh ndryshe:
“Veliaj pretendon se i është bërë letër nga një person anonim, inekzistent, ne s’na duhet fare. Ne na intereson nëse qëndrojnë faktet dhe pretendimet. Ne jetojmë në diktaturë, e dimë atë punë. Ai duhet të tregojë nëse qëndrojnë apo jo”.
Anëtarja e PD, Balliu, tha se nuk mund t’i krahasosh çështjet.
“Nuk mund t’i krahasosh të dyja rastet bashkë. Kemi 5D që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve. Nuk është e vërtetë për Këlliçin se ka falsifikuar diplomën, që është diçka që është personale e tij. Kurse këto janë lekët e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të krahasosh një organizatë kriminale me një falsifikim diplome”.
Bala ndau mendimin se nuk mund të nxitoheshin dhe një veprim të njëjtë të dy personave (shkuarja në SPAK), ta interpretonin me qëndrime të ndryshme, sepse duhej ndjekur llogjika juridike.
“A e kuptoni se po trullosni opinionin publik apo jo. Mbaheni pak profesionalisht këtë çështje, jo si në muhabete kafeneje. Debati vendoset mbi një llogjikë juridike. Unë mund ta kem edhe gabim. 5D dhe inceneratori i Tiranës e anashkalon zotin Veliaj, është SPAK që nuk e vendos në përgjegjësii, e nxjerrë nga përgjegjësia për aferën. Për Këlliçin nuk mund të flas për momentin, ai ka folur. Nuk e dimë se çfarë ka thënë për diplomën, foton me Trump sa është paguar apo ku shkon shpërdorimi”, tha ai.
Teksa dy të pranishmit në studio këmbëngulën se Veliaj ishte i implikuar te dosja 5D, Bala i kundërshtoi:
“Veliaj është përgjigjur sot për një tjetër çështje. Nëse do kishte fakt penal, si me të tjerët, përse nuk është vendosur masë për të? Pra PD nuk ndihmon PD duke njollosur zotin Veliaj. SPAK nuk ka ngritur masë ndaj Veliajt, sepse atje te shoqata rezulton se bashkëshortja është paguar me rrogë, pra nuk ka fakte. Deri tani nuk më tregon deri tani hetimi se Veliaj ka përgjegjësi penale. Moralisht po, por a e çon morali në burg zotin Veliaj? Atë se vendosim ne. Zoti Veliaj nuk ka asnjë masë, as nga SPAK as nga GJKKO, sepse nuk ka asnjë fakt që e përfshin deri tani”.
Debati në ‘Studio Live’ trajtoi sot edhe temën e sondazhit në Report TV për zgjedhjet e 11 Majit 2025, Kodin Zgjedhor dhe listat e hapura.
Avokati Zaçe Islami u tregua i drejtpërdrejtë në diskursin e tij për çështjen, duke e shprehur qartë se PD dhe PS kishin bërë pakt me njëra tjetrën kundër partive të vogla dhe që deputetët t’i zgjidhnin kryetarët vetë me lista të mbyllura.
Ai e cilësoi si një grusht shteti të dy partive të mëdha, për ‘vjedhje me ligj të votave të qytetarëve”. Por e çoi më tej argumentin e tij, duke iu referuar informacioneve që kishte marrë nga SHBA, referuar edhe disa zërave publikë.
“Do ndryshojë sistemi në Shqipëri me ndërhyrje të amerikanëve. Nuk do të ketë zgjedhje parlamentare. SHBA do ndërhyjë. Do ketë qeveri teknike. Nga republike parlamentare do kthehet në presidenciale, me 80 deputetë dhe 40 senatorë. PD shkrihet, PS shkrihet, Berisha dhe Rama jashtë politikës. Për mendimin tim PD dhe PS janë të dyja të Partisë së Punës. PD duhet të krijojë një parti të re”, tha ai.
Por kur u pyet për Berishën, ishte edhe më i ashpër:
“Sipas informacioneve që kam unë, të thëna e ardhura nga Amerika, Berisha do arrestohet përsëri, bashkë me familjarët e tij. Nuk do i hiqet ‘non grata’. Këta në pushtet po vjedhin me vapor. PD ka përgjegjësi të mëdha para elektoratit. Ligji 7501 ligj kriminal, antinjerëzor, i paligjshëm, vuri shqiptarët kundër njëri-tjetrit për tokën. Nuk do ketë zgjedhje parlamentare, do ketë arrestime!”, tha ndër të tjera avokati në studion e Report TV sot.
Kurse anëtarja e PD, Alesia Balliu e kundërshtoi avokatin, duke u shprehur se Berisha është lideri i PD-së, ai që e kishte themeluar, drejtuar dhe do e drejtojë. Teksa tregoi se personalisht dhe familjarisht kanë qenë kundër Lulzim Bashës më 2013 për të marrë PD.
“Nuk kam konsideratë për dështakët, unë kam votuar Sokol Olldashin dhe jo Lulzim Bashën. Berisha është lideri i padiskutueshëm i PD-së. Ne familjarisht kemi qenë kundër Bashës”, tha ajo mes të tjerash.
Kurse gazetari Anri Bala, konfuz nga diskutimet në studio, teksa u shpreh me humor se ‘nuk kishte kuptuar asgjë’, vijoi në lidhje me atë që tha avokati Islami se s’do ketë zgjedhje parlamentare:
“Kemi shumë dosje hetimore, Altin Dumani tha kemi 2500 dosje, ka 3 mijë të kallëzuara. Ka punë voluminoze, zyrtari amerikan Kasanof tha se duhet zgjatur mandati i prokurorëve dhe atë që thotë BE, se puna e SPAK çoi Shqipërinë afër rrugës së BE-së. Por edhe hetimet apo sekuestrimet mbi 100 mln euro dhe kështu me radhë”, u shpreh ai, duke shmangur një mendim nëse do kishte apo jo zgjedhje për shkak të arrestimeve që priteshin.