Studio Live, Kadilli për Report TV: SPAK po fut në rrjetë peshqit e mëdhenj, vit fatlum për Shqipërinë! Xhingijet kërcyen për Berishën, forcat e reja amatore

Viti 2024 po mbyllet dhe ai që vjen premton zhvillime nga më interesantet përsa i përket drejtësisë, por edhe politikës, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Por si e sheh ish-deputeti demokrat Fatbardh Kadilli vitin që u mbyll dhe premisat për garën elektorale. I ftuar sot (31 Dhjetor) në Studio Live të Report TV, nga gazetari Arbër Hitaj, Kadilli shprehet se politika e vjetër e ka mbyllur misionin e saj dhe se shqiptarëve u duhet diçka e re, ndryshe nga dyshja Rama-Berisha.

Politikani, ish-kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, shprehet se përsa i përket drejtësisë, 2024 ishte vit fatlum për shqiptarët, pasi “peshqit e mëdhenj kanë rënë në rrjetë” dhe të tjerë priten në vijim, teksa SPAK sipas tij i ka dhënë goditjen e fortë politikës së korruptuar apo të lidhur me krimin.

Ai nuk beson se 'non grata' për Berishën do hiqet tani që Donald Trump fitoi presidencën, duke vënë në dukje se si Berisha ashtu dhe Rama mendojnë se duke e pasur mirë me amerikanët, do qeverisin shqiptarët.

Madje e quajti ide qesharake, teksa ironizoi edhe kërcimin në festën e fundvitit të deputetëve të PD duke kënduar për kreun e selisë blu, të cilët i quajti "xhingije" apo "belly dancing" pa personalitet, që i përulen liderit për një mandat deputeti dhe rrogë 4-vjeçare.

“U premtua nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu se SPAK do të kap peshq të mëdhenj dhe ky ishte viti, sezoni më i mirë i peshkimit, ku peshqit e mëdhenj, të gjithë, ranë në rrjetë.

SPAK po realizon pritshmërinë e shqiptarëve. Po realizon premtimin që peshqit e mëdhenj po bien, një nga një në rrjetin e SPAK. Sistemi i ri i drejtësisë është më i mirë që kemi, mbi 70% e shqiptarëve janë optimistë se do pastrojë politikën. SPAK po kap peshqit e mëdhenj dhe ky është vit fatlum për Shqipërinë”, tha ai.

Por që puna të çohet edhe më tej, për ish-deputetin e PD, kërkohet që institucionet e reja të drejtësisë të mbështeten edhe më tej.

“Shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbështesin dhe madje ta marrin në mbrojtje SPAK. Ta mbrojnë nga politika, sepse edhe Rama po shihet që po ndryshon qëndrimin për drejtësinë. Laku te politika po ngushtohet, ta mbrojë nga hipokritët, SPAK është i mirë, sepse këta individë që kanë përballë kanë paranë, forcën, konsulencën, avokatët, përdorin politikën, ndaj edhe SPAK ka si mbështetje vetëm qytetarin”, theksoi politikani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:31
Ironia e Kadillit me PD-në: Xhingije që dredhin belin për Berishën që të bëhen deputetë! Qesharake ideja e heqjes së ‘non gratës’ apo se 'e kanë mirë me amerikanët'

Ish-deputeti demokrat Fatbardh Kadilli analizoi edhe situatën brenda opozitës dhe veçanërisht Partisë Demokratike, pamjeve të fundit të kërcimit të deputetëve demokratë në festën e fundvitit duke i klënduar Sali Berishës dhe ‘parullën’ e opozitës se me fitoren e presidentit Donald Trump në SHBA, kreut të selisë blu do i hiqet ‘non grata’.

Kadilli e cilëson si qesharake këtë ide të proklamuar nga PD, teksa i cilësoi “xhingije” apo “belly dancing” deputetët demokratë në kërcimin e tyre, me interesin për të siguruar mandat deputeti dhe rrogë 4 vjet të tjera nga Berisha.

“Kemi dy realitete në politikë, ai i Partisë Demokratike dhe i të voglave, që përpiqen të thyejnë monopolin dypartiak. Nga një realitet Berisha kurorëzohet, ku një pjesë e shanë dikur, kurse tani ata kërcejnë, apo siç quhen ndryshe si punë xhingije apo belly dancing, për të fituar një kacille. Kushdoqofshin, pavarësisht liderit, gjendjes patetike, i hoqën vetes personalitetin, pasi edhe në kohën e Enver Hoxhës ka pasur më seriozitet. Kjo duket si një përpjekje të sigurojnë edhe 4 vjet rrogën e deputetit. Kjo jep mesazh që shqiptarët të mos ndryshojnë gjendjen, pushtetin edhe për 4 vjet dhe të mbetet ai pushtet i korruptuar dhe kjo qeveri e Edi Ramës. Dikur Bardhi përbetohej kundër Berishës, tani kërcen për të. Për ta valle gëzimi, për shqiptarët një valle vdekjeje”, tha ai.

Por a është e pashpresë PD-ja sipas tij, teksa Berisha jo vetëm ndodhet non grata nga SHBA e Britania e Madhe, por edhe i akuzuar dhe i pandehur nga SPAK për aferën e dosjes “Partizani”?

“Kjo e bën edhe më qesharake PD. Të mendosh se erdhi Trump dhe do ndryshojë situata. Që të dy Berisha dhe Rama, mendojnë se duke e pasur mirë me amerikanët, do sundojnë shqiptarët dhe vendin. Qeveria ekziston si propagandë. Marr rastin me pensionet dhe turin e Ramës, nuk ka reformë për pensionet, nuk ka zgjidhje. Nga ana tjetër nuk kemi opozitë, sepse tenton të kopjojë pushtetin, nuk bën asgjë ndryshe. Pyetja është se cila është dobia për Berishën dhe Ramën, se ata që dredhin belin si xhingije e bëjnë për një post deputeti, janë dhe do jenë përsëri“, u shpreh ish-deputeti.

Madje ai guxon ta quajë edhe si një pazar për pushtet këtë gjendje, ku të dyja forcat kanë rënë dakord për pozicionet e tyre aktuale, që të mos i ndryshojnë as pas 11 Majit.

“Një opozitë që ka dalë nga misioni dhe një qeveri që nuk qeveris, është një pazar i hapur për pushtet. E gjithë përpjekja është mos krijohet çarje të këto dyja, mos të ketë forcë tjetër të tretë, që shqiptarët të mos kenë të zgjedhin. Po i lënë shqiptartë pa zgjidhje, pa të drejtë zgjedhjeje, të pashpresë. Megjithatë unë jam optimist dhe entuziast, sepse e ritheksoj, SPAK futi në rrjetë të gjithë peshqit e mëdhenj këtë vit dhe do vazhdojë edhe më tej“, tha ndër të tjera Kadilli.

Ora 17:54
Kadilli: Dy partitë e mëdha e kanë braktisur misionin e tyre, qytetarët të ikin nga politika e vjetër! Forcat e reja amatore, me delir dhe si autobusi i Kuçit

Ish-kandidati për Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli, tha sot (31 Dhjetor) në Studio Live të Report TV, se dy forcat e mëdha politike në vend, PD dhe PS, e kanë mbyllur misionin e tyre, madje e kanë braktisur atë.

Ai hedh idenë që qytetarët të mbështesin reformimet totale të këtyre dy forcave, ose një të tretë, pasi dy emrat Sali Berisha dhe Edi Rama nuk kanë çfarë t’i japin më vendit dhe politikës.

“Forcat e mëdha kanë treguar se kanë braktisur misionin e tyre, si PS-ja e Edi Ramës, ashtu dhe PD-ja e Sali Berishës. 11 Maji do e tregojë këtë fakt. Ndaj unë bëj detyrën time, mund të duket e hidhur, vazhdoj misionin tim, dhe bëj apel që shqiptarët të braktisin politikën e vjetër. Presioni i shoqërisë detyron partitë tradicionale të reformohen, ose të vijë një forcë tjetër. Por nëse ulen në gjunjë para Berishës, atëherë ajo do zvogëlohet, do rrudhet. Sa kohë që ata janë berishistë, tkurren dhe shkojnë drejt zvogëlimit. Zgjidhja është të shohin jo se kush, por çfarë bën individi që është në krye. Ndaj demokratët duhet të gjejnë rrugë më të mirë, qeverisje më të mirë për të rrëzuar Edi Ramën. Mos të shohin emrin, por çfarë bëjnë, a janë të besueshëm, a kanë të lidhur sjelljen, fjalimet me fytyrën”, u shpreh Kadilli.

Ai nuk shpreh besim të plotë të forcat e reja politike, për faktin se ato nuk kanë forcën që të bashkohen, të bëhen një në bllok, pasi liderët e tyre duan të jenë të parët. Por apelon se shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin.

“Partitë e reja janë amatore, ato nuk bashkohen se liderët e tyre duan që të jenë të parët. Ka ardhur koha për ndryshim, dy partitë e mëdha e kanë mbaruar misionin. Kam bindjen dhe kjo dhe më ka bërë që të jem krenar në politikë, nuk kam thënë gjë kurrë që më pas e kam ndryshuar, e kam bërë hasha apo e kam mohuar, atë qË them, unë e besoj. Rëndësi ka jo kush e thotë, Kadilli apo ndonjë tjetër, por që gjithçka të ndryshojë. Ndaj unë u propozoj shqiptarëve se çfarë të bëjnë dhe apeloj që të bëjnë presion tek forcat e mëdha për reformim dhe ndryshim”, u shpreh ish-deputeti. 

Por si i sheh partitë e reja ish-deputeti Kadilli? Edhe pse e përshkruan me nota pesimiste situatën e forcave rishtare që pritet të garojnë më 11 Maj, ai e quan si një realitet dhe është entuziast për SPAK, sepse te partitë e reja sheh vetëm “delire madhështie”.

“Ka vetëm delire individuale të personazheve që kanë menduar se kanë pasur funksion poltiki dhe se mund të bëhen politikanë. Politikan je kur nuk e ke hijen e Berishës, Ramës etj. Kur ke idetë e tua përballë publikut, jo me inatin unë jam, unë do ta bëj këtë gjë, por të përballesh me këta. Është një delir politik dhe jo lider politik. Sondazhet tregojnë se 19% e shqiptarëve mbështesin forcat e eja politike, por a jmund të bëhen bashkë këto parti? A mund të bëhen bashkë, a mund të bashkohen, shikoni sesi debatojnë mes tyre! Si do bëhen, si autobusi i Kuçit? Por ata nuk e kuptojnë as atë fushë që i mbetet në dorë, për fat të keq janë amatorë, pa integritet dhe ide. Duhej një opozitë e bashkuar, por kjo nuk funksionon se janë të mbytur nga deliri i madhështisë dhe ‘ethet e të shtunës mbrëma’. Një iniciativë nuk kanë ngritur, një ide të vetme që s’kanë krijuar. Prandaj më 2025 nuk ka ngjarje, pas 5 muajsh mund të themi të njëjtat gjëra. Nuk jam fatalist, përkundrazi jam entuziast se SPAK po realizon premtimin e shqiptarëve, peshqit e mëdhenj po bien në rrjetën e SPAK. Është më i miri instrument që kemi”, u shpreh ish-ligjvënësi demokrat.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet