STUDIMI/ Nga ndërtimi te funksioni e dedikimet, Kalatë e Ali Pashë Tepelenës, Përzhita: U ndërtuan mbi shtresa më të hershme të shek. XIII-XIV!

Ka qenë i apasionuar pas ndërtimtarisë, Ali Pashë Tepelena. La pas objekte arkitektonike si ura, kala, ujësjellës, disa prej të cilave trashëgohen edhe sot, duke u bërë pjesë e atraksionit turistik vendas , ndonëse mbi 2 shekuj larg prej kur  u ndërtuan.

“Ali Pasha ka qenë një i apasionuar pas ndërtimit. Ai kishte rreth vetes arkitektët më të zotë, që vinin nga Franca dhe vendet e tjera. Dhe paguheshin mjaft mirë nga Ali Pasha”, shprehet arkeologu e historiani Luan Përzhita, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Studiuesi Luan Përzhita, ka përfunduar hulumtimin e tij mbi Kalatë e Ali Pashë Tepelenës, që së shpejti do të shikojë dritën e botimit.

“Mendova se është një moment që të fillojmë një punë  e cila do të përqendrohej kryesisht në rifreskimin e të gjitha të dhënave që lidhen me kalatë e Ali Pashë Tepelenës në territorin shqiptar. Me vlerësimin e dokumentacionit në radhë të parë, pastaj edhe në një paraqitje, që lidhet jo vetëm me anën arkitektonike, por edhe me pjesët e asaj që futet shkenca e arkeologjisë. Kështu që duke gërshetuar edhe pjesën e dokumentacionit, mbase krijohet një vizion ndryshe përsa i takon edhe botimit të këtyre kalave”, shton më tej Përzhita.

Ali Pasha ka ndërtuar edhe përtej Shqipërisë, në qytete si Janina gjatë kohës së Pashallëkut të Janinës. Në Shqipëri, investim i tij, janë Kalaja e Tepelenës, Gjirokastrës, Libohovës, Vivarit, Porto Palermos, Kalaja Trekëndore e Butrintit e ajo e Kardhiqit.

“Kalatë e Ali Pashës janë të fundit kala që u ndërtuan në territorin e Shqipërisë. Po ajo që mua më sjell një lloj ngacmimi të kërkimit shkencor lidhet me bazën që kishin këto kala më të hershme, kryesisht në shek. XIII-XIV”, thotë studiuesi.

Por historiku, i këtyre kalave, siç rrëfen arkeologu është më i kahershëm nga koha prej kur Ali Pasha nisi ndërtimin. Pasi shumë prej kalave u ndërtuan mbi shtresa të mëparshme objektesh të ngjashme.

“Përshembull në Kalanë e Tepelenës, kemi dhe një kala tjetër më të vogël, e cila ishte e ndërtuar para ardhjes së turqve në territorin tonë, që mendohet, ose sipas teknikës së ndërtimit dhe sondazheve që ne kemi arritur të bëjmë që mbase është një kala shumë më e hershme se sa është dokumentuar deri tani në territorin shqiptar. E njëjta gjë është përshembull për ndërtimet e ndryshme që Ali Pasha bëri në Kalanë e Vivarit dhe kalanë trekëndore të Butrintit që tregon se ka shtresa të tjera kulturore të cilat ai i përdori për të ndërtuar më pas”, shton më tej.

Forma e kalave u është përshtatur funksionit. Vetë Ali Pasha ka shfrytëzuar kalanë e Porto Palermos.

"Nipat dhe pjesa tjetër e familjes ka shfrytëzuar Libohovën apo kalanë trekëndore të Butrintit, ndërsa pjesa e Kalasë në Kanalin e Vivarit ka qenë më tepër garnizon ushtarak. Po ashtu edhe disa qendra të tjera kanë qenë edhe ato me orientim ushtarak. Ndërsa pjesa tjetër si e Porto Palermos ia dedikoi të shoqes, motrës, nënës, etj.”, tregon arkeologu.

Studimi Kalatë e Ali Pashës, do të prezantohet këtë të premte gjatë konferencës shkencore që do të mbahet nga Akademia e Studimeve Albanologjike lidhur me Vitin Arkeologjik 2022.

 

A.D/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Dita Ndërkombëtare e Librit, Meta ndan foto duke lexuar: Rilindja ka orientuar të rinjtë drejt kafeneve, ka zbrazur bibliotekat

Dita Ndërkombëtare e Librit, Meta ndan foto duke lexuar: Rilindja ka orientuar të rinjtë drejt kafeneve, ka zbrazur bibliotekat