Çdo e ardhur shtesë në buxhetin e shtetit, prej rritjes së çmimeve në gjysmën e parë të vitit, i ka kaluar pensionistëve, një pjesë për indeksimin 2.7%, e tjetra për bonusin e verës prej 5 mijë lekësh që ka nisur të shpërndahet prej 1 korrikut.
Qeveria premton shpërblim edhe në fundvit, si dhe dyfishim të bonuseve mujore në 2027-ën.
“Ne s'kemi zgjedhje deri në vitin 2029, kështu që bonusi nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me vëmendjen që ju kemi premtuar se do të kemi vijimisht”, tha Rama.
Në takim me pensionistët kryeministri Edi Rama tha se me rishikimin që iu bë buxhetit të shtetit shtohen fondet edhe për investimet në shëndetësi dhe transportin publik sidomos në bashkitë ‘turistike’, teksa ndalet përsëri tek rëndësia e investimeve të huaja.
“Shqipëria nuk mundet dot t'i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim për sovranitetin dhe për integritetin territorial. Nuk është patriotizëm të refuzosh investimet e huaja. Patriotizëm është të rrisësh kapacitetin ekonomik të vendit dhe të rrisësh volumin e të ardhurave në xhepin e pensionistëve”, tha Rama.
Kryeministri thotë se investimi 4 miliardë euro në Zvërnec, hap rrugën për miliarda të tjera që i japin vendit hov zhvillimi më të madh.
“Nëse ti ‘i vë shqelmin në fyt’ të parit, ti ke përzënë të tjerët. Prandaj ne duhet t'i mbrojmë zogjtë dhe t'i shtojmë zogjtë, dhe të gjejmë rrugën që, nga bashkëjetesa mes nevojave tona dhe nevojave të zogjve, të krijohet një ekonomi virtuoze”, tha Rama.
Tensionet e krijuara ditët e fundit në protesta, sidomos para Kuvend, Rama zgjodhi ta kompentojë përmes diferencimit mes protestuesve, flamengove dhe sorrave.
“Dallimi midis flamingove dhe sorrave e korbave është se flamingot janë paqësorë, ndërkohë që sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Me sorrat dhe korbat ne nuk kemi çfarë bëjmë fare, do të shpërndahen kokrra-kokrra dhe do të vazhdojnë të bëjnë atë "krah-kra-kra"-në e zakonshme”, tha Rama.
Kryeministri bën edhe një krahasim me të kaluarën, duke thënë se në Bulevardin që dikur vriteshin qytetarë që protestonin, sot ka demokraci.
“Shkojnë njerëzit, dalin, propozohen, dashurohen, ndahen, martohen në bulevard dhe kjo tregon që ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë edhe në këtë formë liria dhe demokracia”, tha Rama.
Në fund një paralajmërim për këdo që protestën e sheh si një mundësi për tensione.
“Pikërisht sepse gjithkush ka të drejtë të kontestojë, monopolin e forcës në demokraci e ka shteti, nuk e ka individi, dhe kush përdor forcë kundër shtetit, pastaj futet në tjetër territor...”, përfundoi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mercenarë nga Prishtina dhe Tetova kanë ardhur në Tiranë, për t’ju bashkuar protestave që po zhvillohen prej ditësh në kryeqytet.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, Rama tha se do i lexojë mesazhet e protestës, por i ndau protestuesit në qytetarë që dalin në tubime për problematika reale dhe në ata që dalin për qëllime të caktuara.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku sot po protestohet lirisht, dikur janë vrarë njerëz.
“Unë e bëj ndarjen e atyre që protestojnë që kanë probleme reale, duke filluar nga ana që i kanë shqetësimet e sinqerta, për fatet e zogjve. Në këtë bulevard janë vrarë njerëz për të protestuar. Sot është gjë shumë e madhe që Tirana është bërë si karnavalet e Brazilit. Kjo tregon se ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë demokracia. Çohu nga kafja, thoshin skuadronet e Musolinit, përpara se të vendoset ajo që erdhi mbrapa. Kush do të rrijë në kafe, të rrijë në kafe. Kush do të protestojë, të protestojë. Po përpiqemi të lexojmë mesazhin. Protesta nuk është ajo kur vijnë mercenarë nga Prishtina dhe Tetova, që bëjnë si diasporë. Askush nga ne nuk është populli. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet”, theksoi Rama.
Marrë shkas nga protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se nuk është patriotizëm të largosh investimet e huaja nga vendi.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me pensionistët, ku tha se investimi prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec, ndihmon në rritjen ekonomike të vendit.
Duke i quajtur organizatorët e protestave ‘sharlatanë, delirantë e dështakë’, kryeministri Rama tha se ata janë të dëshpëruar për mos-suksesin e tyre dhe nxjerrin teori kundër resorteve luksoze.
“Kemi vendosur për të rritur kapacitetet tona për të konkurruar me të tjerët. Nëse të gjitha vendet, autokraci, diktatura, vende demokratike, synojnë rritjen e investimeve të huaja, Shqipëria s’mund t’i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim për sovranitetin. Patriotizëm nuk është të refuzosh investimet e huaja. Patriotizëm nuk është të mjaftohesh me çfarë është arritur sot, sepse nëse Shqipëria do mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, do të bjerë në një tjetër hendek, në hendekun që kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv. Turizmi masiv vjen edhe me probleme, që fillojnë nga rritja e stresit të sistemit për të mbledhur plehra dhe për të përpunuar mbetje, te stresi që krijohet në gjithë infrastrukturën dhe padiskutime dhe te fakti që gjithë energjia që vihet në dispozicion për të përballuar këtë volum të madh, nuk përkthehet në një efektivitet të ardhurash. Vijnë shumë njerëz dhe konsumojnë pak për atë masë që vjen.
Ne na duhen më pak njerëz dhe më shumë para këtu. Por për këtë na duhet që të kemi infrastruktura mikëpritëse të një niveli tjetër. Se ata njerëz që lënë shumë para duan tjetër nivel. Tani gjithëfarëlloj sharlatanësh, delirantësh dhe dështakësh, që janë sprovuar në skenën publike dhe kanë akumuluar një mllef shumë të madh, sepse u duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë tonë, bëjnë teorira dhe i hedhin popullit gjithëfarëlloj aguridhesh se këto resortet e luksit janë vetëm për ata që vijnë dhe që shqiptarët janë jashtë sistemit. Kjo është një çmenduri, sepse ato janë fabrika që krijojnë lëvizje në ekonomi. Shqipëria ka 27 miliardë euro ekonomi në vit.
Tani vjen një investim 4 miliardë në një ekonomi 27 miliardë. Është diçka masive, transformuese. Tani këto kanë edhe një impakt tjetër. Këto hapin rrugën për të tjerët. Nëse t’i i vë shkelmin në fyt të parit, atëherë ti ke përzënë të tjerët dhe i ke falur konkurrencës atë që mezi është bërë e mundur të të vijë ty. Këto janë çudira shqiptare. Pse nuk ngrenë zërin këta për këto shëmtira që janë ndërtuar si mos më keq? Po pse nuk shkojnë këta të ngrenë zërin për banorë që nuk marrin dot hipotekën sot, sepse janë zhdukur ndërtuesit duke i lënë banorët pa hipotekë? Ne nuk jemi zogj, prandaj ne duhet të mbrojmë zogjtë dhe të shtojmë zogjtë, dhe ta gjejmë rrugën që nga bashkëjetesa mes nevojave tona dhe të zogjve të krijohet një ekonomi virtuoze”, tha mes të tjerash Rama.
Nga dita e djeshme ka nisur shpërndarja e bonusit të verës prej 5 mijë lekësh të reja për pensionistët.
Gjatë një takimi me pensionistët, kryeministri Edi Rama tha se të ardhurat e siguruara nga rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Iran (përmes taksave) do u kalojnë pensionistëve.
“Ju kujtohet që vitin e shkuar thanë po e japin bonusin për fushatë. Këtë vit s’kemi fushatë. Bonusi s’ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar. I është shtuar buxhetit fitimet nga të ardhurat prej çmimit të naftës, nuk është mbajtur në buxhet, por është pjesë e bonusit që do marrin pensionistët që nga sot. Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës nga lufta, do t’i merrni ju. Nuk janë vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët prej kohësh prisnin këtë që ne bëmë, dyfishimin e ndihmës per personat me aftësi të kufizuara. Janë fëmijët me aftësi të veçanta, u mor vendimi dhe fillon tani dyfishimi i ndihmës. Është vendosur që sigurimet e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara do i paguajë shteti”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.
Ndërkohë ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, është shprehur se nga dje, në 1 korrik, pensionistët kanë nisur të marrin bonusin e verës prej 5 mijë lekësh të reja.
Ibrahimaj tha se bonusi është pjesë e angazhimit të Qeverisë për rritjen e mirëqenies së pensionistëve.
Duke folur për ekonominë shqiptare, Ibrahimaj tha se ekonomia gjatë viteve të fundit ka pësuar rritje, me një normë rritëse prej 4%.
“Ekonomia shqiptare ka pasur një performancë shumë pozitive. Ne jemi rritur me një normë rritëse 4%. Të ardhurat e qeverisë janë rritur me rreth 50%. Qarkullimi i bizneseve është rritur me 8 miliardë euro. Pagat janë rritur me më shumë se 50%. Ne që kur rritëm pagat, deklaruam se do të merreshim me pensionet. Kemi zgjedhur që të bëjmë indeksimin e pensioneve. Çdo vit bëjmë indeksimin e pensioneve dhe kemi pasur një bonus pensionesh. Ne vendosëm që bonusin të mos e japim vetëm në fund të vitit, por në bazë mujore. Vendosëm objektivin që pensioni mesatar i atyre që kanë vite të plota pune të shkonte në 400 euro. Çdo muaj të gjithë ata që kanë një pension mesatar dhe vite të plota pune më pak se 400 mijë lekë të vjetra, marrin çdo muaj 18 mijë lekë shtesë çdo muaj në pensionin e tyre. Ne kemi deklaruar se të gjitha të ardhurat shtesë, do të rishpërndahen te pensionistët. Kemi dëgjuar këto muaj për krizën në Lindjen e Mesme, për rritjen e çmimit të karburantit, që është transferuar edhe në Shqipëri. Por nga sot ka filluar shpërndarja e një bonusi tjetër pensionesh për vitin 2026 në vlerën 5 mijë lekë të reja. Janë 33 mijë pensionistë që sot bashkë me pensionin e tyre kanë marrë edhe bonusin e verës, bonusin e rishpërndarjes së të ardhurave, bashkë me pensionin e tyre”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.









