TIRANË- Grupi i zjarrit të Sali Berishës është kapur në flagrancë nga policia duke hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë, por edhe me çantat e mbushura plot me lëndë prioteknike. Një ditë pas protestës së 17 prillit, Blutë e Tiranës informuan se në pranga kanë rënë 11 protetsues, 18-50 vjeç, të akuzuar për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Ndryshe nga protesta e kaluara, dhuna e militantëve të Berishës nuk përshkallëzoi, pasi policia reagoi duke i shpërndarë me shpejtësi me ujë, gazlotsjellës dhe spraj. Protestuesit u kapën në befasi nga reagimi i bluve, të cilët duket se ndoqën strategji të re nën udhëzimin e kryepolicit të ri, Skënder Hita. Efektivët ndërhynë menjëherë në ‘zemrën’ e grupit të zjarrit, që siç vetë njofton Policia, disa prej protestuesve u arrestuan duke hedhur fishekzjarrë e molotovë në drejtim të godinës së qeverisë.

“Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, informoi Policia e Tiranës.

Ndërsa militantët ishin ende në terren, policia sekuestroi edhe 45 bomba molotov të pashpërthyera, një tjetër lëvizje e bluve që solli dështimin e skenarit të grupit të zjarrit për të sulmuar parlamentin pasi mbetën pa municione. Ndryshe nga herët e tjera, kur gjyqtarët i liruan protestuesit e dhunshëm, duket se gjyqtari i radhës do ta ketë më të vështirë, të paktën për 6 prej tyre të cilët janë kapur mat nga policia me çantat e mbushura me molotovë. Kjo strategji e kryepolicit të ri Hita, me arrestimet në flagrancë, pritet të jetë prova për mbajtjen e militantëve në qeli.

Policia vuri nën hetim 15 protestues të tjerë të akuzuar për “Prishje të qetësisë publike”. Në hetim u vu edhe Klevis Balliu për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Kalaja pati edhe një përplasje e efektivët dhe për shkak të përdorimit të gazitlotsjellës, përfundoi në spital bashkë me Luçiano Boçin, Klevis Balliun e 2 të tjerë.

Gjatë protestës, mbetën të lënduar edhe 5 efektivë të Policisë, të cilët u vizituan në spital nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe vetë kryepolici Hita. Ministri Lamallari tha se dora e krimit që ngrihet mbi njerëzit me uniformë do të marrë përgjigjen e merituar.

EMRAT E TË ARRESTUARVE
Klemend Çuçka (kapur në flagrancë me molotovë)
Bujar Tusha (kapur në flagrancë me molotovë)
Henri Shapllo (kapur në flagrancë me molotovë)
Mirvet Toçilla (kapur në flagrancë me molotovë)
Igball Domi (kapur në flagrancë me molotovë)
Semi Bici (kapur në flagrancë me molotovë)

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:40
Policia u preu hovin protestuesve, Balliu: Operacioni u drejtua nga Balluku dhe Rama, deputetët e PD u goditën me urdhër nga policë të droguar

 

Me vrull e zjarr, Klevis Balliu doli përpara mediave me pretendime të forta se strategjia e ndjekur nga Skënder Hita për frenimin e dhunës së protestuesve të PD ishte operacion i drejtuar nga Balluku e Rama. Madje, tha se ka pasur urdhër që të sulmohen me shkop gome e spraj deputetët e partisë.

Sipas tij, policët duhet të kenë qenë të droguar dhe do të kërkojë të testohen.

“Pas vendosjes së krimit të organizuar, të lubi Ballukut që i bëri drejtorit të Policisë, Hitës, nga Belinda Balluku. Ishte ai që ka mbrojtur krimet elektorale të lubi Ballukut. Ai ka qenë njeriu që Balluku kërkonte. Ka qenë lubia, patjetër nën urdhrat ekzekutive të Edi Ramës që ka urdhëruar ndërhyrje në mënyrë kriminale nga efektivë policie të organizuar dhe një pjesë e tyre, duke marrë parasysh vrullin që kishin për dhunë, me shumë gjasë të droguar, ndaj dhe unë do të propozoj në komisionin e sigurisë që të bëhet testi i drogës në mënyrë të hapur për të gjithë policët që marrin pjesë në tubime për çfarë janë në gjendje të bëjnë këta njerëz që sulen si shtazë ndaj qytetarëve që vijnë për të demonstruar. Deputetët janë goditur me shkopa gome, eksponentë të PD janë goditur me urdhër, me spraj, në mos gaboj për arinjtë që e kanë kombinuar me lëndë të tjera siç është edhe gazi lotsjellës. Operacioni është drejtuar nga lubia dhe Edi Rama. Këto janë operacione të helmit dhe vrullit të egër të politikës që ka PS. Nuk kemi të bëjmë me akte të operacioneve policore, por me një vendim politik për ekzekutimin e mendimit të mendimit ndryshe të protestave që padyshim, nuk do ia arrijnë”, tha Balliu.

Ora 11:19
Protesta e PD/ Reagon Policia: 45 molotovë të sekuestruar, 11 në pranga, disa u kapën në flagrancë duke hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Kryeministrisë! Nën hetim Balliu

1776457222_protestaepd17prill.jpeg

Policia ka reaguar zyrtarisht për protestën e PD, ku njofton se janë arrestuar 11 militantë dhe 15 të tjerë nën hetim. Mes personave nën hetim edhe deputeti Klevis Balliu për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Njoftimi i policise

Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 17.04.2026, arrestohen në flagrancë 11 shtetas.

Procedohen penalisht 15 shtetas të tjerë.

Gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.