Sulmi ndaj Hezbollah/ Në pajisjet elektronike dyshohet se u instalua program spiun, me komandë vetëshkatërrimi

Sulmi ndaj Hezbollah/ Në pajisjet elektronike dyshohet se u instalua program spiun, me komandë vetëshkatërrimi

Një nga pajisjet elektronike të komunikimit të Hezbollah, e shpërthyer

Teksa shpërthimi i telekomanduar i 17 dhe 18 Shtatorit në mijëra pajisje elektronike komunikimi të anëtarëve të Hezbollah në Liban dhe Siri ka lënë deri tani të paktën 31 të vdekur, mbi 4300 të plagosur dhe 500 të verbuar, mënyra se si agjencia e inteligjencës izraelite Mossad, e dyshuar se qëndron pas shpërthimeve me një mesazh apo buton (edhe pse ende nuk ka dhënë reagim zyrtar), është një nga enigmat më të mëdha.

Një zgjidhje spiunazhi gati perfekte në dinamikën e saj, që kulmoi me çmontimin fizik të një rrjeti të gjerë të armikut më të përbetuar dhe të rrezikshëm të Izraelit. Dukshëm, sipas ekspertëve, ky sulm i organizuar ka kërkuar shumë kohë për realizim dhe ka qenë “asi nën mëngë” i Tel Avivit.

Zbatimi i planit është bërë vetëm tani, me ekzekutim urdhri, pikërisht në momentin që Izraeli përgatitet të hapë frontin e ri të luftës në Liban, pas betejës në Gaza me Hamasin. Por instalimi i baterive-bombë apo eksplozivit, është bërë prej shumë kohësh, si masë paraprake.

Nuk ka ende të dhëna se kur është bërë furnizimi më i fundit i Hezbollah me pajisjet teknologjike biper minicelularë (pagers) dhe pajisjet komunikuese të quajtura (walkie talkie). Kjo do të hidhte shumë dritë edhe për infiltrimin dhe planet e spiunazhit izraelit.

Dy janë pikëpyetjet e ekspertëve: Kur u vendosën pajisjet shpërthyese dhe ku?

Nëse do të ishte një minikarikues apo bateri shtesë brenda pajisjes, do të ishte diktuar nga përdoruesit që ishin me mijëra dhe do sinjalizonin qendrën e Hezbollah. Dërgesa nuk mund të jetë blerë pa siguri dhe pa kontroll. Dyshimi më i fortë mbetet paketa elektronike e pajisjes. Pra një tip softueri apo programi spiun i komandueshëm në distancë, me urdhër vetëshkatërrimi tek bateria.

Ky është opsioni më i besueshëm deri tani nga hetimet, edhe pse jo zyrtar apo i bazuar në ekspertizë kibernetike. Ndryshe, Hezbollah do e diktonte. Kompania që e ka prodhuar dyshohet se ka pasur personat e infiltruar brenda fabrikës së prodhimit, ose ka pasur dijeni për veprimin që po kryente.

Nëse ka porositur paketën elektronike të biperave dhe minicelularëve diku tjetër, atëherë hetuesit duhet të shkojnë në origjinë te furnizuesi. Fakti që deri tani kompania hungareze në Budapest, “Bac Consulting” nuk ka reaguar, lë shumë për të dyshuar.

Një program spiun brenda pajisjeve, Hezbollah do e kishte të vështirë që ta gjurmonte, kurse një minibateri-eksploziv shtesë brenda pajisjes do ishte më e diktueshme. Dërgimi i mesazhit “bip” në pajisje për 10 sekonda (referuar dëshmive), duket se ka aktivizuar programin e vetëshkatërrimit të baterisë: Nxehja e saj tej mase dhe si përfundim eksplodimi.

Nëse do ishte eksploziv, ekspertët mendojnë se do shpërthente që në sinjalin e parë që do binte zilja apo frekuenca zanore, por kjo është vetëm një hipotezë, pa pasur një rezultat ekspertimi.

Përdoruesit kanë kujtuar se po merrnin një mesazh, por ai ka qenë kodi sekret i programit spiun që ka aktivizuar shpërthimin. Dhe duket se më me fat kanë qenë ata që nuk e kishin me vete pajisjen në atë çast, nuk e kanë dëgjuar, ose nuk e kanë mbajtur afër organeve jetësore, si kokës apo zemrës.

A është e mundshme që me një program spiun të telekomandosh shpërthimin e një pajisjeje elektronike? Në kohët inovative të kibernetikës dhe teknologjisë, tashmë duket më shumë se e mundur dhe për më tepër e pagjurmueshme, ose e padiktueshme, kur pajisjet janë kaq të vogla dhe të komplikuara.

1726664460_liban.JPG

Një nga pajisjet elektronike biper (pagers) të shpërthyera

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • nini: 19/09/2024 12:26

    Ky ehste Mosad-i. I paprekshem dhe i paparishukueshem. Ata mund te jene kudo, mund edhe te futen te punojne si kamariere ne nje restorant nese kane dijeni se nje armik i Izraelit vjen e darkon. Pluhuri dinamit i eshte futur qe ne fabrikim talki walki me destinacion Libanin. Hazbollah s'ka ku te shkoje. Turperim i madh. Te shohim sa do kene fuqi t'i pergjjigjen nje shteti te vogel ne hapesire, por te fuqishem e gjigand ne mbrojtjen e territorit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Doktrina e re bërthamore është paralajmërim për Perëndimin

Kremlini: Doktrina e re bërthamore është paralajmërim për Perëndimin