Sali Berisha, pas dy ditësh heshtjeje totale për ngjarjen e rëndë të së shtunës në Zvërnec, në një reagim të vakët sot tha mes të tjerash se PD është mbështetëse e madhe e investimeve të huaja. Kjo deklaratë nga kryeopozitari i vendit merr kuptim kur media e familjes së tij “Syri Tv” nuk ka bërë asnjë lajm për ngjarjen ndërkohë që në historinë e Zvërnecit mediat shfaqin një emër të njohur të lidhur me Berishën, Artur Shehu, i cili thuhet se ka përfituar nga pushteti i PD-së, duke u bërë pronar tokash në jug.

***

“Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja”. Kjo deklaratë e kreut të PD Sali Berisha, se mbështet investimet e huaja, kur u pyet për ngjarjet e së shtunës në Zvërnec, duket se i jep shpjegim shumë situatave.

E para ky qëndrim i jep më shumë kuptim linjës së Syri Tv, televizionit të familjes së tij, media që edhe pse thotë se është opozitare nuk shkroi asnjë rresht apo nuk transmetoi asnjë kronikë për ngjarjet e bujshme, që nxitën reagimin e opinionit të gjerë publike.

Madje pronari në letra i Syri Tv, Çim Peka, në një shkrim thoshte se është kryeministri Rama pas protestuesve të Zvërnecit të cilët i akuzonte si sorra ambjentaliste.

Nga ana tjetër ka edhe një fakt të publikuar nga mediat, që merr më shumë kuptim pas mbrojtjes që Berisha i bëri “investimeve të huaja” para derës së SPAK, i pandehur për aferën “Partizani”. Mediat përmendin si pronar të tokave në Zvërnec, Artur Shehu, të cilin fije e lidhin edhe me Sali Berishën.

Mediat shkruajnë se Artur Shehu, një i fortë i Vlorës i viteve ’90, dhe ndihmësi i tij Pëllumb Petriti, i dënuar disa herë nga gjykata për tjetërsime pronash në jugun e Shqipërisë, në kohën kur Berisha qeveriste vendin si President, janë bërë pronarë të mëdhenj tokash. Gjatë kohës së pushtetit të parë të PD-së ata kanë marrë qindra hektarë tokë me vendime për kthim pronësie. Pasi kanë rregulluar letrat, me hipotekim, në mandatin e dytë të PD-së kanë shitur pronat tek biznesmenë të mëdhenj.

Nga ana tjetër gjithnjë është përmendur edhe një njohje personale e Berishës me Artur Shehun. Madje është diskutuar edhe një udhëtim i përbashkët me makinë, por Berisha ka deklaruar se nuk mban mend nëse e ka takuar ndonjëherë.

Artur Shehu, një ish gardist i periudhës kur Berisha ka qenë presidenti, mediat shkruajnë se është larguar nga Shqipëria pas përleshjeve vdekjeprurëse me një bandë të Vlorës më 1998,  dhe jeton prej dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara. Shpesh emri i tij është përmendur në debate politike, siç ka qenë rasti i një të ashtuquajture dosje “Aruba” nga opozita, por gjithnjë Berisha ka qenë i rezervuar me akuzat ndaj tij.