Mbrëmjen e së martës, teksa kaloje në zonën e Zogut të Zi, drejt Don Boskos, në terrin e natës dalloheshin shtëllunga të zeza tymi, të cilat kishin pushtuar gjithë hapësirën, si një fantazmë vdekjeje. Masa e tymit, e shkaktuar kryesisht nga lëshimi i gazrave të automjeteve të shumta që lëvizin gjatë gjithë 24-orëshit në Tiranë, ishte aq e dukshme dhe aq rrënuese për shëndetin, sa të digjnin sytë dhe të bllokohej frymëmarrja për shkak të përqindjes së lartë të dioksidit të karbonit dhe të pluhurave. Kjo është shenjë ndjellakeqe e vazhdueshme për të ardhmen e Tiranës, e cila po bëhet gjithnjë e më e pa banueshme dhe çdokush bën pyetjen nëse mund të jetohet shëndetshëm në këtë vend, apo duhen gjetur zgjidhje të tjera? Pyetja bëhet akoma shqetësuese kur flitet për të sëmurët kronikë apo të moshuarit.
Të gjithë e dimë se Tirana ka disa pika të nxehta, ku ndotja arrin disa herë më shumë sesa normat e lejuara. Por, askush deri më sot nuk ka menduar seriozisht për shëndetin e qytetit dhe të qyteteve tona.

Teksa dëgjova propozimin e kryeministrit Rama për të rritur taksën e qarkullimit me 10 lekë, apo siç u pagëzua ndryshe “taksa shëndeti”, mendova se ky është hapi i duhur, ndonëse i marrë me vonesë gjatë gjithë këtyre viteve, që mund të ndikojë pozitivisht mbi cilësinë e jetës së qytetarëve. Në Shqipëri janë aplikuar shumë lloje taksash, por askush nuk ka menduar se si mund të ndërtojmë një skemë taksimi e cila të çojë ujë në përmirësimin e shëndetit të individit apo të qyteteve tona.

Padyshim, ky taksim do të duhet të nisë te të gjithë ato subjekte apo individë që janë shëndet-dëmtuesit më të mëdhenj ( Në Ganë është rritur TVSH me 2.5%, masë e cila kalon për investime në shëndetësi). Ndotja që vjen djegia e karburantit të makinave dhe lëshimi i gazrave në mjedisin përreth; nga konsumi i cigares në mjedis private apo publike; nga përdorimi abuziv i pasurive duke dëmtuar eko-sistemin në tërësi, dikton politika taksimi të diferencuara. Këtu e ka zanafillën edhe nisma e parë, padyshim pozitive, e Qeverisë Rama, e cila ka ardhur në pushtet më 23 qershor, ndër të tjera, me premtime të forta dhe votbesim masiv qytetar për të bërë një sistem shëndetësor, bazuar në shërbimin shëndetësor universal.  Sipas OBSH-së, Mbulimi Universal Shëndetësor do të thotë që të gjithë njerëzit të mund të përdorin shërbimet shëndetësore, teksa janë të mbrojtur nga vështirësitë financiare të shkaktuara nga pagesat e shërbimeve.

Ky sistem përfshin ofrimin e një pakete shërbimesh shëndetësore bazike falas, por që të bëhet e mundur, një gjë e tillë ka kosto për Qeverinë dhe qytetarët. Premtimin për ofrim pa kosto të këtyre shërbimeve shëndetësore kreu i qeverisë nuk do ta bëjë të mundur me para që do të nxjerrë nga xhepi i tij, por me një rishikim të detajuar të fondeve buxhetore, mirëmenaxhimin financiar të institucioneve shëndetësore dhe orientimin e taksimit fillimisht te ata që konsiderohen si dëmtuesit më të mëdhenj të shëndetit në përgjithësi.

Shërbimet shëndetësore aktualisht janë në barrë e rëndë, e pamenaxhuar për buxhetin e lodhur të shtetit: Ndërkaq, cilësia dhe siguria e tij janë vënë aq shumë në diskutim sa qytetarët shqiptarë sot rrezikojnë më shumë se kurrë në bien në varfëri ekstreme, nëse do të përballen me një sëmundje të rëndë.  Gjithnjë e më të pambrojtur do të jenë nevojtarët e shërbimeve shëndetësore; dhe gjithnjë e më e vështirë do të jetë për qeverinë për të gjetur fonde shtesë në këtë sektor.
Nëse do të themi se deri më tani qeveritë kanë ofruar një shërbim shëndetësor bazë, me cilësi dhe standarde, padyshim që përgjigja është negative: Po ashtu, nëse do të thuhet se: A kanë paguar qytetarët për ta pasur një pasuri të tillë që të garantojë shëndet të sigurtë?, - sërish themi Jo. Prandaj, qeveria ka barrën kryesore që të mendojë se ku do të gjinden paratë për të mbuluar kostot e shërbimeve shëndetësore.

Duke taksuar më shumë ata që dëmtojnë më shumë shëndetin publik, qeveria i hap rrugën një mënyre të re dhe të përgjegjshme për të mbuluar koston e shërbimeve shëndetësore, dhe njëherësh siguron një ndarje të drejtë të përgjegjësive që ka secili prej nesh ndaj cilësisë së jetës: Pra, për shkak të rritjes së kostove, afërmendësh nesër do të ketë më pak makina në Tiranën e bajatosur nga nafta e “virgjër” e operatorëve të pandershëm, më pak duhanxhinjë, më pak të dehur, më pak.... Për rrjedhojë, do të kemi më pak shpenzime për blerje citostatikësh për mijëra e mijëra shqiptarë të prekur nga sëmundje tumorale, ku ndër shkaqet kryesore renditet edhe ndotja e mjedisit. Ky taksim e ul më shumë koston e buxhetit të shtetit, rrjedhimisht të qytetarëve sesa ndjekja e politikave të tjera.

Ndërsa, efektet negative që mund të rëndojnë qytetarët mund të mbulohen përmes ndarjeve të përgjegjësive bashkërisht nga qeverisja qendrore dhe vendore përmes politikave subvensionuese, sidomos kur flitet për transportin publik, i cili pritet të riskohet nga rritja çmimeve.
Thirrja që iu ka bërë ministri i Shëndetësisë disa ambasadave të vendeve të zhvilluara mike për ndihmë është shenja e qartë se spitalet dhe qendrat shëndetësore, të cilat janë në një gjendje kritike, të zhytura në borxhe të shumta, tregon se sistemi kërkon shumë investime dhe energji. Por, qoftë shtimi i fondit në masën 2.7 përqind të GDP-së apo rreth 9 përqind të totalit të buxhetit të shtetit ( fatkeqësisht më i ulti, krahasuar edhe me vendet e rajonit), apo marrja e kredive apo e fondeve përmes solidaritetit global, heqja e TVSH-së për barnat, rritja e bazës së taksimit për personat me sigurime shëndetësore, etj., - janë të pamjaftueshme nëse nuk do të ketë një ndryshim radikal të menaxhimit të institucioneve shëndetësore.

Askush nuk mund të nxjerrë një kosto financiare vjetore të shërbimeve shëndetësore, pa pasur të dhëna të sakta për numrin e pacientëve, llojet dhe trendin e patologjive, shkaqet e sëmundjeve, gjendjen profesionale të mjekëve, shkallën e teknologjisë për diagnostikim dhe intervenim; dhë së fundi, për zhvillimin e fushatave informuese, edukuese për parandalim, duke e orientuar realisht dhe konkretisht sistemin drejt politikave më pak klinike dhe më shumë parandaluese.

Në thelb, besoj se pa hapur kapitullin e një dialogimi me pacientët dhe qytetarët aktivë në këtë fushë, si palë përfituese dhe të interesuara, nuk mund të ketë një buxhetim normal vjetor në shëndetësi. Po ashtu, pa qenë të vetëdijshëm të gjithë drejtuesit e institucioneve shëndetësore se çfarë paketash shërbimi dhe se çfarë kostoje ka mbulimi shëndetësor universal, është e vështirë të thuhet se jemi në rrugën e duhur për një reformim të sistemit.
Pikërisht për këto arsye e konsideroj të gjetur dhe e mbështes vendosjen e të ashtuquajturës “taksë për shëndetin”, e cila, nëse do të aplikohet me transparencë, do të jetë hapi i parë për më pak mjergull dhe dioksid karboni në Tiranë dhe shumë shpejt do të japë rezultate për shëndetin e qytetarëve dhe qyteteve tona.
 

Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)