U bashkuan të gjithë me ish - të përndjekurit. Politikanë, intelektualë, sindikalistë dhe diplomatë të huaj. Diplomatët detyruan Presidentin dje që të niste negociatat me grevistët. Berishën nuk mund ta detyrojnë kjo dihet tashmë. Ai nuk lëshon kurrë para askujt. Takimi në Presidencë nuk i dha fund grevës, por i dha fund injorimit të institucioneve dhe si rrjedhim edhe vetëdjegieve. Kjo pasi tre ish - të përndjekur i vunë flakën vetes. Akti ekstrem i vetëflijimit që e tejkaloi protestën esktreme të grevës së urisë është prova e përndjekjes së tyre nga diktatura dhe demokracia. Nuk e dogjën jetën në komunizëm se kishin shpresë se do të kishte një fund dhe një shpëtim, e djegin jetën tani se nuk e dinë ç'vjen pas kësaj kohe dhe nuk kanë më shpresë. Dorëzimin e tyre në flakët e vdekjes e qesëndis vetëm kryeministri. Ai që si përgjegjës për këtë gjendje duhet të reagonte i pari, bën humor me benzinën që djeg njerëz dhe lë fëmijë jetimë. Pas 21 ditësh, greva ka përgënjeshtruar çdo akuzë që kryeministri përdor si justifikim për indiferencës vrasëse. Berisha thotë se greva është politike, por ata nuk kanë asnjë kërkesë politike. Ata kërkojnë dëshpërblim, rehabilitim dhe integrim. Vizitat e partive nuk mund të shërbejnë për t'i vënë damkën politike.Grevën e bëjnë politike kërkesat, jo pjesëmarrësit. Dhuna verbale e qeverisë, refuzimi i negociatave dhe injorimi i kërkesave mund ta shndërronin grevën në politike, por ata nuk pranuan të përdoren. Pas 21 ditësh të përndjekurit nëpër Shqipëri e kuptuan dhe u bashkuan me kërkesat e tyre. Shumë vonë dhe shumë pak, por të paktën diçka lëvizi.
Kanë tentuar disa herë në këto vite, me Partinë Demokratike apo me Partinë Socialiste në pushtet. Kanë bërë protesta të të gjitha llojeve dhe kanë arritur të marrin shumë pak. Dëmshpërblime në formë pensionesh të vogla që nuk mjatojnë as për të mbajtur frymën gjallë. Asnjë mundësi strehimi. Letra me vlerë që marrin vlerë të papërfillshme në treg dhe shërbejnë vetëm për të çliruar qeverinë nga detyrimi ligjor i dëmshpërblimit. Institutete krijuara nga PS e PD ishin dhe janë tentativa për kapjen dhe kontrollin e drejtuesve të tyre si mënyrë për të qeverisur pa probleme. Në 22 vjet, 13 kanë kaluar në qeverisjene Partisë Demokratike, që i priti në janar të 1991 kur dolën nga burgjet me premtimin që do t'u rikthente jetën. Por vetëm u vuri shenjën e votuesit të përjetshëm. Është kjo shenjë që i mban peng kërkesat e tyre. Nëse ata do të integroheshin, do t'u shëroheshin plagët e komunizmit, do të rehabilitoheshin dhe do të humbnin mes njerëzve pa plagët e komunizmit. Ato plagë janë shenja që Berisha u ka vënë votave të tyre, zhdukja e plagëve e tremb. Prandaj ata duhet t'i mbartin plagët deri në fund të jetës që vota e tyre të ketë shenjë. Prandaj qeveria i lë pa shtëpi dhe pa para që ata gjithmonë të shpresojnë se mandatin e ardshëm diçka do të ndodhë.
Nuk janë vetëm të përndjekurit. Edhe pronarët janë të shenjuar. Ata kanë vite që presin nga "qeveria e djathtë" kthimin e pronave ose kompensimin. Kanë marrë vetëm ngastra toke, gjysma shtëpish dhe nga një pension të vogël si premtim për kompensimin. Në mandatin tjetër do të jetë më mirë. Me këtë premtim vota e tyre me shenjën blu shkon në kutinë e votimit. dhe të palegalizuarit e tokave dhe të shtëpive janë të shenjuar. Prej 7 vjetësh presin realizimin e premtimit për legalizimin. Aluizni vonon, por nuk harron. Duhet dhe një mandat tjetër. Vota duhet dorëzuar edhe një herë. Ka qindra mijë të shenjuar që dëgjojnë çdo fushatë të njëjtat premtime. Ata që nuk kanë shenjë të trashëguar, paguhen në çast për ta bërë. Këta janë të papunët, të pashpresët, që nuk regjistrohen as në zyrën e punës, që nuk marrin as asistencën minimale, që nuk marrin as kompensime për çmimet në rritje. Kanë një rrogë një herë në 2 vjet, rrogën e votës. Kjo ushtri të shenjuarish duhet edhe këtë herë, ndaj problemet e tyre nuk do të zgjidhen.
Dje Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u nisën jashtë vendit për t'u kuruar. Një iniciativë e kryetarit të opozitës, e sponsorizuar nga biznesmenë pranë saj, që u mundua të duket si një akt humanizmi, jo si një gjest përfitimi politik. Por përmendja e vazhdueshme e Edi Ramës gjatë nisjes së dy heronjve të prostestës, e kompromentonte pafajësinë politike. Nëse socialistët nuk po mundohen të vënë shenja të kuqe tek ish - të përndjekurit, mund t'i shërojnë duke u dhënë shpresë. Një shpresë që vërtet do të bëhet diçka, një plan konkret që siguron jo vetëm kompensimin, por gjithë proçesin e rehabilitim dhe integrimit të tyre.