TIRANE - Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë kundër përdorimit të armëve, me titullin "Mos gjuaj por duaj". Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë një aksion për mbledhjen e armëve pa leje në të gjithë Shqipërinë.

"Në çdo konflikt qytetarët gjejnë një armë dhe zgjidhjes se konfliktit. Kjo vjen për shkak të thjeshtësisë për të gjetur një armë dhe tjetra është sistemi i drejtësisë dhe i detyron qytetarët të bëjnë vetëgjyqësi. Punonëjsit e policisë do shkojnë në çdo shtëpi në të gjithë Shqipërinë, për të komunikuar me qytetarët dhe për të krijuar shtegun ligjor që të dorëzohen armët e paligjshme. Ky është vetëm fillimi i një pune shumë të madhe. Kërkon kohën e vet, por na duhen shumë energji, që nesër të kemi një të ardhme më të mirë."- u shpreh Tahiri.

Ministri Tahiri deklaroi, se “nga viti 1997 dhe deri tani, në Shqipëri kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë mbi 10 mijë qytetarë shqiptarë”.

Ndër të tjera, ministri kritikoi këngëtarët shqiptarë që shfaqen me armë në dorë përpara publikut, duke u bërë thirrje që të promovojnë dijen dhe kulturën dhe jo forcën e muskujt.

"Të rinj apo të reja shpesh herë artistë, akoma më shpesh këngëtarë i shfaqen publikut me armë në dorë. Ky është një problem jo i vogël i shoqërisë, për sot dhe gjithçka duam të bëhemi nesër. Promovoni modelet pozitive të ndërtuarit të një jete më të mirë, larg dhunës së çastit, larg mburrjes me muskuj, me armë, të promovoni dijen dhe kulturën."- deklaroi ministri Tahiri.