Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzoi sot Prokurorinë se po hedh baltë mbi punën e Policisë së Shtetit.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të automjeteve elektrike për Policinë e Shtetit, Tahiri theksoi se po sulmohet puna e policisë si nga opozita, media ashtu edhe nga Prokuroria. Tahiri shtoi se burime pranë Prokurorisë janë bërë si "Qytetari Dixhital", duke ironizuar kështu me termin e ish-kryeministrit Sali Berisha për informatorët e tij në rrjetet sociale. 

"Jam shumë i bindur se sot ka pak nga ata që mendojnë se “Fronti i të keqes” është vetëm brenda SHQUP-it, ka shkuar shumë përtej sesa SHQUP-i. Ka shkuar në segmente të caktuara të medias, madje dhe “burime të Prokurorisë” janë bërë si qytetari dixhital. Edhe sot mbase e gjejnë diçka për të synuar të bëjnë pis Policinë e Shtetit dhe punën tonë. Me siguri do dalë ndonjë portal, gazetë, ndonjë konferencë shtypi te SHQUP-i, që të hedhë një akuzë apo pak baltë tek puna jonë. Kjo është fare e natyrshme. Është shenja më e mirë e dëshpërimit e të gjithë atyre që deri dje nuk bënin dot këto që bëjmë ne dhe të gjithë atyre që nuk kanë sesi pajtohen dot me rezultatet tona. Ne jemi tërësisht komod me cilindo që në balancën ndërmjet luftës sonë me paligjshmërinë, me informalitetin, me kriminalitetin, apo luftës ndaj Policisë kanë zgjedhur të luftojnë Policinë. Ajo është çështje e tyre. Por çdo akuzë dhe çdo përbaltje është mundësia jonë më e mirë për të konfirmuar rrugën që kemi nisur për të rilindur Policinë e Shtetit e për t’i bërë qytetet tona më të sigurta. “Fronti i të keqes” sulmon të gjitha ata që nuk i ka në shërbim. Akuzat dhe përbaltja nga “Fronti i të keqes” shkojnë ndaj atyre që nuk i kanë në shërbim. Në këtë kuadër unë jam shumë i lumtur që Policia e Shtetit është në shërbim vetëm të qytetarëve", u shpreh Tahiri.