Tahiri: Grabitja e bankave, policitë
private nuk përmbushin detyrimet

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar standarde europiane për policitë private.

Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqërive private të sigurisë publike, Tahiri tha se përmirësimi i standardeve për policinë private duhet të nisë nga pagat e 9000 punonjësve të kësaj strukture.

Tahiri kërkoi nga shoqëritë private të respektojnë ligjin për pagat minimale dhe për këtë qëllim ministri i Brendshëm la një muaj afat që të përmbushin kushtet. 

Sipas tij, nuk duhet të ketë punonjës të policisë private me pagë më të vogël se 330 mijë lekë në muaj.

"Zbatoni detyrimet ligjore dhe kontraktuale me kompanitë. Brenda një muaji secili të përmbushë detyrimin ligjor duke paguar me minimumin që përcakton ligji për çdo punonjës. Kështu ju themi shqiptarëve se ofrojmë një standard më të lartë sigurie, pra që 9000 punonjësit e policisë private të paguhen minimalisht nga 330 mijë lekë në muaj. Realiteti juaj në letra është siç e kërkon ligji, e vërteta është se ka punonjës që paguhen as sa gjysma e asaj që përcakton ligji. Ka policë që paguhen 180 mijë lekë në muaj. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Kemi të gjitha mundësitë që të ofrojmë më shumë siguri, standarde cilësore, në raport me punën që bëni për qytetarët, bizneset dhe sigurinë e përgjithshme", u shpreh Tahiri. 

Ministri i Brendshëm theksoi se kontratat e shoqëirve private të sigurisë arrijnë deri në 20 milionë euro në vit, buxhet i cili kalon atë të Policisë së Shtetit. 

"Kontratat tuaja në një vit shkojnë mbi 20 mln euro, pagesë kjo që kapërcen disa herë buxhetin e Policisë së Shtetit. E tillë është marrëdhënia ndërmjet nesh dhe mes jush e privatëve, por kjo është e pafalshme që ky potencial të shndërrohet në përfitim në disa xhepa dhe të mos shkojë aty ku ka nevojë. Jemi në dispozicionin tuaj, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, për të bërë një shtet më të fortë, institucione më të forta, për më shumë siguri për qytetarët, duke bashkëpunuar me ju dhe duke konsideruar çdo hapësirë si një mundësi për të pasur cilësi më të mirë", theksoi Tahiri. 

Ministri i Brendshëm shtoi gjithashtu se niveli i rekrutimit të policëve privatë ka qenë shumë i dobët gjë që në shumë raste ka sjellë edhe pasoja.

Ai përmendi grabitjen e bankave, ndërsa policitë private sipas Tahirit, s'kanë qenë në lartësinë e detyrës. 

"Kompanitë private të sigurisë nuk kanë përmbushur detyrimet. Janë vjedhur banka dhe kompanitë privatë nuk kanë përmbushur detyrimet. Ka pasur grabitje të transportit monetare dhe policia është lajmëruar 11 minuta me vonesë. Ka hapësira për shume siguri, por duhet nisur nga burimet njerëzore", deklaroi më tej Tahiri. 

Ndërkohë, vetë përfaqësuesit e kompanive private u ankuan për mënyrën e tenderimit të tyre si dhe për bashkëpunimin me institucionet, kryesisht bankat. 

“Bankat në shqipëri, a kontrollohen nga njeri? Na thonë 200 mijë lekë paguajmë ne, e pranojmë, e sheh rojen para bankës që nuk e merr as në ara për të ruajtur misrin. Puna e policisë private është katandisur për të vënë duart në kokë”, thonë përfaqësuesit e kompanive private.

Në Shqipëri, ka mbi 250 shoqëri të sigurisë fizike, ku janë të punësuar mbi 9 mijë punonjës.


Prononcimi për mediat i ministrit Tahiri

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre