Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i akuzuar si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt do kërkojë heqjen e "arrestit shtëpiak" në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

Seanca do zhvillohet në datën 28 maj, ora 13:00. Kërkesa është dorëzuar këtë të mërkurë nga avokati mbrojtës Maks Haxhia. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi 10 ditë më parë të lërë në "arrest shtëpie" ish-ministrin pas mbërritjes së provave të reja nga Italia dhe Greqia ku pretendohet se Tahiri ka bashkëpunuar me Habilajt.

Madje, sipas prokurorisë ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz, Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të 2017 si kreu i grupit kriminal të trafikut të kanabisit.

Pikërisht nga përgjimet ambientale të Habilajt me bashkëpunëtorët e tij përmendet emri i Tahirit. Por deri tani, në bazë edhe të materialeve të dorëzuara nga drejtësia italiane, nuk ka prova të mjaftueshme që të fajësojnë ish-ministrin socialist, i cili në fillim të këtij muaji dorëzoi edhe mandatin e deputetit për t'u përballur me akuzat e Prokurorisë.