Përparimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni duhet të ngrihet në status shtetformues, tha ministrja për Dialogun në qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri gjatë një vizite në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë me ftesë të dekanes së Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Elena Andreevska, me ç' rast ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti, si dhe ka dhënë një prononcim për media për rrjedhat aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Ministrja Tahiri, sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, në ligjëratën e saj foli për progresin dhe sfidat në shtetndërtimin e Kosovës, për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë, për nevojën e avancimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.
Ministrja Tahiri theksoi se Kosova udhëhiqet nga vizioni euroatlantik dhe ka bërë përparime shumë të rëndësishme në procesin e ndërtimit të një shteti demokratik dhe funksional duke ndërmarrë reforma të gjithanshme evropiane me synim që të bëhet sa më shpejtë anëtare e BE-së, NATO-s, OKB-së dhe organizatave tjera relevante.
"Duke marrë parasysh se liria dhe pavarësia e Kosovës kanë rezultuar nga njëqind vjet luftë e sakrificash të popullit shqiptar, jemi të përkushtuar që të forcojmë shtetin në të gjitha planet dhe me prioritet për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik si dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor me një arsimim modern për të siguruar mirëqenie dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe veçmas për rininë", ka theksuar ministrja Tahiri.
Në vazhdim ajo foli për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë, duke i vlerësuar si marrëdhënie të mira fqinjësore, ku potencoi se perparimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni duhet të ngrihet në status shtetformues, si dhe kërkoi përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo theksoi se partitë politike shqiptare të Maqedonisë duhet të kenë unitet rreth çështjes kombetare, respektivisht për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa mund kenë pluralizëm qëndrimesh në çështjet e qeverisjes në Maqedoni.
Në kuadër të politikave rajonale, Ministrja Tahiri tha se të gjitha vendet e rajonit e kanë vendin në familjen euroatlantike dhe kërkoi përshpejtimin e reformave dhe integrimin sa më të shpejtë të Kosovës dhe gjithë vendeve të rajonit në BE dhe NATO, si një rrugë e vetme për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe si një mundësi për të parandaluar ndikimet negative të dinamikave të reja gjeopolitike që vijnë nga vende joperëndimore.
Prof. Demush Bajrami në fjalën e tij hyrëse foli për veprimtarinë politike të ministres Tahiri si një nga protagonistet kryesore të procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për formimin dhe punën e saj që nga vitet e hershme e deri më tani si ministre dhe udhëheqëse e dialogut Kosovë-Serbi, duke i uruar suksese edhe më tutje në punën e saj
Ministrja Tahiri po ashtu pati edhe takime të ndara me udhëheqësit e UEJL të Tetovës: me Dekanen e fakultetit të APSHP-së, Elena Andreevska dhe mësimdhënësit e këtij departamenti, ku u angazhua për rritjen e bashkëpunimit në fushën akademike mes dy vendeve. Ajo u takua edhe me prorektorin Blerim Reka, ku biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Universitetit te Prishtinës dhe të Maqedonisë, bashkëpunimin në planin akademik, vizionin e përbashkët dhe integrimet evropiane./atsh/