SHKODER- Për Pretash Nilajn, lahutarin nga Kelmendi, lajmi se lahuta shqiptare mbrohet nga UNESCO është një moment krenarie, një emocion i jashtëzakonshëm.

“Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur për këtë instrument që u bë pjesë e trashëgimisë botërore”, shprehet në intervistë për Report TV.

Më tej rrëfen se: “Takimi im i parë me lahutën ka qenë që kur isha fëmijë. E ka pas gjyshi e baba. Unë përpiqem t’ua trashëgoj fëmijëve edhe pse ka ardhur kohë jo e mirë sepse fëmijët tanë janë emigrantë nëpër botë”.

Lahuta, instrument i lashtë i punuar zakonisht nga druri i arrës, me një tel të vetëm, është shoqëruar brez pas brezi me këngët epike që rrëfejnë historinë, trimërinë dhe nderin. Për Pretash Nilajn, ajo nuk është thjesht një instrument; është jeta e tij, trashëgimia e familjes dhe e komunitetit.

“Epiqendra e lahutës është në Malësinë e Madhe, përmendur kjo dhe nga At Gjergj Fishta. Ëshë detyrë e jona si lahutar që t’i mësojmë të rinjtë se çfarë është lahuta e për çfarë shërben ajo”, shprehet rapsodi.  

Ky vendim i UNESCO-s i jep fund njëherë e mirë aludimeve se origjina e saj mund të ishte serbe.

“Patëm dëshpërim kur e çoi Serbia në UNESCO por tashmë jemi të lumtur se UNESCO e njohu si pasuri tonën kulturore”.

Megjithatë, Pretash Nilaj është i ndërgjegjshëm se për ta ruajtur këtë pasuri të vyer, duhet vepruar që tani nga shteti shqiptar. Propozon që lahuta të përfshihet si në programet mësimore si dhe në aktivitetet kulturore që zhvillohen në shkollat publike.

“Patjetër që nxënësit duhet të mësojnë në shkolla për vlerat e lahutës dhe menyrën se si ajo ka mbijetuar deri me sot. Besoj se Qeveria do ta bëjë këtë, do ta përfshijë në programet mësimore”, thekson Pretash Nilaj.  

UNESCO ka përfshirë artin e të luajturit, të kënduarit dhe ndërtimin e lahutës në listën e pasurisë kulturore jomateriale me mbrojtje urgjente. Ky instrument i lashtë, muzikor, përdorur kryesisht në veri të vendit është pjesë e identitetit shqiptar dhe e trashëgimisë së pasur kulturore.