Mjeshtëria e punimit të xhubletës, një traditë unike shqiptare me vlera historike e artizanale të veçanta, prej dhjetorit të vitit 2022 është pasuri e mbrojtur nga UNESCO. Sot, kjo veshje tradicionale, kryesisht në Malësinë e Veriut, nuk gjen më përdorim të përditshëm, e rrezikon të humbasë identitetin e saj nëse artizanet nuk i trashëgojnë sekretet e ndërtimit të saj.
“Objekti në vetvete është tekstil dhe vjen një moment dhe shpërbëhet, prishet. Kështu që dijebërja është ajo që do ta mbrojë, do ta ruajë dhe do të vijojë që kjo veshje të jetë mes nesh”, -thotë studiuesja Silvana Nini.
Mes një mjedisi të veshur me sixhade dhe tekstile artizanale në GAT, u fol pikërisht për dijebërjen e xhubletës, një proces që sot njihet kryesisht nga pak gra të moshuara
“Elementi material, siç është objekti në vetvete është i lidhur ngushtësisht me dijebërjen dhe është pikërisht kjo dijebërje që jep këtë formë dhe këtë pamje vizuale që xhubleta ka. Duke qenë si një element shumë i rëndësishëm i trashëgimisë tonë kulturore, patjetër që ka një interes shumë të madh edhe për të rinjtë, për të vijuar njohurinë mbi trashëgimin tone, por në një farë mënyre për të vijuar edhe atë dijebërje. Dijebërje, e cila në një farë mënyre mbeti si në mes, në momentin që xhubleta doli nga përdorimi.”, thotë për “Report TV” studiuesja Silvana Nini.
Të krijosh një xhulbletë duhet të kalosh mes një sërë procesesh, të cilat kërkojnë edhe kontributin e burrave, në veglat e punës, në qethjen e leshit dhe në procesin e dërstilimit.
“Tekstili është dydimensional, pastaj formëzohet në tredimensional për t'ju përshtatur veshjes së trupit të njeriut. Padyshim që element të përbashkët me shtrojet kemi, për faktin që bëhet fjalë për materialin e leshit, sepse xhubleta është komplet e ndërtuar me material leshi. Bëhet fija me të cilat endet pëlhura. Pëlhura pastaj futet në dërstilim, bëhet një shajak, i cili është i thurur dhe bëhet shumë i fortë. Por një element tjetër shumë i rëndësishëm i xhubletës është spiku. Spiku është një material tjetër që bëhet përsëri me fijen e leshit, por përbëhet nga thurja. Thurja me një me një vegël që quhet koshi i spikut. Dhe të dyja këto duke u ndërthur strukturojnë të gjithë veshjen e xhubletës dhe pikërisht prerja dhe qepja pastaj janë shumë të rëndësishme për të dhënë atë formë të veçantë përsa i përket elementeve të tjera të veshjes. Përsa i përket prerjes dhe qepjes, xhubleta këtu përbën një diferencë shumë të madhe dhe nga veshjet e tjera, pikërisht për specifikat e saj, duke marrë një formë shumë impresionuese.”, vijon Nini.
Gratë janë ato që i japin xhubletës formën përfundimtare, që shenjon identitetin fizik dhe shoqëror të gruas: nga periudha e vajzërisë, tek martesa, dhe momente të tjera të rëndësishme të jetës së saj, si përcjellja për në botën e përtejme.
“Xhubleta, pavarësisht se ka dalë nga përdorimi i përditshëm, vijon të jetë një element shumë i rëndësishëm për komunitetin që e përdor. Sigurisht nuk përdoret në përditshmëri, nuk përdoret në ato rituale të një periudhe të caktuar historike, por me ndryshimin e mënyrës së jetesës, sot ajo përdoret në dasma, përdoret në momente të ndryshme festive, përdoret në logun e bjeshkëve, pra është një element që vijon të përdoret, vijon të mbrohet nga komuniteti.”, thotë Nini.
Biseda për xhubletën u mbajt në kuadër të ekspozitës “Qoftë e Shëndetshme Dora që Krijon”, me qilima të artistëve nga Azerbajxhani dhe artistit shqiptar Xhevahir Kolgjini
Komente









