Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të hënë në Tiranë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim ku në fokus ishte ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë bisedës, u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, përfshirë zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.
Begaj i përcolli Costës vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Presidenti.
Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, ndërsa falënderoi Antonio Costan për prioritizimin e procesit të zgjerimit gjatë mandatit të tij.
“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian. Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë.”, deklaroi Begaj.
Vizita e Antonio Costës në Tiranë vjen në kuadër të turit të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm 3 ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Shqipëria ndodhet aktualisht në një fazë intensive të negociatave me Bashkimin Europian dhe ka shpallur objektivin për të avancuar me mbylljen e grupkapitujve, me synimin për t'u afruar sa më shumë me anëtarësimin e plotë në bllokun 27-anëtarësh brenda vitit 2030.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Turi në Ballkan/ Presidenti i Këshillit të Europës në Tiranë! Rama: Kemi dakordësi çdo çështje, s’kemi shqetësime që na ndajnë, por vetëm që na bashkojnë










