Taksa e ndikimit në infrastrukturë sjell 32% të të ardhurave të pushtetit vendor! Rekord Tirana, Kamza, Saranda

Taksa e ndikimit në infrastrukturë sjell 32% të të ardhurave të pushtetit vendor! Rekord Tirana, Kamza, Saranda

Saranda

Taksa e ndikimit në infrastrukturë mban rreth 32% të peshës së të ardhurave nga burimet e 61 bashkive (duke përfshirë të ardhurat nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore) e ndjekur me 17% të peshës nga tarifat e mbledhura për gjelbërim dhe pastrim, dhe 17% pesha e të ardhurave nga tarifat administrave si dhe 16% nga taksa mbi pronën, sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive

Për 2022 arkëtimet me rritjen më të lartë janë nga taksa e hotelit, ndërsa arkëtimet nga taksat dhe tatimet nga biznesi i vogël u tkurrën 77%, duke shënuar rënien më të lartë. Në total të ardhurat e 61 bashkive nga burimet e veta (duke përfshirë taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) për 2022 arritën në vlerën e 285 mln eurove. Krahasuar me vjet të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore u rritën 7%.

Të ardhurat nga taksat e pushtetit vendor për 2022 ishin rreth 165 mln euro. Krahasuar me 2021 u rritën 1,7%. Të ardhurat nga tarifat arritën 111 mln euro dhe në raport me 2021 u rritën 11,3%. Ndërsa të ardhurat e tjera vendore janë 9 mln euro. Në 2022 u rritën 83% krahasuar me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive vihet re se në zërin e të ardhurave nga taksat, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë (+680 milionë lekë) dhe taksa e hotelit (+104 milionë lekë).

Performanca pozitive e vërejtur përgjatë vitit 2022 për këtë taksë i atribuohet 34 bashkive e më së shumti bashkive Tiranë (+112,1 mln lekë), Kamëz (+133 mln lekë), Sarandë (+140 mln lekë), Vlorë (+185 mln lekë) dhe Shkodër (55,5 mln lekë). Ndërkohë që evidentohen një numër bashkish si bashkia Lezhë ku taksa e ndikimit në infrastrukturë shfaqet me rënie (-106 mln lekë), bashkia Korçë (-18.6 mln lekë) dhe bashkia Kurbin (-14.3 mln lekë) të cilat kanë performuar dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në raport Instituti i Bashkive ngre shqetësimin e detyrimeve të prapambetura të bashkive, duke ju bërë apel atyre të mos planifikojnë buxhete optimiste që më pas mund të shtojnë borxhet.

“Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë të varura ekskluzivisht nga kërkesa për leje ndërtimi si dhe nga miratimi i tyre nga njësitë e qeverisjes vendore, ç’ka e bën këtë taksë jo fort të parashikueshme dhe për rrjedhojë me karakter të ç ‘rregullt. Duke qenë se për disa nga bashkitë e marra në analizë, të ardhurat nga kjo taksë kanë një përpjesë të rëndësishme në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, duhet që këto bashki të jenë të kujdesshme në planifikimin e të ardhurave nga kjo taksë në periudhat afatmesme në mënyrë që të mos hasin situata të “parashikimeve tejet optimiste” që mund të konkretizojnë mundësinë e krijimit të detyrimeve të prapambetura në krahun e shpenzimeve buxhetore të tyre”, citohet në raport.

Sakaq të ardhurat nga taksat dhe tatimet nga biznesi i vogël të mbledhura nga bashkitë kanë rënë 77,3% në 2022 krahasuar me një vit më parë. Nga taksa e ndërtesës në 2022 u arkëtuan 41 mln euro të ardhura. Të ardhurat për këtë zë krahasuar me vjet u ulën 1,6%.

Arkëtimet nga taksa e hotelit për 61 bashkitë e vendit llogariten në vlerën e 2,6 mln euro. Krahasuar me 2021 arkëtimet nga kjo taksë u shtuan rreth 56%. Ndërsa arkëtimet nga taksa e tabelës arritën në vlerën e 3,2 mln eurove. Niveli i arkëtimeve në raport me vjet u rrit rreth 10%. /Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë