Negociatat mes qeverisë dhe koncesionarit për tarifat e reja të Rrugës së Kombit mbetet e veshur me mister. Si qeveria ashtu edhe grupi negociator i koncesionit nuk japin detaje se çfarë kanë prodhuar negociatat që udhëhiqen nga ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri por mjaftohen duke rrjedhur ne media të caktuara detaje.
Një situatë e tillë po kthehet në ping-pong mes grupit të interesit që janë banorët e Kukësit të cilëve po iu serviren të dhëna me pikatore.
Gjatë të shtunës është raportuar në disa media se grupi ndërministror qeveritar dhe kompania koncesionare e rrugës Milot-Morinë kanë përmbyllur procesin e negociatave duke dalë me një formulë konkrete për tarifimin preferencial të banorëve të Qarkut të Kukësit dhe autobusëve të linjës dhe përdoruesve të shpeshtë.
Sipas këtyre informacioneve ende jo zyrtare është rënë dakord që kalimi me pagesë të nisë më 17 shtator dhe të gjitha automjetet e regjistruara në Qarkun e Kukësit do të paguajnë një tarifë prej 100 lekë me TVSH për një kalim. Përdoruesit e Qarkut të Kukësit do të parablejnë përmes telepass në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime në muaj me këtë tarifë të reduktuar.
Sakaq do të ketë reduktime të tarifave edhe për linjat publike të autobusëve që parashikohet të paguajnë 100 lekë me TVSH për çdo kalim. Tarifa të reduktuara do të kenë edhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Parashikohet se ata që kryejnë 10-30 kalime në muaj kanë 10% zbritje.
Ndërsa 20% zbritje për ata që kryejnë 30 deri 50 kalime në muaj. 30% zbritje parashikohet për 50 deri 60 kalime mujore. Zbritjen më të madhe në 40% do ta kenë të gjithë personat me mbi 60 kalime në muaj.
Tentativa e parë
Tentativa e parë qeverisë dhe koncesionarit për të nisur mbledhjen e taksës më 1 Prill 2018 shkaktoi një revoltë të dhunshme të banorëve të Kukësit të cilët shkatërruan dhe dogjën stacionet nga ku do të bëhej pagesa.
Disa ditë më pas kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë kuksianëve për mos informimin e duhur në lidhje me tarifat që do të aplikoheshin për banorët lokal. “Nuk do të rifillojë pagesa pa gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, premtoi Rama.
“U kam kërkuar ndjesë, nuk patëm intuitën për të kuptuar nevojën që të sqaronim” do të theksonte kryeministri. Megjithatë dy muaj më pas nga protesta e kuksianëve mungon përsëri komunikimi publik me ta për ti njohur me vendimin e ardhshëm së këtij koncesioni dhe sa do të paguajnë ata konkretisht.
Konsultimet
Disa ditë më parë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, pritën në takim një përfaqësi biznesesh nga Oda Ekonomike e Kosovës, në kuadër të konsultimit me grupet e interesit përpara rivendosjes së tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë.
Gjatë këtij takimi u pohua rëndësia e madhe që rruga Milot-Morinë, e njohur si Rruga e Kombit, ka për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Ne biem dakord që një tarifë duhet. Problemi është se si ta zbusim dhe mitigojmë këtë tarifë. Çdo gjë që ulet këtu prapë e paguajnë qytetarët shqiptar dhe këtë duhet ta kuptojmë, pra Buxheti i Shtetit. Meqë u ngrit ky shqetësim, është bërë studimi dhe është nxjerrë kostoja e mirëmbajtjes dhe prandaj u detyruam të shkojmë tek praktika koncesionare. Rruga do minimalisht 7 milion euro në vit për mirëmbajtje dhe do dalë kjo shumë; ose do paguajnë gjithë shqiptarët ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta. Nuk janë kosto të fshehura ato.
Ministri Damian Gjiknuri
Zbritja për udhëtarët e shpeshtë
Qeveria po negocion për të pasur një zbritje për udhëtarët e shpeshtë.
Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negocuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, ketë gjë ne e kemi parimore pasi me të drejtë atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla.
Ministri Damian Gjiknuri
Hajdutet kerkojne leke nga populli me I varfer me bote???
Përgjigju