Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha dje se LSI nuk mban asnjë përgjegjësi për taksën e Rrugës së Kombit, ndonëse propozimi është bërë nga ish-ministri i Transporteve i LSI, Edmond Haxhinasto, në vitin 2015. Sipas Vasilit, LSI nuk i qëndron më atij propozimi sepse që nga 2015 deri në 2018, ekonomia e shqiptarëve është rrënuar. “Jo nuk ka asgjë përgjegjësi LSI për këtë punë. Në vitin 2015 është bërë një draft i parë dhe deri në 2018-ën, Shqipëria nuk eci në rrugën e një Shqipërie normale, e cila do të rriste të ardhurat ekonomike, do të zhvillohej ekonomikisht, do të lulëzonte sikurse qeveria thoshte dhe fliste, por ra në greminën e një qeveri dhe të një qeverisje dhe të një ekonomie të drogës dhe të kanabisit. Thënë e tillë, shqiptarët u rrënuan, mijëra ikën në Evropë në emigrim, varfëria dhe mjerimi u thellua. I gjithë konteksti kur filloi të diskutohej kjo punë, rezultoi të ishte një kontekst I ri, ku nuk pati lulëzim, por pati rrënim. Në rrethana të tilla, sigurisht që mbahen qëndrime të tjera”, tha Vasili. Sipas Vasilit, tani janë 5 milionë shqiptarë, të cilët reagojnë kundër taksës së Rrugës së Kombit. “Qeveritë kanë detyrë të eksplorojnë të gjitha llojet e mundësive, por kur treguesit ekonomik janë të tillë që ta lejojnë që të ecësh përpara me një zgjidhje të caktuar mund të ecësh. Por kur ekonomia përfundon në një ekonomi kanabisi, e thashë edhe njëherë tjetër, një kolegu juaj në Kosovë thotë, meqenëse po bie ekonomia e kanabisit po vënë taksën për Kosovarët. Kjo duhet t’ju shqetësojë të gjithë juve, sepse kundër kësaj takse, gjeografia demografike, pra populli që reagon kundër kësaj takse, fillon nga Konispoli përfundon në Gjakovë, përfundon në Prishtinë. Tanimë janë 5 milion shqiptarë që reagojnë kundër kësaj takse”, u shpreh Vasili.
“Jo nuk ka asgjë përgjegjësi LSI për këtë punë. Në vitin 2015 është bërë një draft i parë dhe deri në 2018-ën, Shqipëria nuk eci në rrugën e një Shqipërie normale, e cila do të rriste të ardhurat ekonomike”.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili