Taksat e reja, ja si llogaritet paga
neto nga data 1 janari, përfitimet

TIRANE- Duke nisur nga shkurti, të punësuarit do të konstatojnë se do të marrin më shumë apo më pak para në dorë nga rrogat e tyre bruto. Kjo vjen, pasi, nga dita e parë e vitit 2014, kanë hyrë në fuqi një numër amendimesh në ligje, që kanë të bëjnë me të ardhurat e të punësuarve dhe pagat e janarit jepen në shkurt. Ndryshimet, në fakt, prekin, pozitivisht apo negativisht, 350 mijë shqiptarë. Numri total i personave që janë të regjistruar në Tatimet që marrin pagë nga një punëdhëns i caktuar, qoftë ky shtetëror apo privat, janë 350.085 vetë. Pjesa tjetër e atyre që punojnë janë punëdhënësit, ose ata që vetëpunësohen, apo fermerë në zonat rurale.

Për të njohur lexuesit me atë, se sa do të ndryshojë sasia e lekëve që do të marrin në dorë, kemi përgatitur një seri tabelash, ku janë të pasqyruara kategori të ndryshme të pagave në vend, që mund të shërbejnë si pika referimi për të gjithë të punësuarit, që kërkojnë të dinë se sa ju mbahet nga paga e tyre për detyrime të përcaktuara me ligj.
Dy janë ndryshimet, që prekin direkt këtë masë njerëzish. Ato kanë të bëjnë me skemën se si do të merret këtej e tutje nga shteti tatimi mbi të ardhurat personale - apo tatimi mbi pagën, siç quhet në gjuhën e përditshme – dhe skemën për pagesën e kontributit të sigurimeve shëndetësore. Të dy këto ndryshime janë bërë në përputhje me logjikën e qeverisjes aktuale, që ata, të cilët marrin të ardhura më të larta nga puna e tyre, të paguajnë shumë më tepër se më parë nga të tjerët.
 
Tatimi mbi të ardhurat
Është ndryshuar mënyra e deritanishme e tatimit mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, duke kaluar nga tatimi i sheshtë – 10 për qind - në tatim progresiv.
Tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë një nga taksat me të goditura nga evazioni fiskal në Shqipëri. Reforma fiskale e vitit 2007 ndryshoi në thelb strukturën e kësaj takse, duke zëvendësuar shkallët progresive të taksimit me një shkallë unike për të gjitha llojet e të ardhurave personale.

Megjithëse nuk ka një opinion të konsoliduar mbi efektin e taksës së sheshtë mbi të ardhurat dhe mbi ekonomitë e vendeve që e kanë adoptuar, Shqipëria, në rreth 5 vjet eksperiencë me taksën e sheshtë, ka patur rezultate pozitive nga mbledhja e të ardhurave shtesë nga tatimi mbi të ardhurat personale, si rezultat i zbatimit të taksës së sheshtë.

Kështu, nga 1.1% e PPB që mbulonte kjo taksë 4 vite para aplikimit të tatimit progresiv, arriti në mesatarisht 2,2% e PPB pas aplikimit të taksës së sheshtë.
Por, informaliteti në tregun e punës vazhdon të mbetet një problematikë në Shqipëri, ndërkohë që nuk është bërë një studim që të tregonte se rritja e investimeve në Shqipëri lidhet me taksën e sheshtë përsa i përket tatimit mbi të ardhurat personale.
 
Formula
Formula e re e tatimit progresiv mbi pagën konsiston tani në tri shkallë:
  • Të ardhurat nga pagat nga 0 deri në 30 mijë lekë në muaj, tatohen me zero përqind, pra mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale
  • Të ardhurat pagat nga 30 mijë lekë/muaji deri në 130 mijë lekë/muaji, tatohen me 13% të diferencës midis pagës me pragun 30 mijë lekë/muaji
  • Të ardhurat nga paga mbi 130 mijë lekë/muaji tatohen me 13,000 lekë plus 23% e diferencës së pagës me 130 mijë lek.
Sipas kësaj formule, paga ku fillon rritja e tatimit mbi 10%  është paga 130 mijë lekë/muaji. Kjo do të thotë se pagat nën 130.000 lekë do taksohen më pak se me skemën e mëparshme dhe ato më të larta se 130.000 më shumë se më parë. Mbi 40% të të punësuarve në vend përftojnë ulje takse nga kjo formulë e tatimit progresiv.
 
Përqindja e të punësuarve sipas intervaleve të taksimit
 
Intervalet Numri Në % ndaj totalit
     
0-30.000 165.722 56.4 pa taksa
30.01-130.000 173.150 41.4
130.00- 11.213 2.8
 
Sigurimi shëndetësor
Në ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë përcaktohej se “Baza për llogaritjen e kontributit është paga bruto e personit të siguruar, deri në maksimumin e pesëfishit të pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve në shkallë vendi”. Për pagat mbi 95.130 lekë, si i punësuari, ashtu edhe ndërmarrja, paguanin një shifër fikse prej 1.617 lekësh për këtë detyrim, edhe në rast se i punësuari merrte një pagë shumë të lartë.

Më ndryshimin në ligj, neni në fjalë i ligjit ndryshohet si më vijon: ”Baza për llogaritjen e kontributit është paga bruto e personit të siguruar”. Pra, nuk do të ketë më një kufi maksimal për taksimin lidhur me sigurimet shëndetësore, ndërkohë që do të vijojë ky kufi vetëm për sigurimet shoqërore.
 

Sa lekë na mbahen nga pagat prej 1 janarit

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar