Tarifa në Rr. e Kombit, ambasadori i Kosovës: E lartë, të rishikohet

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini thotë se tarifa që aplikohet në Rrugën e Kombit është e lartë dhe thotë se qeveria shqiptare duhet ta rishikojë. Në një intervistë për gazetaren e Report TV, Esiona Konomi, Ukshini thotë se Kosova s’kishte dijeni për nivelin e tarifës dhe se ai është takuar me ministrin Gjiknuri për këtë çështje. Ukshini thotë se taksa mund të jetë e nevojshme, por jo në këtë nivel, pasi dëmtohen qytetarët e Kosovës dhe do të ulen vizitorët.

Ambasadori u pyet dhe për ngjarjen e fundit që ka tensionuar Prishtinën, për rastin “Gjuriç”, ku Ukshini tha se ishte provokim i Serbisë . Ai shtoi se qeveria nuk mund të jetë peng e Listës Serbe.

Zoti Ukshini përjashton mundësinë që në Kosovë të ketë influenca ruse.

Intervista e plotë me ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini

Vendosja e tarifës mbi 5 euro e lart në Rrugën e Kombit do të prekë, veç shqiptarëve të qarkut të Kukësit, edhe qytetarët e Kosovës. Si e ka përcjellë qeveria e Kosovës këtë vendim të qeverisë shqiptare? Kishte dijeni qeveria juaj?

Të them, po dhe jo. Pse? Sepse kishte informacione qysh dy vite që qeveria shqiptare po përgatitej për këtë proces, por që datën e hyrjes në fuqi dhe modalitetet e këtij vendimi, ne nuk i dinim. Në dhe qeveria jonë e morëm vesh nga mediat vendore. Në këtë pikë nuk është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Qeveria shqiptare është dashur të njoftojë ambasadën dhe qeverinë e Kosovës që njerëzit të dinë detajet e këtij vendimi. Autoritet shqiptare janë sovrane dhe mund të marrin një vendim të tillë, por duhej një njoftim dhe harmonizim paraprak. Ministri kosovar i infrastrukturës Pal Jaku ka kërkuar në mënyrë urgjente një takim me z. Gjiknuri për të gjetur modalitete të tjera për aplikimin e kësaj takse.

Kur e thoni këtë, keni në konsideratë se do të kërkoni anulimin e saj apo uljen e tarifës?

Uljen e tarifës dhe gjetjes së metodave më të mira të aplikimit. Njerëzit, kompanitë e bizneseve që kanë një qarkullim ditor, duhet gjetur një taksë mujore ose vjetore që të jetë më e leverdishme. Nëse ngelet kjo tarifë kaq e lartë, kostoja është e papërballueshme. Ne e dimë se nga Rrësheni në Milot rruga është e pa përfunduar. Sikur rruga të ishte e kompletuar dhe standarde dhe mund të justifikohej. Unë pata një takim me ministrin Gjiknuri dhe mora informacion se mirëmbajtja e rrugës është me kosto të lartë. Dy ministrat tanë duhet ta diskutojnë, Gjiknuri më shprehu gatishmërinë për takim produktiv për ta diskutuar. Kjo rrugë është porta e parë e kosovarëve. Nuk duhet të harrojmë që, nëse nuk ka komunikim, duke menduar që merrni këtë taksë, mund të humbisni, sepse bie numri i vizitorëve dhe bizneseve. Nga një anë duket se po merrni një taksë nga ana tjetër do të bjerë qarkullimi i bizneseve.

Gjysma e Rrugës së Kombit shtrihet në territorit të Kosovës. Si e mirëmbani ju atë segment? A aplikon Kosova në ndonjë tarifë në rrugët e saj?

Jo, Kosova e mirëmban me fondet publike. Edhe në vendet e Europës, jo në të gjitha rrugët ka taksë. Nuk është domosdoshmëri. Natyrisht që taksë duhet të ketë, sepse kjo e rrit kualitetin e rrugës, e rrit mirëmbajtjen.

Ndërkohë aktualisht që flasim në Kosovë nuk është një situatë e qetë. Arrestimi i zyrtarit serb Marko Gjuriç ka tensionuar situatën dhe Lista Serbe është larguar nga qeveria. A ishte e ekzagjeruar sjellja e policisë kosovare?

Jo, nuk mund të flasim për ekzagjerim. Policia e Kosovës ka treguar durim dhe profesionalizëm. Gjuriç është një zyrtar serb që ka provokuar vazhdimisht por është nj zyrtar që ka ditur në detaje modalitetet e marrëveshjes së Brukselit, ku merret një leje për të hyrë në Kosovë. Gjuriç nuk kishte leje. Sjellja që ka bërë Lista Serbe më pastaj dhe mënyra se si e kanë transmetuar mediat në Beograd, lë të kuptohet që kjo ngjarje ka qenë një provokim i Serbisë. Deklaratat e Gjuriç kanë dëmtuar dialogun. Ti nuk mund të hysh në oborrin e dikujt e të thuash më dëbuan nga oborri. Ai hyri në mënyrë ilegale, në mënyrë jo të përgjegjshme. Vjet ish presidentja Jahjaga kishte për të mbajtur një deklaratë, dhe autoritet serbe nuk e lejuan, dhe ne nuk provokuan. Serbia duhet të respektojë marrëveshjen e Brukselit. Elita politike serbe përdor një retorikë të mjeruar.

Le të ndalemi pak tek pasojat. Largimi i Listës Serbe nga qeveria e mund të rrëzojë kryeministrin Haradinaj dhe a mund të ketë zgjedhje të parakohshme?

Akoma nuk është zyrtare largimi i Listës Serbe. Nëse kjo ndodh tregon se ka qenë nj ngjarje e koordinuar, por Kosova nuk mund të bëhet peng e provokacioneve dhe e Listës Serbe apo e dikujt tjetër.

A do të ndikojë kjo ngjarje në shtyrjen e procesit të heqjes së vizave për qarkullimin e qytetarëve të Kosovës?

Jo. Kjo ngjarje ka për tu sheshuar shpejt. Sic ndodhi me vrasjen në Mitrovicë, shumë shpejt u mor vesh që nuk kishte bazë etnike dhe asgjë nuk ndodhi.

Z. Ukshini, Kosova nuk është anëtare e Natos, por falë NATO-s është një shtet i pavarur. Shqipëria ju është bashkuar vendeve të aleancës për të dëbuar dy diplomatë rusë nga vendi ynë, pas ngjarjes në Britani me sulm kimik. A do të ketë ndonjë zhvillim në këtë drejtim edhe nga Kosova?

Në Kosovë nuk ka ndikime serbe, për shkak të qasjes tradicionale që Kosova ka tashmë prej vitesh pro evropian dhe pro amerikan. Mendoj që ka qenë një mendim i koordinuar vendimi i Shqipërisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?