Tatimet: Vonesa deri 6 muaj në rimbursimin e TVSH për biznesin. FMN: 200 milionë € detyrime të prapambetura

Tatimet: Vonesa deri 6 muaj në rimbursimin e TVSH për biznesin. FMN: 200 milionë € detyrime të prapambetura

Pavarësisht faktit se qeveria ka miratuar edhe një strategji për reduktimin në minimum të detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, kohët e fundit këto janë rritur sërish. Por është e kotë që shifra të mësohet nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila “ka ndalur kohën” në mars 2018, periudhë që rezulton e fundit në raportimin e detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj privatëve. Këtë shifër, gjithsesi, nuk mund t’ia fshehin misioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e publikon në raportin më të fundit. Sipas ekspertëve të FMN-së, totali i detyrimeve ka arritur në 200 milionë euro.

Detyrimet

Sipas vlerësimeve të njohësve të financave publike, detyrime të prapambetura konsiderohen detyrimet e përcaktuara nga një ligj, kontratë, marrëveshje ose vendim gjykate i formës së prerë, që mbeten të papaguara 30 ditë pas datës së specifikuar në kontratë apo me ligj.  

Strategjia

Paaftësia e një qeverie për të paguar detyrimet e saj financiare, brenda një kohë të shpejtë pasi ato bëhen të kërkueshme, dhe si pasojë dhe akumulimi i një mase të madhe të detyrimeve financiare të prapambetura, i shkakton dëm ekonomisë. Ndikimet përfshijnë ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë, për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare, theksohet në një strategji kundër detyrimeve të prapambetura, që qeveria e ka miratuar që më 5 shkurt 2014, pra pesë vjet para. “Nëse furnitorët e Qeverisë marrin parasysh mundësinë e vonesave të gjata në marrjen e pagesave, ata mund të përpiqen të ulin riskun dhe koston shtesë të pagesave të vonuara duke rritur përkatësisht çmimet e tyre, duke detyruar kështu qeverinë të paguajë çmimet mbi tregun për shërbimet e ofruara”, shtohet më tej në Strategji.

Për pasojë, qeveria është angazhuar atë kohë jo vetëm për eliminimin e pjesës së detyrimeve të prapambetura, por edhe për të parandaluar akumulimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen, si një hap i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë për të rikthyer ekonominë tek një rritje e fuqishme në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda një periudhe afatmesme dhe afatgjatë, si dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re partneriteti.

Institucionet

Për të ndalur këtë fenomen, është krijuar Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura (KDP) që përfshin Zëvendësministrin e Financave (Kryetari), Nëpunësin e parë Autorizues, Drejtorin e Përgjithshëm të Buxhetit, Drejtorin e Njësisë Qendrore të Harmonizimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin, Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve (për të vlerësuar detyrimet tatimore të subjekteve) dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Financiare. Anëtarë të tjerë thirren sipas rastit. Kontrolli i Lartë i Shtetit është i pranishëm si vëzhgues. Po kështu, në Ministrinë e Financave funksionon një njësi e posaçme për të mbështetur KDP-në.

Borxhet

Detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisë Berisha deri në dhjetor 2013 janë llogaritur afërsisht 72.6 miliardë lekë, sa 5.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Në këtë total, qeveria Rama gjeti detyrime per projekte investimesh 24.6 miliardë lekë; detyrime për mallra dhe shërbime 5 miliardë lekë; TVSH e parimbursuar 12.84 miliardë lekë; tepricë kreditore të tatimit mbi fitimin të parimbursuar 10 miliardë lekë; detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare 1 miliard lekë dhe të tjera (vendime gjyqësore, shpronësime publike, përfitimet për persona me aftësi të kufizuar, etj) në masën 19.13 lekë.

Pra, qeveria Rama e nisi punën me një borxh prej rreth 520 milionë eurosh vetëm ndaj privatëve, përveç borxhit tjetër publik.

Por, ndërkohë shohim që shifrat sërish janë rritur. Në raportin e FMN-së theksohet se, duke iu referuar statistikave zyrtare qeveritare të fundit të shtatorit 2018, detyrimet e prapambetura janë 24 miliardë e 578 milionë lekë, ose 200 milionë euro. Shifra është më e vogël se ajo e gjetur, por nuk mund të thuhet se strategjia ka plotësuar të gjitha objektivat, duke qenë se nuk është arritur të eliminohen detyrimet. Madje, në rast se në krahasim me vitin 2017 ka një ulje të tyre (ishin 26.66 miliardë lekë), krahasuar me vitin 2016 ka një “kërcim” të ndjeshëm, pasi në fund të atij viti llogariteshin 13 miliardë e 121 milionë lekë.

Po ashtu, regjistrohet rritje e madhe krahasuar edhe me atë çka deklarohej në statistikat e fundit të shpallura nga Financat në mars 2018, kur deklaroheshin pak më shumë se 4 miliardë lekë të prapambetura. Në 6 muaj shifra është rritur me 18 miliardë lekë?!

TVSH-ja

Gati gjysma e këtyre detyrimeve, 11 miliardë e 340 milionë lekë janë vetëm TVSH e prapambetur, që bizneset e presin të rimbursohet për të vijuar normalisht punën e tyre. Më 22 qershor 2016, ish-ministri i Financave (sot kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave) Arben Ahmetaj, duke shpallur rregulla të reja në kuadër të Paketës Fiskale, tha: “Sot në qeveri kaluam një vendim të rëndësishëm me paketën e madhe fiskale lehtësuese, duke ndryshuar kështu një nga procedurat që ka qenë penguese. Të gjitha sipërmarrjet me mbi 50% qarkullim të kapitalit përfitojnë rimbursim automatik, pa asnjë pagesë, të TVSH-së, ndërsa eksportuesit do të përfitojnë rimbursim brenda 30 ditësh”, u shpreh ministri.

Shifrat që i janë referuar TVSH-së tregojnë se këto premtime vështirë të jenë mbajtur.

Tatimet 

Kjo është konfirmuar dje edhe në një takim midis Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe administratës së Tatimeve. Lidhur me shqetësimin e mosrimbursimit të TVSH-së, Xhavit Curri, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Tatimeve, është shprehur se procedurat e rimbursimit po zgjaten edhe 6 muaj. “Rimbursimi i TVSh-së ka qenë më i lartë gjatë 2018-s, në rreth 14.5 miliardë lekë TVSH. Është krijuar një vonesë deri në 6 muaj nga momenti i miratimit dhe kalimi i fondit. Po kërkojmë një zgjidhje për të sheshuar shqetësimet e tatimpaguesit”, premtoi ai.

Ndërkombëtarët

Në raportin e vet mbi Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron shprehimisht se besueshmëria e qeverisë shqiptare po cenohet prej rikthimeve të detyrimeve të prapambetura ndaj investimeve publike në infrastrukturë dhe në rimbursimin e TVSH-së. Deklarata është bërë nga Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar pas miratimit të konsultimeve të stafit teknik që analizoi zhvillimet ekonomike në Shqipëri gjatë shtatorit 2018.

“Parandalimi dhe kontrolli i detyrimeve të prapambetura kërkon forcimin e parashikimit të të ardhurave (duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së), menaxhimin e likuiditetit dhe përmirësimin e kontrolleve të angazhimeve për investimet veçanërisht nga Autoriteti Rrugor” thuhet ne raportin e FMN-së.

 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin