Taulant Muka: Mjeku që ndoqi
ëndrrën, Harvardi suksesi i parë

Taulant Muka: Mjeku që ndoqi<br />ëndrrën, Harvardi suksesi i parë
TIRANE- Historia e djalit që studion për vite me radhë dhe ishte një ndër aktivistët më të zellshëm të Fakultetit të Mjekësisë, është befasuese, por në të njëjtën kohë edhe një rrugëtim plotë sfida. Bëhet fjalë për Taulant Mukën, djalin nga Skrapari i cili në këtë rrëfim na tregon të gjithë rrugën e tij plot sakrifica për të prekur ëndrrën e tij, Harvardin!

Në këtë intervistë për “Shqiptarja.Com”, ai ndalet hap pas hapi në rrugëtimin e tij, i cili nisi me diplomimin në vitin 2012 si mjek në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar me specializimin 6 mujor në Universitetin e Bolonjës dhe më pas mori një diplomë MSc në Shëndetin Publik. Por, nuk mjaftoi kjo, Taulanti po punon si hulumtues shkencorë në ErasmusAGE, një qendër për plakjen në të gjithë rrjedhën e jetës dhe prej pak kohësh ka prekur Amerikën, Harvardin ëndrrën e shumë të rinjve. Edhe pse duket optimist në rrëfimin e tij për Shqipërinë, ai thotë se edhe pse i mungon vendlindja, do të vazhdojë të ndjek ëndrrën e tij për t’u perfeksionuar akoma më tej. 
 
 Një djalë shqiptarë që sot studion në Harvard. Na tregon rrugën e sfidave që ke ndjekur për të arritur në këtë pikë?
Harvardi është një mjedis inspirues. Është një institucion që të krijon mundësi të reja duke të lejuar të kapërcesh eksperiencat tona të zakonshme dhe limitimet. Udhëtimi drejt Harvardit ka filluar me studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Në 2006, kur u regjistrova si student në degën e mjekësisë, nuk e kisha menduar veten se do gjendesha në Harvard pas disa vitesh.

Pasi përfundova studimet ne Tiranë, përmes programit ERAWEB të Komisionit Europian (në të cilin ishte pjesë edhe Universiteti i Tiranës në atë kohë) arrita të fitoja një bursë studimi Master në Shëndet Publik në Erasmus Medical Center, Hollandë (Erasmus MC). Pas përfundimit të masterit,departamenti në të cilin bëra internship-in, më ofroi mundësinë të vazhdoja me studimet doktoraturë.

Ne Erasmus MC pata mundësinë të njihesha me shkencën, në kualitetet më të larta të saj, pas së cilës u apasionova dhe tek e cila e shoh të ardhmen time sot. Besoj ishte puna, përkushtimi dhe fati gjithashtu që më dhanë mundësinë të kaloj sot një pjesë të studimeve të mija të doktoraturës në Harvard. Jam shumë i lumtur për këtë arritje e cila nuk do ishte e mundur pa besimin dhe ndihmën e supervizorit tim të doktoraturës Prof. Oscar H. Franco, të cilin dua ta falenderoj. 
 
Prej pak kohësh ndodhesh në USA për një internship. Ku konsiston ky kërkim shkencor?
Aktualisht jam në Harvard School of Public Health për një internship 6 mujor. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i mortalitetit; deri në vitin 2020, projeksionet tregojnë sëmundjet kardiovaskulare të shkaktojnë 73% të mortalitetit global dhe 56% të morbiditetit total. Për më tepër, diabeti i tipit 2, i cili është i shoqëruar me një risk 2 deri ne 4 fish më të lartë për sëmundje kardiovaskulare, po behët një epidemi globale.

Puna ime kërkimore deri më sot është e fokusuar në identifikimin e faktorëve të riskut për këto dy sëmundje. Identifikimi i këtyre faktorëve mund të ndihmojë në zbulimin e proceseve të reja metabolike që çojnë në zhvillimin e sëmundjes dhe në detektimin e hershëm të personave që janë në risk të lartë, të cilët mund të përfitojnë nga strategji parandalimi, përfshirë ndërhyrje dietike, farmakologjike apo nga ndryshim i stilit të jetesës dhe për pasojë në uljen e përhapjes së sëmundjeve kardiometabolike.

Më konkretisht, gjatë këtyre gjashtë muajve do studioj efektin që një dietë antioksidante ka në riskun për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Gjithashtu, një tjetër projekt kërkimor, është ekzaminimi i llojeve të ndryshëm të yndyrnave në lidhje me riskun mbi diabetin tip 2. Deri para pak kohësh, mendohej se të gjitha yndyrnat kanë efekt negativ mbi shëndetin, por sot ka mjaftueshëm evidenca që tregojnë se disa lloje yndyrnash, si për shembull acidet yndyrore omega-3 mund të ulin inflamacionin e për rrjedhojë përmirësojnë parametrat kardiometabolik.
 
Pas një studimi të gjatë në Shqipëri ju nuk u ‘dorëzuat; por ndoqët ëndrrën tuaj përtej trojeve shqiptare...?
Për shumë arsye, të jetosh në një vend tjetër është një zgjedhje e mirë, dhe për më tepër kur arsyeja është mundësia për një edukim më të mirë. Gjithsesi, të jetosh në një vend jo-amtar nuk është gjithmonë e lehtë; mund të hasësh shumë probleme si gjuha, socializimi, kultura e punës apo edhe diskriminimi. Diferencat në disa raste mund të jenë të mëdha.

Për shembull, kur fillova studimet në Hollandë vura re që në punë ecet me një plan paraprak, çdo gjë është e mirë organizuar dhe njerëzit janë shumë të orientuar drejt objektivave të caktuara. Në Shqipëri në punë ne jemi më të relaksuar, fleksibël, eficenca nuk vlerësohet dhe aq shumë, vendimet janë kryesisht të momentit dhe socializimi në punë është një nga prioritet tona.

Kur lëviza në Hollandë apo në Boston më vonë, mu desh të njihja më shumë mbi kulturën e vendit si dhe të kujdesesha për veten. Ky ishte një rast i mirë të fitoja pavarësinë time. Sot, jam i lumtur që jam zhvendosur në Hollandë. Një vend i ri, një jetë e re dhe sfida të reja.
 
Ju theksuat se po punoni si hulumtues shkencor në ErasmusAGE, një qendër për plakjen. Mund të na thuash diçka rreth saj dhe punës tuaj në këtë qendër?
ErasmusAge është një qendër shkencore brenda Erasmus MC që ka për qëllim të identifikojë faktorë nutricionalë dhe të stilit të jetesës që janë të shoqëruar me shëndetin përgjatë jetës në mënyrë që të zhvillojmë strategji efektive për përmirësimin e shëndetit. Kërkimi shkencor atje është i fokusuar në tre faza të rëndësishme të jetës: fëmijëria, shtatzënia dhe plakja.

Në ErasmusAge, unë kam punuar në shëndetin kardiovaskular, kancer dhe osteoporozën, duke parë dietën dhe determinantët klinik të shëndetit në këto fusha. Gjithashtu jam përfshirë në projektet e Shëndetit të gruas, duke ekzaminuar rolin e menopauzës dhe ndryshimeve që lidhen me të (hormonet seksuale dhe simptomat vazomotore) me riskun kardiometabolik. Në këtë aspekt, përmes punën në ErasmusAge, kemi treguar që prezenca e simptomave vazomotre, si afshet apo nivelet e larta të hormonit femër estraiol në femrat pas menopauzës mund të rrisin riskun për zhvillimin e sëmundjeve kardiometabolike.
 
Shumë të rinj bëjnë zgjedhjet e gabuara. Ju jeni pjesë e atyre të rinjve që edhe në Shqipëri nuk ka qëndruar besnik vetëm studimeve, por keni kërkuar më shumë nga vetja?
Është e vërtetë, jam shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe reagoj nëse shoh një të tillë. Frika ndaj institucioneve dhe mentalitetit nuk është pjesë e jetës sime dhe uroj shumë që gjeneratat e reja të jene më pak konformiste. Gjatë studimeve në Shqipëri kam qenë shumë aktiv në problematikën studentore, duke reaguar ne forma të ndryshme ndaj sistemit arsimor në vendin tonë. Edhe pse shihen disa progrese, sërish hapat janë shumë të ngadalta dhe duhet një reformë e thellë për të qenë afër standardeve perëndimore.
 
Ju mungon Shqipëria?
Sigurisht që po. Shqipëria është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Çdo mëngjes, e filloj ditën duke lexuar gazetat online në Shqipëri. Kam shumë dëshirë të qëndroj i updatuar me aktualitetin në vend. Në Shqipëri kam edhe familjen, ç’ka e bën lidhjen edhe më të fortë. Në Hollandë, fatmirësisht, kam shumë miq nga Shqipëria, dhe një pjesë të madhe të kohës së lirë e kaloj me ta. Shpesh herë, bisedat tona janë mbi Shqipërinë, pasi të gjithë e ndjejmë mungesën e saj në një mënyrë a tjetrën.
 
Mendoni se një ditë të riktheheni në atdhe për ndërtuar një tjetër histori suksesi?
E mendoj gjithmonë si një opsion rikthimin tim në Shqipëri. Gjithsesi, mendoj se nuk është ende momenti i duhur për ta marrë këtë vendim. Aktualisht, jam i përqendruar në rritjen profesionale timen. Për më tepër, pavarësisht se marrë vazhdimisht oferta nga universitete dhe kompani prestigjioze në Europë dhe USA, nga Shqipëria ende nuk kam patur një ofertë për punë, që të reflektoj seriozisht për një rikthim atje.
 
Kush janë projektet tuaja në vazhdimësi?
Pas internship-it në Harvard, do shkoj për një tjetër internship në Cambridge, Angli, për të marrë dhe eksperiencën më të mirë Europiane përtej asaj amerikane në fushën ku studioj dhe punoj. Më pas do vazhdoj studimet post-doktoraturë në Erasmus MC. Gjatë dy viteve të ardhshme, do kem mundësinë të punoj në fushën e re të Epigenetics, një fushë e cila premton shumë në luftën ndaj sëmundjeve, përshirë sëmundjet kardiovaskulare. Deri më sot kemi menduar që fati jonë përcaktohej nga mozaiku gjenetik me të cilin kemi lindur, por sot ka evidence që përmes mekanizmave epigjenetikë mund të ndryshojmë gjenet tona.   
 
 

 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë