Të gjithë ia mbathin nga Berisha
Abazi: Edhe AD tani me PS

Të gjithë ia mbathin nga Berisha<br />Abazi: Edhe AD tani me PS
TIRANE- Kryetari i ri i sapozgjedhur i Aleancës Demokratike Eduart Abazi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” shprehet se skema e organizimit të partisë do të jetë efikase, dhe orientimi i saj do jetë në të njëjtën gjatësi vale me atë të votuesve shqiptarë të cilët votuan të majtën në pushtet. Ai thotë se për koalicionin me PD në zgjedhjet e 2013 nuk u pyetën, ndërkohë që s’kanë humbur pushtet me daljen e Berishës në opozitë, por vetëm një vend pune. Me sa duket bëhet fjalë për një zv.ministër që kishte. Njëherësh për aleancën për zgjedhjet vendore ai thotë se s’duhet përsëritur 2013, por do konturohet një koalicion me PS, që s’përjashtohet. Sepse për të PD nuk ka respektuar marrëveshjet, ndërsa saktëson mënyrën se si do të ringrihet AD për t’u bërë forcë konkurruese.
 
Z.Abazi ju zhvilluat kongresin e AD dhe zgjodhet kryetarin. Cilat jane risitë dhe projektet?
Ju falenderoj për mundësinë që na krijoni për të shprehur përmes gazetës tuaj, zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Aleancën Demokratike. Natyrisht s’pretendoj se do mjafonte kjo intervistë për të thënë gjithçka, por ato gjëra që kanë efekt kryesisht për aleancistët dhe një pjesë të qytetarëve përtej votuesve të AD. U mblodh kongresi i 5 i Aleancës Demokratike, mbase në një situatë në dukje të qetë por me shumë rëndësi pas zgjedhjeve të 23 qershorit duke i percjellë ato në mënyrën më të keqe të mundshme që prej themelimit të saj. Vendimi për mbajtjen e Kongresit të AD brenda muajit tetor 2013 ishte marrë një vit më pare me vendim (me vlerë statutore)të Asamblesë së zhvilluar më 22 dhjetor 2012.

Dhe për shkak të periudhës së gjatë që kishte kaluar nga kongresi i 4, zhvilluar në qërshor 2007, gati 7 vjet nga kongresi i fundit (me statut 3) e zhvillimeve pas dorëheqjes së z.Neritan Ceka, ishte bërë e domasdoshme thirrja e tij. Gjithsesi u gjet vullneti i plotë i pjesës më vitale të AD, vlen ta theksoj, ata që kanë dhënë kontribute dhe kur s’janë vlerësuar madje neglizhuar në kohë të ndryshme. Konform procedurave statutore u zhvilluan mbledhjet e forumeve drejtuese, Kryesisë dhe Asamblesë duke marrë vendimet përkatëse që procesi i organizimit dhe zhvillimit të kongresit të ishte dinjitoz, natyrisht konform statutit.
 
Dhe zgjedhja e kryetarit të ri...?
Detyrë e kongresit ishte dhe zgjedhja e drejtuesit të ri, ku pas ndryshimeve stautore të 2010 hiqet emërtimi “President” dhe bëhet Kryetar i AD. E nisëm procesin duke besuar në vlerat e aleancistëve e s’dolëm të zhgënjyer, por gjatë zhvillimit të kongresit e pas tij, përtej frymëzimit ndjejmë peshën e përgjegjësisë që buron nga besimi, mbështetja që na dhanë delegatët, përfaqësuesit nga baza. Risia e këtij kongresi ishte fryma, Aleanca e Aleancistëve. Si Liberal-demokratë kemi shumë për të bërë. Nëse nuk na kanë dëgjuar kur mendimi ynë ka qënë i dobishëm do gjejmë një mënyrë tjetër për ta artikuluar dhe përcjellë mesazhin tek qytetarët.
 
Jane thirrur tashme ne AD pjesa me e madhe e themeluesve te saj. Mendoni te ndiqni te njejten strategji se ne vitin 1992 e ne vijim...?
E theksova, se fryma që përshkoi kongresin ishte mbresëlënëse, disa prej themeluesve të Aleancës ishin të ftuar, disa themelues të tjerë u bënë pjesë pa ftesa, kjo flet shumë për ne. E theksuam se historia e Aleancës Demokratike s’mund të jetë e lidhur vetëm me disa individë, grupe apo dhe një brezi. Secili prej tyre me vlerat që ka dhënë dhe marrë në Aleancë lë gjurmë që do mbeten si asete dhe do të vlerësohen sa të ekzistojë AD që me sa duket pasi ka kaluar tallaze të forta ka ditur të gjejë orientimin e duhur duke u përshtatur me realitetin politik shqiptar.

Është e vërtetë se të gjithë kanë mësuar gjatë këtij tranzicioni të lodhshëm, por shumë pak e kanë gjetur veten për shkak të deformimeve të shpeshta pa motiv të një klase politike mbërthyer nga liderë që synojnë të bëhen të përjetshëm. Ata i solli fryma me të cilën u ngrit Aleanca, motivi që kurrë s’do shuhet por po gjeneron me prurjet e reja energji për të kapur kohën e humbur. Pa themeluesit nuk do ishte kjo forcë politike, ashtu si dhe pa prurjet në kohë të ndryshme nuk mund të vazhdonte deri sot, ndaj jemi të vetedijshëm se alternimi mes prujeve dhe fryma liberale është kyç i ekzistencës. Ata u binden se Aleanca ka nevojë për kontributin e gjithësecilit.
  
Jeni në aleancë me PD, mendoni se kjo aleancë ka funksionuar dhe për më tepër për zgjedhjet e 23 qershorit ishte zgjedhja e duhur?
Për të qënë i drejtëpërdrejtë me lexuesin tuaj, aleancistët e kanë mësuar, pasi e kanë pësuar. Aleanca ka qënë luajale në marrëveshje, duke parë sëpari interesat madhore të qytetarëve, ndaj ka luajtur shpesh faktor ekulibrues e zbutës mes dy kampeve kryesore, që krijonin tensione dhe pa shkak. I ka qëndruar me besnikëri marrëveshjeve parazgjedhore të lidhura sipas rastit dhe me kulturë ka kërkuar zbatimin e tyre, madje dhe i është drejtuar me shkresa pas zgjedhjeve në respekt të vlerësimit të kontributit të AD në raport me rezultatet që po vetë ata certifikonin, për të mos zhgënjyer mbështetësit tanë në bazë.

Pra këto marrëveshje nuk u respektuan nga pala tjetër. Sa për zgjedhjet e 23 qershorit më lejoni të sjell në kujtesë deklaratën e një prej sekretarëve të AD, vetëm pak ditë para votimit, i cili citoi: “Po largohemi nga Aleanca Demokratike pasi drejtuesi nuk mbledh forumet dhe nuk dëgjon zërin nga baza”. Besoj se çdo koment është i tepërt dhe nuk vlen të zgjatem.
 
Keni pasur oferta nga ana e PS për një koalicion parazgjedhor, dhe cili ishte shkaku që nuk u arrit akordi?
Natyrisht kemi bërë disa herë negociata me PS dhe kemi patur ofertë serioze për të qënë pjesë e kualicionit parazgjedhor.
Duke gjykuar me seriozitet ofertën kemi kërkuar të vlerësohet situata e gjithnjë në interes të faktorizimit të Aleancës të  mblidhen forumet vendimmarrëse, për t’u shprehur në momentin e duhur. Kjo nuk funksionoi, përgjigjen e thamë më lart. Pra nëse disa raste s’jemi vlerësuar nga të tjerët, këtu jemi vetëpenalizuar. Motivi i fortë dhe fryma në kongres mori shkak edhe nga këto sjellje.
 
Jeni pjesë e opozitës tashmë, po e luan ajo rolin që duhet dhe sa besim keni që Basha do risjellë këtë parti e aleatët në pushtet?
Situatë delikate kjo. Pas çdo nokdauni jepet një kohë për të rikuperuar diçka, qoftë frymëmarrjen apo shikimin(dritën). Kështu ndodh edhe me opozitën. Ajo e ndjen pasi ka humbur pushtetin, ndërsa ne aleancistët nuk patëm pjesë nga pushteti për të humbur, vetëm… një vend pune nuk besoni edhe ju se përben problem për tërë AD. Shpresojmë që përtej imazhit të ri që duhet të krijohet me politikanë të rinj, natyrisht të pakonsumur, diçka do përmiresohet, por jo menjëherë, rigjenerimi do kërkojë kohën e duhur.
 
Po qëndrimin e Berishës si e konsideroni...?
Një zgjedhje për momentin e parë për t’u përshëndetur, të shohim sa do jetë ndikimi në momente ku spikat roli i kryetarit. Do kemi raste për të parë si do sillet me fenomenet jo me individët.
 
E mendoni veten në një koalicion me PS, dhe cili do të jetë qëndrimi politik ndaj aleancave për zgjedhjet vendore të 2015?
Alenca nuk ka qënë kurrë përjashtuese. Nuk kemi paragjykuar procese pa nisur, por nëse të shkuarën nuk mund ta ndryshojmë, sëpaku nxjerrim mësime të jemi më të kujdesshëm kur duhet të lidhim marrëveshje. Për shkak të mënyrës si ka ardhur Aleanca prej themelimit e deri sot, do dimë të orientohemi drejt. Parimi i parë është të jemi në të njëjtën valë me interesat madhore kombëtare dhe në interes të faktorizimit të Aleancës Demokratike. E sigurtë është që vendimin do ta marrim në mënyrë kolegjiale nga forumet që e kanë tagrin e në momentin e duhur. Por me bindje në një valë me verdiktin që jep sovrani. Kur shumica e shqiptarëve i besojnë një force a grupimi, i japin mandat të fortë, ne do jemi në të njëjtën rruge.
 
Dhe e fundit, mendoni se lufta kundër korrupsionit, që ka sjellë dhe arrestimin e disa zyrtarëve, duhet të ngjitet më lart, tek "peshqit" e mëdhenj?
Kemi qënë kritik sa herë ka qënë rasti i shfaqjes së fenomeneve koruptive, madje kemi ngritur zërin edhe kur ata që bënin sikur i zbulonin fenomenet e me mënyra të çuditshme i shmangeshin proceseve të gjykimit. Besojmë te procesi i ndershëm dhe transparenca e tyre. Jemi kundër publikimit të emrave para publikimit të shkeljeve, kjo ka dëmtuar gjithmonë procesin e të luftuarit të korupsionit.
 
Profili juaj politik, profesional e social si kryetar i ri i AD?
Kam hyrë në politikë në vitin 2002 në Aleanca Demokratike. Më 2003 jam zgjedhur anëtar i Asamblesë që nga kongresi i 3-të.
Më 2007 jam zgjedhur anëtar i Kryesisë së AD, pas Kongresit të katërt. Pas ndryshimeve në organizimin e drejtimit të Aleancës në qërshor 2010 jam zgjedhur Nënkryetar i saj për problemet e organizimit dhe administrimit të Aleancës. Formimi i mesëm është profesinal, ndertim. Kam mbaruar në Akademinë Ushtarake dega xhenio. Kam mbaruar Universitetin e Tiranës dega Inxhinier Ndertimi. Kualifikimet universitare dhe pasuniversitare për kohë para 90-ës. Kam punuar pedagog në katedrën e xhenios, natyrisht lëndët teknike profesionale. Jam i martuar e prind i dy fëmijëve si dhe kam banuar e banoj në Tiranë.
 

Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj Kevin Hajrullës, autorët lëvizën me makinë me targa italiane të vjedhura! S’u gjetën në mjetin e djegur

Atentati ndaj Kevin Hajrullës, autorët lëvizën me makinë me targa italiane të vjedhura! S’u gjetën në mjetin e djegur