Socialistët dhe jo vetëm janë të gjithë me sy e vesh nga asambleja që Edi Rama ka thirrur të shtunën e 14 nëntorit. Mbledhja e organit më të lartë drejtues të Partisë Socialiste në periudhën mes dy Kongreseve, vjen në një kohë jo të qetë në selinë rozë.
Në takimin e parë përgatitor për sfidën e radhës elektorale, vendoret e 9 majit, Rama do të duhet të adresojë edhe shqetësimet brenda radhëve për sfidimin nga protestat që prej majit, përplasjet e brendshme, ku prin ‘lufta’ e hapur e kryebashkiakut të Tiranës, apo edhe marrëdhënien me drejtësinë dhe dosjet e ‘nxehta’ të SPAK.
Kryesocialisti, i cili ka vendosur t’i mbledhë të tijtë larg kryeqytetit, në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, pritet ta nisë mbledhjen me fjalën e tij paraditen e së shtunës, në orën 10:00. Axhendë tjetër përveç fjalës së Ramës ende nuk është bërë publike.
Përgatitja për zgjedhjet lokale dhe formula se si socialistët do t’i zgjedhin kandidatët për 46 kryetarë bashkie, pritet të jetë në qendër të vëmendjes. Emra të rëndësishëm tashmë janë hedhur në opinionin publik nga media si kandidatura të mundshme por ‘hermetizmi’ në kampin socialist vijon të jetë i fortë.
Erion Braçe ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë pa tentuar një proces brenda partiak për përcaktimin e kandidatëve, me ambicien e pa fshehur për të qenë alternativa socialiste për kryebashkiak të Tiranës.
Për kryeqytetin mes emrave socialistë alternativa janë edhe Ogerta Manastirliu, e cila pritet të konfirmohet nëse do të jetë sërish pasi Rama e propozoi për zgjedhjet e parakohshme të nëntor 2025, të mbetura në tentativë.
Një emër që po konfigurohet për garën më të rëndësishme të 9 majit 2027, atë për kryeqytetin, është ai i ministrit aktual të Brendshëm Ervin Demo. Ai erdhi në parlament dhe më pas në kabinetin qeveritar pas eksperiencës disa vjeçare në Bashkinë e Beratit. Por Demo nuk është i vetmi anëtar i qeverisë që mund ta linte postin ministror për t’u bërë drejtues në pushtet vendor.
Enea Karakaçi po shikohet si një mundësi që të kandidojë për Bashkinë Shkodër, ndërsa Andis Salla mund të lerë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të kandiduar për Bashkinë e Elbasanit. Kjo bashki është bërë një prej më të rëndësishmeve në vend pasi me reformën e re territoriale mori Gramshin dhe Cërrikun, të cilin Salla e ka drejtuar për 1 mandat e gjysmë.
Edhe për arsyen se vakante mund të mbeten disa ministri, nën ethe për mbledhjen e së shtunës është edhe kabineti qeveritar. Disa mund të jenë “kurbani” i protestave dhe pakënaqësisë së akumuluar të qytetarëve. Kjo është asambleja e parë e thirrur nga Rama pas protestave të flamingove, dhe atyre të dhunshme të tetorit.
Se si Edi Rama do të pozicionojë në fushën e betejës së radhës elektorale drejtuesit politik të qarqeve, pritet të jetë gjithashtu domethënëse për mënyrën se di do të zhvillohet fushata zgjedhore. Bashkëdrejtimi i qarqeve mund të jetë një metodë e zgjedhur nga Rama, duke vendosur 2 të deleguar nëpër qarqe, edhe pse në praktikë ka funksionuar edhe më herët, ndonëse jo e formalizuar plotësisht. Shembuj kanë qenë Vlora me Bledi Çucin dhe Pirro Vëngun apo edhe Tirana me disa drejtues, me tyre edhe Erion Veliaj.
Dhe pikërisht ky emër mund të jetë një tjetër ‘kokëdhembie’ e kryesocialistit që kërkon një përgjigje të shtunën, si përplasja më e madhe deri më tani në kampin rozë. Prej javësh tashmë Kryeministri ka zgjedhur t’i shpërfillë plotësisht akuzat publike të kryebashkiakut Veliaj, një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe një nga eksponentët më të rëndësishëm në PS, që shihej gjerësisht edhe si numri 2 i saj.
Ndërkohë Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm në këtë mbledhje partie, duke i vënë në dispozicion SPAK-ut dhe partisë së tij disa variante, prani fizike, online apo gjatë mbledhjes së asamblesë të lexohet një letër me qëndrimet e tij. Socialistët nga ana tjetër e kanë bërë të qartë, se Veliaj duhet ta lërë partinë jashtë përballjes së tij me drejtësinë. Mbetet për tu parë nësë lufta e hapur nga kryebashkiaku ndaj kryesocialistit do të adresohet në asamble, qoftë edhe përmes një qëndrimi të Ramës, i munguar deri më tani.
Një tjetër element që do të shihet se sa peshë do të marrë janë kritikat që ka bërë ish-kryeparlamentarja socialiste Elisa Spiropali. Ajo ka shpalosur disa ide apo platforma për mënyrën se si duhet të funksionojë selia rozë dhe tashmë me Asamblenë Kombëtare erdhi momenti që t’i shpalosë ato edhe zyrtarisht.
Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë prej 9 muajsh, pasi e fundit ishte 21 marsin e kaluar.
-
Veliajt nuk ja ka fajin PS por duhet të japi llogari për ato që akuzohet...
Përgjigju -
Iken o Toniii neser nga minister Drejtesie.
Përgjigju












Komente
Komento