Të mos-shërohesh prej burokratëve: ping-pongu bashki-qeveri ka degraduar qendrat shëndetësore

Të mos-shërohesh prej burokratëve: ping-pongu bashki-qeveri ka degraduar qendrat shëndetësore

Qendra Shëndetësore në Rubik

Liza Përdoçi është prej katër vjetësh drejtuese e qendrës shëndetësore të Rubikut. E gjen në zyrën e saj, në katin e parë të ndërtesës dykatëshe që vjen aromë detergjentësh dhe në çdo milimetër dallon nga pastërtia, që shikohet lehtë në muret e lyer me të bardhë. “Më duhet të merrem më shumë me letra e shkresa burokratike në vend që t’i kushtojmë kohë më shumë pacientëve”, thotë mjekja në moshë të mesme, e cila të qeshurën nuk e heq nga goja. Dr.Përdoçit i duhet të përpilojë pagesën e tarifës për plehrat spitalore drejtuar bashkisë së Rreshenit. “Një pjesë e madhe e fondit që kemi në dispozicion e harxhojmë për punë për rregullim apo për detyrime ndaj pushtetit vendor, në vend që të blejmë medikamente apo mjete për mjekim. Sapo patëm dy raste kafshimi nga qeni dhe injeksioni anti-infektiv kushton shtrenjtë. Mendoj se vihemi në vështirësi pa qenë nevoja, kur mund të zgjidhen shumë lehtë nëse secili bën punën që i takon”, thotë drejtoresha, e cila një minutë më pas vrapon në katin e dytë për të mbikqyrur një urgjencë në dhomën e mjekimeve.

Qendra shëndetësore në Rubik, në kohën e regjimit komunist ka qenë një spital i mirëfilltë, e pas viteve 90 të shekullit të shkuar u kthye në qendër vizitash primare. Janë katër mjekë familjeje, dy ndihmësmjeke dhe dy infermiere që merren me injeksionet dhe mjekimet e urgjencës. Ambulanca e Rubikut ka në patronazh përveç 8 mijë banorët e Rubikut, edhe ata të fshatrave përreth, si dhe dy qendra shëndetësore në ish- territorin e komunës. Qendra ata vetëm quhen, pasi realisht situate e tyre është mjaft e vështirë: mungon uji i pijshëm, ndërkohë që ambjentet janë në gjendje të rëndë. “Fondet tona që marrim nga buxheti shëndetësor nuk mjaftojnë për rregullime në infrastrukturë. Boll që paguaj faturat e dritave dhe shpenzimet e tjera. Ja sapo mbylla hipotekimin e ndërtesës dhe gjithashtu paguam nga fondi vjetor. Para pak kohësh na binte automati vazhdimisht dhe e bëmë vetë me shpenzimet tona lidhjen e rrjetit të ri elektrik. Familjarët tanë i aktivizojmë për ndonjë punë këtu”, thotë Dr Përdoçi, ndërsa është kthyer nga dhoma e mjekimeve dhe e mbush tryezën me një pirg dokumentesh. 

Rubiku, është vetëm njëra nga “viktimat” si shumë njësi vendore e zbatimit problematik të reformës territoriale, apo mos funksionimit të saj në terren. Prej qershorit 2015, sipas ligjit, administratat e 61 bashkive të reja, do të duhet të mirëmbanin edhe qendrat shëndetësore nga ana e infrastrukturës. Por edhe pse ka kaluar plot 3 vjet, thuajse nuk është bërë asgjë. Sipas nenit 23 të ligjit “Për Vetqeverisjen Vendore”, bashkitë duhet të bëjnë mirëmbajtjen e godinave të qendrave shëndetësore dhe ato arsimore. Ndërkohë që për çështjen e shkollave, bashkitë kujdesen për infrastrukturën: pra i lyejnë apo suvatojnë, qendrat shëndetësore janë lënë totalisht në mëshirën e fatit.

Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në Rubik, Liza Përdoci tregon një rast, ku sëbashku me një kolege të saj kanë ndërhyrë tek një donator i huaj që të investonte direkt në riparimin e tarracës së godinës. “Ishte një organizatë nga Luksemburgu që e pa vetë soletën e cila po shembej dhe u tha atyre të bashkisë që unë dua të investoj në Rubik, në mënyrë që të mos i devijonin fondin. Falë zotit ashtu ndodhi, u riparua tarraca dhe bëmë meremetime gjithandej e tani nuk kam nevojë për të ndërhyrë më. Bashkia, nëse na ndihmon, të paktën mos na pengojë”, thotë Përdoçi.

E në fakt Bashkia Rrëshen, përveç se nuk jep fonde për qendrat shëndetësore, i merr ambulancës së Rubikut një taksë të majme për mbetjet spitalore. Kjo situatë si në Rubik, ndodhet në të gjithë vendin Bashkitë kanë marrë nën administrim territoret e ish-komunave, por një pjesë e institucioneve, kryesisht në fshatra apo qyteza kanë mbetur “jetime”. Drejtuesit e qendrave shëndetësore ndodhen me sytë nga bashkitë, për nëse atyre “ju bie në zemër” të alokojnë ndonjë fond për mjediset në fshatra.

Projekti “Lëviz Albania” ka financuar një nismë për të monitoruar zbatimin e ligjit për qeverisjen vendore në rastin e qendrave shëndetësore, e zbatuar nga “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim”. Kjo organizatë kreu një vëzhgim të hollësishëm në pesë bashki të përzgjedhura: Mirëditë, Ura Vajgurore, Gramsh Pogradec, Kuçovë, pikërisht delegimin e kompetencave të pushtetit vendor për mirëmbajtjen dhe investimet në qendrat shëndetësore. Në 5 raportet e hartuara për bashkitë që janë monitoruar pasqyrohen hollësisht me detaje të gjitha problemet në qendrat shëndetësore, por edhe ofrohen edhe rekomandime për të dalë nga situata.

Mirela Arqimandriti, drejtuese e Qendrës për Zhvillimin Gjinor, e cila zbatoi projektin e monitorimit në 5 bashki të vendit të financuar nga LevizAlbania, shprehet se “situata në terren rezultoi me komplekse sesa ligjore, apo edhe burokratike. Kemi të bëjmë me një gjendje ku komuniteti ndjehet i braktisur si pasojë e nje mos koordinimi nga pushtetet vedore dhe qendrore. Në raportet tona, ne jo vetëm kemi fotografuar situatën reale, por jemi thelluar duke dhënë edhe rekomandimet e duhura”.

Në fakt situata duket se është e pazgjidhur që nga ana ligjore, por edhe administrative, gjë që transplantohet direkt në gjendjen praktike. Qytetarët, edhe pse e marrin shërbimin parësor, pra kanë mjekun e familjes, ata për shumë shërbime, u duhet të lëvizin drejt spitaleve apo ambulancave që ndodhen në qendrat e bashkive.

Ardit Zeno, një banor i fshatit Skënderbegas në Gramsh, thotë se qendra shëndetësore e fshatit të tij, është vetëm një ndërtesë pa asgjë brenda. “Mjeku ndodhet aty, jep vetëm receta për të sëmurët kronikë, apo rekomandime për në spitalin e Gramshit”, thotë ai. Pra qytetarët janë detyruar të lëvizin për në qendrat urbane dhe qendrat shëndetësore janë më shumë se formale. Ergita Kaso, punonjëse në bashkinë e Gramshit, thekson se vullneti ekziston por mundësitë janë të vogla.

“Në buxhetin e këtij viti është alokuar një fond i veçantë i bashkisë, për rikonstuksionin e ambulancës në Holtas, është zgjedhur kjo ambulancë duke parë kushtet e vështira të godinës dhe nevojën e ngutshme për rikonstruktim. Padyshim që bashkia Gramsh dëshiron të investojë në çdo qendër shëndetësore apo ambulancë të Gramshit, pasi pothuajse të gjitha kanë nevojë për disa investime, por buxheti teper i reduktuar i bashkisë e bën të pamundur”, thotë ajo.  Zonja Kaso i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë që t’i alokojë një fond të veçantë bashkisë së Gramshit për qendrat shëndetësore.

Por drejtoresha e Qendrës Shëndetësore të Rubikut, Liza Përdoçi, thekson se problemi më i madh është burokracia e tepruar, e që në fund askush nuk merret me atë që duhet. “Ne kemi varësi të dyfishtë edhe nga Drejtoria e Fondit të Sigurimit të Detyruar Shëndetësor në Lezhë, si dhe nga DSHM-ja e Rrëshenit. Por edhe nga bashkia me kompetencat e reja. Megjithatë, në fund të gjitha gjërat i bëjmë vetë. Gjithë ditën merremi me letra dhe kështu është qytetari që penalizohet”, thotë Përdoçi.

Kurse nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, Adriana Adhami, shpjegon se problemi është më kompleks dhe në radhë të parë ligjor. “Me transferimin e kompetencave për qendrat shëndetësore tek pushteti vendor kemi vetëm nenin 23 të ligjit për Qeverisjen Vendore. Por ende nuk ka një korpus të qartë ligjor me aktet e duhura për të zbatuar. Sipas ligjit, qendrat shëndetësore duhet të vetëfinancohen me fondet që vjelin nga qytetarët, ndërsa pushteti vendor të bëjë investimet në infrastrukturë. Ende janë të pazgjidhura problemet bazike ligjore, ata të pronësisë. Shumë ndërtesa nuk janë të legalizuara, apo nuk kanë certifikatën e pronësisë. Duhet ministria e Shëndetësisë të përgatisë aktet e duhura për një proces të plotë dhe të qartë të definimit të kompetencave”, thotë nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit.

Ministria e Shëndetësisë, u ka vënë në dispozicion qendrave shëndetësore për të menaxhuar situatën e brendshme, të ardhurat që marrin nga qytetarët. Në qendrën Shëndetësore të Rubikut, një mjeke thotë se këto fonde janë vetëm paratë që paguhen për të marrë lejen e drejtimit të automjetit, apo për leje arme, të cilat janë të papërfillshme dhe nuk dalin as për të blerë detergjentë për të pastruar ambulancën. Problemi më i madh qëndron me qendrat shëndetësore që janë të shkatërruara dhe nuk ka asnjë shenjë që të kenë një aksion nga bashkitë, për të investuar. Qeveria, duket e ka parë situatën të majiset në sytë e saj, ndaj duket se do të lëvizë vetë direkt, por edhe për të hartuar kuadrin e shumëpritur ligjor që të këtë një impakt. Zëvendës Kryeministrja, Senida Mesi, e pranon këtë situatë kaotike në një prononcim të posaçëm mbi çështjen e qendrave shëndetësore. Zonja Mesi, madje thotë se qeveria ka bërë një bilanc të plotë dhe ka gati planin për të ndërhyrë. “E dimë që gjendja është mjaft e vështirë, madje ka qendra shëndetësore pa dokumente trualli, apo letra të tjera ligjore, çka përbën një skandal, ndaj do të ndërhyjmë menjëherë. Janë gjithsej 415 qendra shëndetësore që do të rindërtohen në një plan të përgjithshëm të qeverisë: Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Energjisë, Agjencisë së Pronave, Aluiznit dhe të gjitha agjencive të tjera, në mënyrë që shërbimi të vijë pranë qytetarëve”, tha Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi.

Gjin Lakini, një mjek stomatolog në Rubik, i cili natyrisht punon jashtë sistemit shëndetësor, ngaqë është privat, përdor sarkazmën për të shpjeguar panoramën e shtrembër të shërbimit shëndetësor në 27 vite. “Dikur kjo qendër ishte spital me tre turne. Kishte edhe gjinekolog, kirurg, pediatër e mjaft specialitete. Pas viteve 90 u tha se qendra do të jetë më efikase nëse jep vetëm shërbimin primar. Por doktorët nuk mjekojnë, nuk vizitojnë, apo bëjnë ndonjë analizë. Ata thjeshtë plotësojnë letra: rekomandime për pacientët, fatura për ata që duan patentë, e merren me meremetimet e godinës. Po mirë kjo është shëndetësia?” pyet retorikisht mjeku stomatolog, i cili ngaqë nuk është i zënë me pacientë, u vjen ndihmë ish-kolegëve të vjetër nëse kan ndonjë punë “hamalli” siç e quan ai për të bërë në klinikë. “Dikush do ta bëjë”, thotë Gjini duke buzëqeshur dhe nxjerr një kacavidë nga çanta për të ndrequr diçka në automatin e energjisë së qendrës shëndetësore. Bie sapo vendoset pajisja e sterilizimit në përdorim…/ Ylli Pata

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren