Teatri, 33 aktorë në skenë për
“Vrasjen e Maratit”, premiera sot

Teatri, 33 aktorë në skenë për<br />“Vrasjen e Maratit”, premiera sot
TIRANE- Puna për premierën "Vrasja e Maratit" ka nisur prej shumë javësh në Teatrin Kombëtar. Regjisori i saj, Arben Kumbaro, ka angazhuar një trupë të madhe, ku përfshihen 33 aktorë. Në skenë do të ngjiten aktorë të njohur, por edhe kori me artistët, të cilët së bashku do të interpretojnë në një dramë që ka njohur sukses botëror.

Aktorët që janë pjesë e kësaj premiere, gjatë kësaj kohe kanë spikatur me rolet e tyre dhe në shfaqje të tjera teatrore.
"Vrasja e Maratit" shënon rikthimin në skenën e Teatrit Kombëtar të aktores Luli Bitri, pas shfaqjes së fundit teatrale në Teatrin e Operas në Romë me titullin "Un bacio sul cuore" me regji të Michele Placido, në rolin e Terezza Stolz. Regjisori Kumbaro e ka përzgjedhur atë që të luajë rolin e Sharlotë Kordes.

“Është pjesë madhështore gjigante dhe do të ngjitet në skenë nga një trupë e zgjedhur, me të cilën unë kam fatin që po punoj me ta, sepse janë kolegë të adhurueshëm. Personazhi i Sharlotës është një personazh fantastik. Në fillim u tremba, kur e mora këtë rol, sepse ka një peshë dramatike shumë të fortë. Meqë pjesën e fundit të karrierës e kam të mbushur me role tejet dramatike, isha pak e frikësuar se a mund ta bëja dot. Këto janë dyshimet e një aktori, por them se kam bërë një punë të rëndësishme për këtë rol. Kam bërë udhëtime të brendshme për rolin e Sharlotës.”

“Vrasja e Maratit”, merr shkak nga një ngjarje historike, një moment i rëndësishëm në historinë e Revolucionit Francez, që është Vrasja e Maratit. Autori na ngacmon me një pyetje madhore: A është radikalizmi ekstrem ose fondamentalizmi sot zgjidhja për të ndryshuar botën?

Viktor Zhusti, Hervin Çuli, Luli Bitri, Helidon Fino, Indrit Çobani, Gladiola Harizaj, Arben Derhemi, Sokol Angjeli. Ndërsa aktorët këngëtarë janë Erand Sojli, Egzona Ademi, Mateus Frroku, Flaura Kureta. Ata që do të luajnë pacientët në çmendinë: Mehdi Malkaj, Lulzim Zeqja, Nijada Saliasi, Gert Ferra, Genti Deçka, Flor Veizi, Florind Belliu,Dasara Xhangolli, Orsi Vangjeli, Deljana Topulli ndëtsa infermierët janë Andon Koço, Andi Voci, Julinda Emiri,Ledion Bitri. "Vrasja e Maratit" do të shfaqet premierë sot më 14 mars dhe të dielën më 15 Mars në skenën e Teatrit Kombëtar.
 
Teatër brenda teatrit
 
Teatër brenda teatrit, revolucion brenda revolucionit, marrëzi brenda marrëzisë, kjo pjesë teatrale ka një strukturë dramaturgjike aspak të zakonshme. Aty nuk ka një histori të thjeshtë por shumë të tilla, aty fundi është në fillim dhe fillimi në fund, aty nuk ka një qëndrim estetik “puritan”, por shumë të tilla, nga Brehti deri te Artaud, për të shkuar në konceptin e “teatrit total”, aty ka një dendësi shumë të madhe idesh, emocionesh, kujtimesh, imazhesh. Është pikërisht ky intensitet dramatik, jo vetëm sfida e dramës bashkohore, por edhe sfida e Peter Weiss-it me “Vrasja e Maratit”, thotë Piter Brook, për të rigjetur aty majat e teatrit botëror.

Një diskutim që rri pezull ndër vite i shkrimtarit gjerman Weiss, që shkon përtej vitit 1793 ose 1808, për të ardhur në epokën tonë, si një debat mjeshtëror mbi dhunën “revolucionare” dhe idealin socialist, mbi aftësinë ose paaftësinë e njeriut për të ngritur struktura të drejta dhe të qëndrueshme shoqërore. Dhe diskutimi duket se do të vijojë edhe pas premirës "Vrasja e Maratit"... “Vetëm në dhjetëvjeçarin e parë pas premierës së Berlinit më 29 Prill 1964 “Marat/Sad” njohu mbi njëqind inskenime në teatrot e mëdha të botës.

Në Amerikë u nderua me “Tony Award”, çmimin më të lartë për teatrin dhe musical-in. Një vepër e jashtëzakonshme që pret të hyjë edhe në teatrin shqiptar”, -thotë drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, duke teksuar se “Në Teatrin Kombëtar po sjellim një dramë të shumëpritur”.  Si shkrimtar autori i dramës Weiss dallohet nga stili i ngjeshur, dhe mendimi filozofik. Për sa i përket gjuhës skenike duket si vazhdues i teatrit të Brechtit. Ndërsa regjisori Kumabro thotë se “skena e ngjarjeve është Revolucioni Frëng, në ditët e Korrikut 1793, kur vajza e re Sharlotë Korde përgatit vrasjen e Maratit.

Teatri ku inskenohen këto ngjarje në vitin 1808, në kohën e Napoleonit, është çmëndina Sharënton, ku markezi dë Sad mbahet i mbyllur për shkak të skandaleve të tij publike (fakt i njohur historikisht) dhe ku  vë në skenë me të sëmurët psiqikë pjesë të ndryshme teatrore për dëfrimin e shoqërisë së lartë të Parisit. Pra ka një teatër brenda teatrit”.

“Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, ky është titulli i plotë i dramës së shkrimtarit gjerman Peter Weiss, e cila ka hyrë në historinë më të re të teatrit si “Marat/Sad”, me emrat e dy protagonistëve të saj. Drama Premierë “Vrasja e Maratit” në Teatrin Kombëtar, vjen pas disa komedive të suksesshme, që janë shfaqur deri më tani në skenë për publikun.
Vrasja e Maratit















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK