Teatri i ri,Rama:S'do ketë kullë
ndërtohet brenda tre viteve

Teatri i ri,Rama:S'do ketë kullë<br />ndërtohet brenda tre viteve<br /><br>
TIRANE - Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin e arkitektit danez, Bjorke Ingels, për Teatrin Kombëtar i cili do ndërtohet mbi rrënojat e atij ekzistues. Përpara aktorëve, Rama tha se do t'i japë vendit Teatrin e merituar me trefishin e sipërfaqes së teatrit të vjetër dhe me kushte bashkëkohore.

Sipas kreut të qeverisë, investimi për Teatrin e ri Kombëtar do përfundojë brenda tre viteve të ardhshme dhe do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe sipërmarrjen private. 

"Teatri do ndërtohet brenda 3 viteve të ardhshme. I gjithë projekti do fillojë nga Teatri dhe Teatri do jetë faza e parë dhe prioritare e projektit. Garancia e ndërtimit të tij brenda tre viteve do jetë pjesë e procesit që ne kemi tani detyrë të ndërmarrim, përmes një procedure që do finalizohet me ligjin e Kuvendit për një investim kaq të madh për kulturën dhe për Tiranën", u shpreh Rama. 

Kreu i qeverisë theksoi se ndërtesa ekzistuese nuk plotëson as kushtet më minimale për artistët. Teatri i ri do ketë një sipërfaqe prej 9200 m katrorë, ku përfshihen 6 hapësira, më e madhja me 600 vende, dy salla eksperimentale, një teatër veror me tarracë dhe një shesh të madh poshtë ndërtesës unike që sërish mund të përdoret për performanca.

“Nga një sallë e vetme sot, nesër do keni 4 salla. Nga hapësira të papërshkrushme, se janë realisht poshtëruese për artistët, do keni një shumëfish të hapësirës për artistët, salla kryesore nga 480 vende, do ketë 620. Do kemi një teatër që do të jetë sa fishi i këtij që është sot. Mbi gërmadhat e së shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. 

 

Godina e vjetër e teatrit do të shembet. Kush sot del dhe bën protesta, do të duhet të mendojë se si të lërë yllin aty, pasi godina do të shembet dhe aty do të ngrihet teatri i ri Kombëtar. Ne shpenzuam brenda mundësive për të përmirësuar kushtet ekzistuese të godinës së teatrit, e cila pati disa ndërhyrje për të krijuar mundësi minimale, sistem minimal sigurie e ngrohjeje, gjëra që ishin si ato medikamentet që mbajnë në jetë një të sëmurë në koma, nga ana tjetër filluam ndërtimin e qendrës së re multifunksionale që është shëmbëlltyrë e një ambicie të vërtetë që do ketë standarte bashkëkohore për të gjithë ata që duan të bëjnë teatër. 

Turbina nuk është zëvendësuesja e përhershme e Teatrit Kombëtar por do shërbejë për sa kohë do ndërtohet teatri, por do jetë aty edhe pas ndërtimit të Teatrit se në vitet në vijim do të ketë më shumë shfaqje besoj.

Ndjej keqardhje që u desh kaq shumë kohë të bëhej. Debatet i kam ndjekur. Ajo që dua të bëjmë është që Ministria e Qeveria të mos jenë përgjegjëse për suksesin apo vlerësimin e suksesit, vlerësimin ta bëjë publiku. Qeveria do krijojë burimet që kush është më i zoti të marrë atë që i takon”,
u shpreh Rama. 

Garancia e kryeministrit ishte se Teatri i ri nuk do ketë kullë. "Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë". 

Për t’u njohur me projektin e ri të pranishëm ishin edhe ikonat e skenës së teatrit dhe të artit shqiptar duke filluar nga Robert Ndrenika, Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Kujtim Çashku dhe Altin Basha. Gjithashtu,  në sallë ishin të pranishëm edhe Kastriot Çaushi, Artan Imami, Hervin Çuli, Armando Bora, Zana Çela, Laert Vasili, Gazmend Paja, Gent Hazizi, aktori Malaj etj.

[gallery]25791[/gallery]

Arkitekti Bjorke Ingles: Nder të bëhem pjesë e këtij transformimi
Arkitekti i njohur danez, Bjorke Ingles ka vlerësuar përpjekjet e Tiranës për t'u transformuar në një qytet sa më të jetueshëm për banorët e vet. Në nisjen e prezantimit të projektit të Teatrit të ri Kombëtar, Bjorke Ingels është shprehur i surprizuar për ndryshimin që ka pësuar Tirana në raport me disa vite më parë, ndërsa theksoi se edhe ai ndihej i frymëzuar nga ndryshimi ka pësuar Tirana.

“Kam ardhur këtu për herë të parë 7 vjet më parë dhe e pash Tiranën që kishte filluar të gërmonte nga energjia dhe transformimet por ishte një qytet krejt tjetër nga ai që shoh sot. Unë kam që nga ajo kohë që vij të paktën 1 herë në vit dhe është frymëzuese për mua që të shof një qytet dhe një komb kaq të mobilizuar në një përpjekje për ta bërë qytetin, hapësirat dhe rrugët e tij më të banueshme dhe më të këndshme për njerëzit që jetojnë këtu”, tha Ingels.

Më tej, ai theksoi se ishte gjithashtu nder për të që do të kontribuonte edhe më tej me projektin e Teatrit Kombëtar në këtë transformim të Tiranës. “Është një nder i jashtëzakonshëm që të jem pjesë e këtij transformimi në kuadrin e Teatrit Kombëtar”, tha Ingels.

Arkitekti Ingels u shpreh me nota pozitive edhe për atë që ofron sot sheshi “Skëndërbej”. “Sot sheshi “Skëndërbej” është bërë i mrekullueshëm dhe i ka dhënë gjallëri jetës”, shtoi arkitekti danez.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi