Disa deputetë të Partisë Demokratike dhe të LSI-së kanë qenë të pranishëm sot pasdite në Tiranë në takimin e organizuar nga artistët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. 

Artistët i kishin ftuar të githë deputetet në orën 19.00 në sallën Molier.

Deputetë të PD fdhe LSI sot në Teatrin Kombëtar, i fundit majtas Klevis Balliu

Gjatë dëgjesës foli kryetari i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit Alert Çeloaliaj, ndërkohë që deputeti demokrat Dashamir Shehi u pa të takohej me aktorin Robert Ndrenika.

Dashamir Shehi takohet me Robert Ndrenikën

Çeloaliaj tha se qëllimi i vetëm i ftesave për deputetët dhe anëtarët e këshillit bashkiak është debati.

Një qytetar i pranishëm në këtë event, që u prezantua si Martin Gjonaj deklaroi: “Unë jam në mbrojtje të Teatrit Kombëtar që nga fillimi, politikanët ndaç të vijnë ndaç jo”.

Artistët shfaqën në këtë takim një video nga debati per teatrin në vitin 2002, ku merrte pjesë edhe Edi Rama, asokohe kryetar i bashkisë së Tiranës.

Në këtë video shihet të flasë fillimisht Maks Velo, që në vitin 2002 thoshte: S’na ka pyetur njeri, një firme duhet këtu dhe iku teatri.

Gjithashtu aty flet edhe Arben Kumbaro, vëllai i ministres së Kulturës Mierela Kumbaro.

“Jam absolutisht kundër marrëdhënies së biznesit privat me pronën publike” – ka thënë ai në vitin 2002.

Foto nga video e 2002-shit ku shihet te flasë vëllai i Mirela Kumbaros

Robert Ndrenika i ka ngritur në këmbë deputetë e qytetarë kur mori fjalën dhe deklaroi: "Më e shenjta nga të gjitha, është toka këtu". 

Ndrenika: Kur isha drejtor teatri më thanë të privatizoja tokën, si u bënka kjo. S'mund tua lëmë 3-4 biznesmenëve, ndaj do e mbrojmë teatrin, se është toka e komunitetit tonë.

Fjalën e mori edhe deputetja Grida Duma e cila tha se: Elita e shqiptarëve e ka këtu peshën. Të na vijë turp që se kemi zgjidhur këtë problem.

“Ju keni absolutisht të drejtë” – iu drejtua Duma artistëve.

Sakaq, kolegu i saj demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh “Interesi ynë është t’iu mbështesim ju që të thyejmë arrogancën”.

Lidhur me gjendjen se ku ndodhet teatri sot Luan Rama, deputet i LSI tha jo me pak ironi përballë deputetëve të PD dhe LSI të pranishëm në sallë, mes të cilëve edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, djali i botuesit Fahri Balliu, njeri i afërt i Sali Berishës : "Asnjëherë s’kam parë kaq deputetë në një shfaqje teatri".

"Kur kam qenë ministër kulture, qeveria dha një grant 5 milionë lekë dhe janë vjedhur. Jemi këtu si qytetarë për të mbrojtur pronën tonë. Teatrin Kombëtar duhet ta ndërtojë shteti" tha më tej Luan Rama.

Në fund të takimit ka nisur firmosja e një peticioni për kthimin e Teatrit Kombëtar në monument kulture.