Report Tv zbardh detaje nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Demokratët kanë vendosur këtë të premte të kushtëzojë marrëdhëniet me komisionet parlamentare. Efektet janë dhënë që ditën e sotme ku deputetët demokratë nuk kanë marrë pjesë në punimet e komisionit parlamentar të Sigurisë dhe atij të Ekonomisë. Vendimi i opozitës vjen një ditë pasi maxhoranca miratoi në Kuvend ligjin për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. 

Burime për Report Tv thanë se pjesëmarrja e opozitës në komisione do varet nga axhenda. I njëjti burim saktëson se ka qenë vetë Basha i cili ka sqaruar se, "deputetët demokratë do jenë të pranishëm kur të ketë interes për ne"

Por edhe pse kanë kushtëzuar raportet me komisionet, deputetët e PD do marrin pjesë në seancat e Kuvendit ku synojnë të përballen me kryeministrin Edi Rama. Basha ka paralajmëruar në mbledhjen e grupit parlamentar se opozita nuk do ndalet deri në largimin e kreut të qeverisë.  

Nga ana tjetër Basha e ka cilësuar 'terrorist' ligjin për Teatrin e Ri, i miratuar natën e kaluar vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa akuzoi Ramën se po i trajton shqiptarët si armiq. Basha i është drejtuar edhe presidentit Meta për të mos dekretuar ligjin. 

Vendimi është përballje deri në largimin e Edi Ramës. Mbrëmë u votua një ligj për shembjen e Teatrit, ai është një ligj terrorist. Rama po i trajton shqiptarët si armiq. Do t’i bëjmë kërkesë presidentit për të mos e miratuar. Vendime të tjera do merren hap pas hapi sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese dhe shteti konsiderohet i rënë. Në komisionet e Kuvendit do shkojmë kur të kemi interes. Me Edi Ramën do përballemi në seancë dhe nuk do ndalemi deri në largimin e tij. 

Lulzim Basha, kryetar i PD